Ndërlidhjet

Mbyllen shkollat serbe në veri të Kosovës


Barrikadat në Rudarë të Zveçanit. 12 dhjetor 2022.
Barrikadat në Rudarë të Zveçanit. 12 dhjetor 2022.

Shkollat fillore dhe të mesme në komunat në veri të Kosovës nuk do të punojnë deri në njoftimin e radhës, për shkak të situatës aktuale të sigurisë, konfirmoi drejtori i shkollës fillore “Sveti Sava” në Mitrovicën e Veriut, Miodrag Jovanoviq, për Radion Evropa e Lirë.

Ai nuk dha detaje se deri kur nuk do të shkojnë nxënësit në shkollë, por vetëm tha se një vendim i tillë është marrë të dielën mbrëma.

“Me shumë gjasa” është marrë nga institucionet kompetente, tha ai.

Shkollat në mjediset serbe në veri të Kosovës funksionojnë nën sistemin e Serbisë.

Që nga 6 dhjetori, në veri të Kosovës janë shënuar një sërë incidentesh të armatosura, që kanë kulmuar me vendosjen e barrikadave pasditen e 10 dhjetorit.

Fillimisht, zyrtarët zgjedhorë, që po përgatisnin zgjedhjet lokale, u penguan që të shkonin në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.

Më 10 dhjetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shtyu për në prill zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq. Këto katër komuna, të banuara me shumicë serbe, janë pa kryetarë që nga nëntori, pasi ata - që bashku me policët dhe punëtorët e sistemit të drejtësisë në veri - dhanë dorëheqje për shkak të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.

Megjithatë, më 10 dhjetor, serbët lokalë nisën ngritjen e barrikadave në veri në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari të Policisë së Kosovës.

Autoritetet në Kosovë thanë se ish-polici, Dejan Pantiq, dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të KQZ-së në veri.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që të largohen barrikadat dhe kanë dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së në Kosovë për sundim të ligjit, EULEX.

Teksa tensionet janë rritur në veri të Kosovës, krerët shtetërorë në Serbi kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për t’i kërkuar që të lejohet dislokimi i forcave ushtarake dhe policore në Kosovë. Qeveria në Prishtinë i ka cilësuar këto paralajmërime si “agresion”.

XS
SM
MD
LG