Ndërlidhjet

Biden: Evakuimi nuk do të ndërpritet për shkak të sulmeve në Kabul


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se sot ishte një "ditë e vështirë" në Kabul dhe se terroristët nuk do të mund ta pengojnë misionin e evakuimit të amerikanëve nga Afganistani.

"Për ata që kryen këtë sulm, si dhe për këdo tjetër që e dëshiron Amerikën të dëmtuar: Ne nuk do të falim. Ne nuk do të harrojmë. Ne do t'ju ndjekim dhe do t'ju detyrojmë të paguani", tha Biden gjatë një paraqitjeje nga Shtëpia e Bardhë në mbrëmjen e 26 gushtit.

Disa njerëz janë vrarë dhe shumë tjerë janë plagosur nga dy sulme vetëvrasëse me bombë që kanë tronditur aeroportin e Kabulit të enjten (26 gusht).

Incidenti ka shtuar kaosin në aeroport disa ditë para datës 31 gusht kur duhet të përfundojë tërheqja e plotë trupave të huaja nga Afganistani.

Kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së, gjenerali, Kenneth McKenzie, tha se 12 ushtarakë amerikanë ishin në mesin e atyre që u vranë. Zyrtarët shëndetësorë në Kabul u cituan të thoshin se 60 civilë u vranë.

Përgjegjësinë për sulmin e mori grupi ekstremist Shtetit Islamik (IS), që në Afganistan vepron si ISIS-K.

"Ne nuk do të pengohemi nga terroristët. Ne nuk do të ndalojmë misionin. Ne do të vazhdojmë evakuimin", tha Biden.

Ai lë të kuptohet se sulmuesit mund të kenë ardhur nga burgjet që u hapën nga talibanët gjatë marrjes së kontrollit të Afganistanit.

Biden tha se e ndjen dhimbjen që kanë familjet e viktimave në Kabul, duke e krahasuar me dhimbjen që ka pasur familja Biden pas vdekjes së djalit të tij, Beau Baiden, pasi kishte shërbyer në Kosovë dhe Irak. Beau Baiden pati vdekur nga sëmundja e kancerit të trurit.

Para se të ndodhnin sulmet, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore i paralajmëruan qytetarët e tyre që të largohen menjëherë nga zonat përreth aeroportit të Kabulit, për shkak të kërcënimeve për një sulm terrorist.

Qëkur talibanët kanë hyrë në Kabul më 15 gusht, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë evakuuar më shumë se 88,000 njerëz.

Kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së, gjenerali, Kenneth McKenzie, tha më herët se rreth 1.000 qytetarë amerikanë vlerësohet të jenë ende në Afganistan.

XS
SM
MD
LG