Ndërlidhjet

Shkupi pa detaje për kompromisin e mundshëm me Sofjen 


Maqedoni e Veriut: Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev dhe Presidenti i Maqedonisë Stevo Pendarovski (Shkup: 26 maj 2021).
Maqedoni e Veriut: Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev dhe Presidenti i Maqedonisë Stevo Pendarovski (Shkup: 26 maj 2021).

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut nuk shpalosin detaje në raport me planin e Brukselit, përmes së cilit synohet tejkalimi i dallimeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, rreth çështjes së gjuhës dhe të kaluarës historike, me këtë dhe zhbllokimin e procesit të hapjes së bisedimeve zyrtare me BE-në.

Megjithëse tashmë ka kaluar një javë që Ministri i Punëve të Jashtme i Portugalisë, Augusto Silva - vendi i të cilit kryeson me Bashkimin Evropain - dhe Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, i prezantuan Shkupit dhe Sofjes planin e Brukselit që parasheh zhbllokimin e procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Në këtë drejtim zëvendëskryeministri për çështje të integrimeve Nikolla Dimitrov, thotë se ka dy mundësi për arritjen e kompromisit.

“Rreth kompromisit të tanishëm, kërkoj falje, nuk mund të jap më shumë detaje për shkak se procesi është në një fazë mjaft delikate, dhe për këtë arsye mendoj se duhet dhënë shans bisedimeve dhe kontakteve diplomatike. Megjithatë, në pjesën më të madhe, kompromisi ka dy anë: njëra anë, ku, në një farë mënyre, bëjmë marrëveshje që mos të merremi vesh. Ku pala bullgare, i ka pozicionet e veta, pala maqedonase i ka pozicionet e veta. Pjesa e dytë nga kompromisi, është atje ku ashiqare kemi interes të përbashkët të bëjmë gjithë çfarë mundemi, që të kemi udhëtregues konkret, me afate, me institucione kompetente, që ta zbatojmë marrëveshjen për miqësi”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministri për çështje të integrimeve, Nikolla Dimitrov.

Ndërkaq kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, vlerëson se kontesti mes Shkupit dhe Sofjes është problem bilateral dhe si i tillë duhet të zgjidhet, megjithëse ai ka shtuar se kyçja e shteteve anëtare të BE-së, në zgjidhjen e kontestit mes dy vendeve është e mirëseardhur.

“Kyçja e shteteve anëtare të BE-së në zgjidhjen e kontestit mes Sofjes dhe Shkupit është e mirëseardhur, por megjithatë, ky është problem bilateral dhe në mënyrë bilaterale duhet të zgjidhet”, ka thënë të premten kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, duke u shprehur me dozë optimizmi rreth një epilogu pozitiv nga takimi mes dy presidentëve, të Maqedonisë së Veriut dhe atij të Bullgarisë.

Këto reagime vijnë pas deklaratës së presidenti bullgar Rumen Radev, gjatë shënimit të përbashkët të Ditës së Shën Kirilit dhe Metodit në Romë me presidentin e Maqedonisë së Veriut Stevo Penarovski, gjatë ditës së enjte (27 maj 2021), se nuk ka nevojë për ndërmjetësues dhe se zgjidhja duhet kërkuar në mënyrë dypalëshe, e jo në Bruksel.

“Nuk ka nevojë për ndërmjetësim. Ne jemi të afërt. Nëse kyçet ndonjë shtet evropian duhet përkthyes. Pse do të na duhej ndërmjetësues?!”, është shprehur në Romë presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.

Por historiani Skender Asani i cili drejton Institutin për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, për Radion Evropa e Lirë, thotë se koha ka treguar se tejkalimi i dallimeve vetëm mes bisedimeve dypalëshe, mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, është i pamundur pa ndërmjetësimin e qendrave vendimmarrëse, Brukselit dhe Uashingtonit.

“Problemi (mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë) duhet të zgjidhjet në kontekstin rajonal dhe me një vendim të posaçëm të Bashkimit Evropian, sepse në të kundërtën, do tu iket zgjidhjes së problemeve që nuk po tejkalohen, këtë e ka dëshmuar periudha katër vjeçare”, thotë Asani

Ai nënvizon se qasja ndaj kontestit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ka qenë i gabuar dhe nuk ka prodhur zgjidhje, pikërisht për faktin se problemi është lokalizuar si kontest mes dy shteteve fqinje që për bazë ka të kaluarën historike.

“Kontesti mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut fillimisht është dashur të trajtohet për çështjet pozitive, siç është zhvillimi ekonomik, kurse problemet historike të trajtohen si proces që do të paraqisnin një materie, që do të gjendej zgjidhje në të ardhmen. Si studiues dhe si historian, mendoj se problemi (kontesti mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë) është dashur të zgjidhet në mënyrë të procesit të integrimit rajonal, siç është integrimi i Ballkanit Perëndimor.

Edhe iniciativa e disa shteteve perëndimore dhe SHBA-së, që kontesti të zgjidhet në mënyrë rajonale, është në këtë drejtim, pra të mënjanohet ngërçi i shkaktuar nga vetë këto dy shtete”, thotë Asani.

Përderisa zëvendëskryeministri për çështje të integrimeve Nikolla Dimitron, për Radion Evropa e Lirë, thotë se çështja e gjuhës dhe identitetit maqedonas, nuk duhet të paraqes në asnjë rast, çështja e njohjes apo mosnjohjes nga pala bullgare, pozicion ky prej ku duhet filluar arritja e kompromisit mes dy vendeve fqinje.

“Pozicioni ynë mbështetet mbi parimin e pastër kristal: popull maqedonas, gjuhë maqedonase – këto janë çështje, që janë çështje për ne, për popullin tonë, një hapësirë intime, çështje të brendshme dhe në raportet ndërkombëtare, në të drejtën ndërkombëtare, këto çështje nuk janë lëndë të njohjes apo të mosnjohjes. Njihen shtetet, njihen qeveritë – mirëpo kjo është shprehje e të drejtës sovrane të vetëvendosjes. Do të jetë e pamundur nëse pa këtë respekt elementar, të cilin shumë intimisht e presim prej të gjithë fqinjëve tanë; pa një respekt të tillë elementar, është shumë vështirë të punoni në krijimin e miqësive”, thotë Dimitrov.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG