Ndërlidhjet

Prishtina e jep ‘dritën e gjelbër’ për ndërtimin e xhamisë


Gurethemeli i xhamisë në Prishtinë
Gurethemeli i xhamisë në Prishtinë

Në Kosovë ka vazhduar debati për projektin e ndërtimit të xhamisë në lagjen “Dardania”, në Prishtinë.

Ky projekt, me kërkesë të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është prezantuar të martën edhe para asamblistëve të Komunës së Prishtinës.

Projekti i xhamisë, është bërë e ditur se do të financohet dhe do të ndërtohet nga Bashkësia Islame Turke, me një kosto të përgjithshme prej rreth 40 milionë euro.

Kryetari Ahmeti iu ka kërkuar asamblistëve që të debatojnë rreth projektit të xhamisë dhe të gjendet një konsensus për ndërtimin e kësaj xhamie. Ai ka thënë se xhamia do të ndërtohet, por, që për projektin e kësaj xhamie duhet të ketë konsensus politik dhe shoqëror.

Po ndërtojmë xhaminë më të madhe në Kosovë dhe kjo është përtej mandatit tim dhe nuk është çështje e një kryetari apo një partie politike. Askush nuk po e dikton lokacionin, askush nuk po e diskuton a do të ndërtohet xhamia, xhamia do të ndërtohet, por po kam menduar që Bashkësia Islame e Kosovës të prezantojë projektin para asamblistëve”, ka thënë Ahmeti.

Asamblistët ndërkohë kanë hedhur një varg kritikash në projektin e xhamisë, megjithatë ata i kanë kërkuar përfaqësues të urbanizmit komunal, që të analizojë mirë projektin dhe të vazhdojë me procedurat e nevojshme të projektit.

Vërejtjet e asamblistëve kanë pasur të bëjnë me arkitekturën e xhamisë. Sipas tyre, xhamia nuk do të duhet të ketë arkitekturë neoklasike osmane por një arkitekturë moderne.

Po ashtu sipas tyre, orientimi i objektit nuk përkon me vend lokacionin. Lokacioni nga shumica e asamblistëve konsiderohet të jetë ndarë në vend të gabuar, pasi që sipas tyre për ndërtimin e një xhamie qendrore do të duhej të kishte hapësirë më të madhe.

Lokacioni ku parashihet të ndërtohet xhamia në Prishtinë
Lokacioni ku parashihet të ndërtohet xhamia në Prishtinë

Sidoqoftë, kryetari Ahmeti ka thënë që çështja e lokacioni tashmë është e përfunduar, ndonëse sipas tij, ka pasur lokacione më të përshtatshme për ndërtimin e kësaj xhamie.

Ndërkohë, përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës iu kanë kërkuar asamblistëve që të mbështesin projektin aktual të xhamisë.

Resul Rexhepi, sekretar i Bashkësisë Islame të Kosovës ka thënë se çështja e kësaj xhamie ka nisur 17 vjet më parë dhe deri më tani përveç gurëthemelit të saj asgjë nuk është bërë.

Ai ka shtuar se kryeqytetit i duhet një xhami madhështore, një xhami që sipas tij, do të ngërthente në vete edhe traditën.

"Kemi nevojë për përkrahjen tuaj, kemi nevojë që të na ndihmoni në zbatimin e projektit dhe nesër edhe kryeqyteti ta ketë një simbol me të cilin do të identifikohemi. Ne kemi përzgjedhur një xhami madhështore, të bukur. Duhet të na besoni një gjë, ne e dimë më shumë se çka na duhet neve në këtë kohë dhe në këtë vend”, ka thënë Rexhepi.

Xhamia qendrore e kryeqyteti, ka shtuar Rexhepi, nuk ka të bëjë më as një parti politike dhe se ajo është jashtë pretendimeve partiake, xhamia është e besimtarëve.

Ndryshe, së fundi një grup qytetarësh përmes rrjeteve sociale kanë kundërshtuar ndërtimin e xhamisë me projektin aktual.

Sipas tyre, ky projekt është në kundërshtim me planin urbanistik të lagjes “Dardania”, ku është menduar ndërtimi i kësaj xhamie.

Ata, përmes një peticioni në rrjetet sociale, kanë kërkuar nga qytetarët t’i mbështesin.

Ky peticion është për arkitekturë e jo për fe”, thuhet në peticion, i cili është shpërndarë në rrjete sociale.

Gurëthemeli për ndërtimin e kësaj xhamie, si një nga objektet më të mëdha fetare të besimit islam në Kosovë, ishte vënë në tetor të vitit 2012.

Atë kohë, gurëthemelin e patën vendosur përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe krerët e institucioneve ekzekutive dhe legjislative të vendit.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG