Ndërlidhjet

Ambasadorja Kim inkurajon gjyqtarët kundër korrupsionit “të rezistojnë”


Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, gjatë vizitës në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, gjatë vizitës në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, u bëri thirrje gjyqtarëve të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), që të “rezistojnë”, pasi tha se kriminelët janë duke e ndierë “presionin”.

Këto komente ajo i bëri më 19 tetor, gjatë vizitës në këtë gjykatë, e cila ende nuk e ka plotësuar numrin e nevojshëm të anëtarëve dhe përballet me një numër në rritje të çështjeve që duhet të gjykojë.

“Vendimet tuaja kanë rritur besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë, u mundësuan partnerëve ndërkombëtarë që të fillojnë sërish t'u besojnë homologëve shqiptarë dhe më e rëndësishmja, u thanë njerëzve të këqij se ligji po funksionon. Shqipëria nuk ka parë kurrë që zyrtarë të tillë të lartë të shpallen fajtorë me vendime përfundimtare”, tha ambasadorja Kim, sipas një njoftimi të Ambasadës amerikane në Tiranë.

Kim po ashtu theksoi se Shqipëria po kalon nëpër një periudhë kritike të reformës në fushën e drejtësisë.

“Kriminelët po e ndiejnë presionin. Kjo do të thotë se përpjekjet e tyre do të jenë edhe më intensive dhe ju duhet të rezistoni. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli shqiptar nuk duan që gjykata të kthehet në mënyrat e vjetra. Le të sigurohemi që ato kohë të mbeten në të kaluarën, njëherë e përgjithmonë”, tha ambasadorja amerikane.

Vizita e ambasadores Kim në GJKKO vjen disa ditë pasi ajo theksoi se është e vetëdijshme për përpjekjet për të joshur apo frikësuar gjyqtarë dhe prokurorë për të shtrembëruar drejtësinë, që të fuqishmit të mos ndëshkohen. Ajo kujtoi se SHBA-ja po i kushton vëmendje të gjitha zhvillimeve dhe do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm zbatimin e reformës në drejtësi.

Më 19 dhjetor të vitit 2019, Gjykatës për Krime të Rënda iu ndryshua emërtimi në Gjykatë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila u ngrit për të gjykuar korrupsionin në nivele të larta.

Por, interesi i gjyqtarëve për t’u bërë pjesë e kësaj gjykate ka qenë i ulët. Nga 16 anëtarë që duhet të ketë kjo gjykatë, aktualisht ka vetëm tetë. Për të ushtruar detyrën në Gjykatën e Posaçme duhet që gjyqtarët të kenë jo më pak se shtatë vjet përvojë pune, të kenë kaluar procesin e vetting-un në formë të prerë, të mos kenë pasur masa disiplinore, por edhe të pranojnë disa kushte si: përgjimin e telefonave të tyre dhe familjarëve dhe kontrollin e llogarive bankare.

Sipas raportit të fundit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i mbështetur nga Ambasada e SHBA-së në Tiranës, në dy shkallët e GJKKO-së janë 13 gjyqtarë nga 27 që do duhej të ishte organika e plotë. Shqetësim përbën fakti se pavarësisht hapjeve të thirrjeve për aplikim, gjyqtarët nuk kanë interes për t’u bërë pjesë e këtyre strukturave, ndërsa numri i dosjeve që mbërrijnë në këtë gjykatë, është në rritje.

XS
SM
MD
LG