Ndërlidhjet

Shqipëria në rrugën e mposhtjes së COVID-19


Shqipëri, foto nga arkivi.
Shqipëri, foto nga arkivi.

Shqipëria vazhdon të përballet me raste të reja të prekura me koronavirus, edhe pse vendi ka filluar të tregojë një trend të uljes së rasteve dhe vdekjeve të shënuara.

Numri i të shëruarve, duket se po mund atë të të infektuarve.

Megjithatë, në 24 orët e fundit, një tjetër person ka humbur jetën, duke e çuar në 27 numrin e viktimave nga virusi vdekjeprurës në vend. Ai ishte një burrë 71-vjeçar i cili ishte prej dy javësh i intubuar dhe vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli në komunikimin e përditshëm me mediat bëri me dije se po vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve në Krujë ku kanë rezultuar 18 raste pozitive, ndërsa rastet e tjera janë 3 në Tiranë, 2 raste në Elbasan, 1 rast në Shkodër, 1 rast në Kurbin.

“Deri në këto momente janë testuar 6,269 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 634 raste”, tha Rakacolli.

Ajo bëri me dije se gjatë 24-orëve të fundit, 11 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 356.

Aktualisht në Shqipëri janë 251 persona të infektuar aktivë.

“Kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave”, tha Rakacolli.

Ajo shtoi se në dy spitalet ku po trajtohen vetëm pacientët me COVID-19, aktualisht po marrin shërbim 40 pacientë.

Në anën tjetër, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta gjatë një konference për media bëri me dije se ka dekretuar ndryshimet në Kodin Penal të propozuara nga qeveria dhe të miratuara nga kuvendi.

Presidenti tha se i është përgjigjur kërkesës së qeverisë për bashkëpunim dhe konsensus për ndryshimet në Kodin Penal, pasi i kishte cilësuar si të nevojshme këto ndryshime në kushtet ku kodi aktual ka boshllëqe të theksuara në këtë pikë.

“Diskutimi i gjerë ka çuar në përmirësime thelbësore të produktit final që është votuar në kuvend. Nisur nga gjendja dhe boshllëku që ka kodi ynë për përhapjen me dashje të sëmundjeve infektive, presidenti vlerëson që iniciativa e qeverisë që shëndeti i njerëzve të garantohet edhe penalisht, duhet mbështetur”, tha presidenti Meta.

Ndryshimi i Kodit Penal ka të bëjë me dënim deri në 15 vjet burgim për personat që thyejnë karantinën dhe përhapin qëllimshëm koronavirusin.

Ashpërsimi i Kodit Penal lidhur me situatën e COVID-19 gjatë këtyre ditëve ka shkaktuar mjaft diskutime, reagime por edhe kundershtime. Organizatat e shoqërisë civile janë kundër ashpërsimit pasi sipas tyre, cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve.

Video: Mjeku kosovar ndihmon të infektuarit në Shqipëri

Tridhjetë organizata i janë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, duke i kërkuar të rrëzojë në parim amendamentet e propozuara nga qeveria, por këto të fundit u miratuan në parlament, dhe tani u dekretuan nga presidenti.

Shqipëria ka konfirmuar dy rastet e para me COVID-19 më 8 mars të 2020, një baba dhe djali i tij që kishin udhëtuar drejt vendit nga veriu i Italisë.

Në të njëjtën ditë qeveria ndaloi fluturimet dhe udhetimet me tragete që vinin nga Italia, dhe nga ajo kohë ka shtuar masat e sigurisë në tentativë për mospërhapje të virusit.

XS
SM
MD
LG