Ndërlidhjet

Shkup: Arrestohet një gjykatës, një tjetër prokuror dyshohet për ryshfet


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Gjykatësi në Gjykatën Supreme, Naqe Georgiev, si dhe zëvendëskryetari i këshillit të Prokurorëve të Maqedonisë së Veriut, Ixhet Mehmeti, dyshohen për marrje ryshfeti në vlerë rreth 10.000 euro.

Gjykatësi Georgiev është arrestuar në flagrancë nga policia derisa po merrte paratë për të ndikuar në një proces gjyqësor ndaj ish-kryetarit të komunës së Novosellës, Boro Stojçev, i cili kohë më parë u arrestua për kontrabandë me lëndë narkotike.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjyqtari Naqe Georgiev është privuar nga liria gjatë kryerjes së veprës penale, ndërsa dyshohet për “marrje të shpërblimit për ndikim të paligjshëm".

Arrestimi është kryer të hënën mbrëma, ndërsa në orët e para të mëngjesit të së martës, Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut, ka vendosur t’ia heqë imunitetin si gjykatës për t’i hapur rrugë caktimit të masës së paraburgimit.

“Këshilli Gjyqësor i hoqi imunitetin gjyqtarit të Gjykatës Supreme me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës penale; aprovoi kërkesën për miratimin e paraburgimit të paraqitur nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit dhe e largoi përkohësisht gjyqtarin e Gjykatës Supreme nga ushtrimi i funksionit të tij gjyqësor, deri në përfundim të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Këshillit Gjyqësor.

Prokuroria, aktualisht, nuk ka kërkuar masë paraburgimi për të dyshuarin e dytë, prokurorin Ixhet Mehmeti, i cili, sipas hetimeve paraprake, së bashku me gjykatësin Georgiev, janë marrë vesh për të ndikuar në lehtësimin e procesit gjyqësor ndaj Boro Stojçevit.

“Lidhur me të dyshuarin e dytë, deri në këtë moment provat nuk japin bazë për propozimin e masës më të rreptë të sigurisë. Hetimi vijon deri në verifikimin e plotë të të gjitha rrethanave dhe pretendimeve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Ixhet Mehmeti për dy mandate ka qenë Avokat i Popullit, ndërsa më parë edhe ish-ministër i Drejtësisë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim(BDI).

Arrestimi i gjykatësit të Supremes ndodhi në kohën kur Maqedonia e Veriut po përballet me kritika të shumta për gjyqësor të korruptuar dhe joefikas.

Përbërja aktuale e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, më 6 shtator 2023 kishte miratuar ndryshime në Kodin Penal që çuan në lirimin nga ndjekja penale, si dhe uljen e dënimit të dhjetëra ish-zyrtarëve të lartë të akuzuar për vepra të rënda penale.

Sipas hulumtimit të opinionit publik nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), vetëm një për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut kanë besim në pushtetin gjyqësor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja origjinale e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG