Ndërlidhjet

SHBA-ja vret dy anëtarë të IS-it në Afganistan


Ushtarët amerikanë në aeroportin e Kabulit më 16 gusht 2021.
Ushtarët amerikanë në aeroportin e Kabulit më 16 gusht 2021.

Shtetet e Bashkuara më 28 gusht kryen sulme ajrore në lindje të Afganistanit, duke vrarë dy anëtarë të grupit Shteti Islamik, si kundërpërgjigje ndaj sulmit vdekjeprurës pranë aeroportit të Kabulit.

Sulmi me dron, që ndodhi në provincën Nangarhar, vrau një planifikues dhe një lehtësues të sulmit jashtë aeroportit të Kabulit, tha gjeneralmajor Hank Taylor, gjatë një konference për media. Një pjetër anëtar i IS-it është plagosur dhe nuk ka asnjë civil të lënduar në këtë sulm, tha Taylor.

"Ne kemi pasur informacione të inteligjencës që na lejuan që ta kryejmë sulmin", tha Taylor, duke mos dhënë më shumë detaje për sulmin me dron.

Sulmi me dron erdhi më pak se dy ditë pas sulmit vetëvrasës me bombë, përgjegjësinë e të cilit e mori IS-i. Në këtë sulm u vranë 170 afganë dhe 13 trupa amerikane, që gjendeshin jashtë portës së aeroportit të Kabulit, teksa turmat e afganëve po tentonin që të hynin në aeroport, me qëllim që të evakuohen nga vendi.

Komandoja Qendrore amerikane më herët tha se në sulm ishte vrarë një anëtar i Shtetit Islamik-Khorasan (IS-K).

Presidenti amerikan, Joe Biden është zotuar se do të hakmerret ndaj IS-K- filial i IS-it në Afganistan dhe Pakistan – në përgjigje të sulmit, teksa evakuimet nga aeroporti i Kabulit po vazhdojnë pasi talibanët morën kontrollin e Afganistanit.

“Ne nuk do të harrojmë. Ne nuk do të harrojmë. Ne do t’iu përndjekim dhe do t’iu bëjmë që të paguani”, ka thënë Biden gjatë një adresimi nga Shtëpia e Bardhë më 26 gusht.

Ushtria amerikane tha më 27 gusht se beson se ende ka “kërcënim të besueshëm” kundër operacioneve të evakuimit nga aeroporti i Kabulit para afatit të 31 gushtit, kur të gjitha forcat e huaja duhet të tërhiqen nga Afganistani.

“Ne jemi të përgatitur dhe presim edhe përpjekje të tjera2, tha më 27 gusht zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psakipo ashtu tha se ekspertët e sigurisë kombëtare kanë thënë se një sulm i ri ka gjasa të ndodhë dhe se ditët e ardhshme “do të jenë periudha më e rrezikshme”.

Zyrtarët e Pentagonit thanë se sulmi vdekjeprurës i 26 gushtit është kryer nga një sulmues vetëvrasës, i cili shpërtheu eksplozivin pranë portës së aeroportit dhe se nuk ka pasur shpërthim të dytë pranë një hoteli, siç ishte raportuar fillimisht.

Misioni i evakuimit, që udhëhiqet nga SHBA-ja, ka hyrë në fazën finale, teksa aleatët e NATO-s po përfunduan operacionet e tyre në Afganistan pas sulmit vetëvrasës të kryer nga IS-K.

Shumica e mbi 20 shteteve aleate, që ishin të përfshira në evakuimin e qytetarëve afganë dhe shtetasve të tyre nga Kabuli, kanë thënë se kanë përfunduar operacionet e tyre të evakuimit më 27 gusht.

Shtëpia e Bardhë tha se SHBA-ja dhe aleatët kanë evakuuar 12.500 persona nga aeroporti në 24 orët paraprake. Uashingtoni tha se deri më tani, nga Afganistani janë evakuuar 105.000 persona.

Rreth 1.000 qytetarë amerikanë vlerësohet se ende janë në shtet, teksa mijëra afganë, shumica prej të cilëve kanë punuar me forcat ndërkombëtare, po shpresojnë që të largohen nga vendi pasi kanë frikë se talibanët do t’iu hakmerren pasi të largohen trupat e huaja nga Afganistani.

Franca ishte shteti i fundit që tha se ka përfunduar evakuimet nga Kabuli, por Parisi zyrtar tha se do të vazhdojë të ndihmojë ata që kanë nevojë për mbrojtje për t’u larguar nga vendi.

Evakuimet ajrore janë ndaluar për shkak se “nuk kishte më kushte të sigurisë në aeroport”, tha ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian dhe ajo e Mbrojtjes, Florence Parly.

Në deklaratën e lëshuar më 27 gusht, dy ministrat francezë fajësuan “mosangazhimin e shpejt të forcave amerikane”.

Ndaras, Parly shkroi në Twitter se forcat franceze kanë arritur të evakuojnë rreth 3.000 persona, përfshirë 2.600 afganë gjatë dy javëve të fundit.

Po ashtu, avioni i fundit i Italisë u largua nga Kabuli më 27 gusht me 58 civilë afganë në bord.

Ministri italian i Mbrojtjes, Lorenzo Guerini tha se shteti i tij arriti që të evakuojë nga Kabuli 5.011 persona.

Ndërkaq, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se shteti i tij po bisedon me talibanët për t’iu ofruar mbështetje teknike për të mirëmbajtur aeroportin pasi forcat e NATO-s të largohen.

Administrata e presidentit Biden gjerësisht është fajësuar për evakuimin kaotik pas rënies së Qeverisë afgane dhe marrjes së shtetit nga talibanët. Por, Biden vazhdimisht ka mbrojtur vendimin e tij për të tërhequr trupat nga Afganistani, duke i dhënë fund luftës më të gjatë të Amerikës.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG