Ndërlidhjet

SHBA-ja kryen një sulm me dron në Kabul


Militantët talibanë bllokojnë rrugën në afërsi të aeroportit të Kabulit më 28 gusht 2021.
Militantët talibanë bllokojnë rrugën në afërsi të aeroportit të Kabulit më 28 gusht 2021.

Shtetet e Bashkuara kanë kryer në sulm me dron në Kabul duke goditur një veturë, që po bartte militantë të Shtetit Islamik, thanë zyrtarët ushtarakë më 29 gusht.

Zyrtarët thanë se është goditur një veturë e cila ishte nisur drejt aeroportit të Kabulit dhe brenda saj gjendeshin sulmues vetëvrasës. SHBA-ja beson se sulmi ka qenë i suksesshëm dhe ka goditur objektivin.

“Forcat e ushtrisë amerikane kanë kryer një sulm me dron sot mbi një veturë në Kabu, duke eliminuar kërcënimin nga IS-K” për në aeroport, tha Bill Urban, zëdhënës i Komandës Qendrore të SHBA-së.

“Shpërthime të mëdha dytësore nga vetura lanë të kuptohet se ka pasur prani të një sasie të konsiderueshme të materialit shpërthyes”, tha ai, duke shtuar se “deri më tani nuk ka indikacione” se ka pasur viktima në mesin e civilëve.

Ka pasur raportime për një shpërthim në një shtëpi në afërsi të aeroportit, por ende nuk është e qartë nëse këto dy shpërthime janë të lidhura.

Nga shpërthimi i raportuar është vrarë një fëmijë, tha shefi i policisë afgane, ka raportuar agjencia Associated Press. Rashid, shefi i policisë në Kabul, tha se raketa goditi në lagjen Khuwja Bughra të kryeqytetit afgan.

Asnjë grup deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë e këtij sulmi.

Raportimet për një shpërthim qarkulluan në media sociale, ku u publikuan pamje të tymit që dilte nga një ndërtesë, që dukej se ishte ndërtesë banimi. Po ashtu, në këto pamje u shfaqën edhe disa persona që kishin hipur në kulmin e ndërtesës dhe me kova uji tentonin ta shuanin zjarrin.

Një burim nga Ministria e Shëndetësisë konfirmoi për BBC-në se ka ndodhur një shpërthim, duke shtuar se një raketë ka goditur një shtëpi. Dy dëshmitarë, të cilët i ka cituar agjencia Reuters, thanë se shpërthimi duket se është shkaktuar pasi një raketë goditi një shtëpi. Këta dëshmitarë thanë se vendi ku ndodhi ngjarje gjendet në pjesën veriore të aeroportit të Kabulit.

Shpërthimi ndodhi teksa forcat amerikane janë në fazën e fundit të tërheqjes nga Kabuli. Vetëm mbi 1.000 civilë gjenden në aeroport, u raportua më 29, e të cilët po presin të largohen para se trupat amerikane të largohen nga vendi, tha për Reuters një zyrtar perëndimor i sigurisë.

Presidenti amerikan, Joe Biden tha se do t’i përmbahet afatit të 31 gushtit për tërheqjen e të gjitha trupave nga Afganistani, duke i dhënë fund luftës më të gjatë amerikane. SHBA-ja pushtoi Afganistanin më 2001 dhe rrëzoi nga pushteti talibanët, pak kohë pas sulmeve të 11 shtatorit në SHBA që ndodhën po atë vit.

Situata në aeroportin e Kabulit është e tensionuar teksa një prej portave të jashtme të aeroportit ishte skenë e një sulmi vetëvrasës me bombë tre ditë më parë, ku u vranë afër 170 persona, përshirë edhe 13 pjesëtarë të ushtrisë amerikane.

Ushtria amerikane tha se ka kryer një sulm me dron në Nangarhar të Afganistanit, dy ditë pas sulmit vetëvrasës. SHBA-ja tha se ka vrarë një planifikues dhe një ndihmës të këtij sulmi.

Më 28 gusht, presidenti Biden tha se situata në Afganistan “vazhdon të jetë jashtëzakonisht e rrezikshme” dhe se kërcënimi për sulme terroriste në aeroportin e Kabulit “vazhdon të jetë i lartë”.

Biden po ashtu deklaroi se ai ishte takuar me ekipin e tij të sigurisë kombëtare dhe me komandantët në terren, të cilët e kanë informuar se “në 24-36 orët e ardhshme ka gjasa të mëdha” që të ndodhë një sulm.

XS
SM
MD
LG