Shqipëria ka shpallur persona të padëshiruar dy shtetas të Maqedonisë së Veriut, Bekim Halimin dhe Valon Belën (i njohur edhe si Valjon Belja).
Nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se vendimi është marrë me urdhër të ministrit Besfort Lamallari dhe dy shtetasve nga Maqedonia e Veriut u është ndaluar hyrja në Shqipëri për një periudhë dhjetëvjeçare.
Ndaj Belës është lëshuar edhe urdhri për dëbim. Sipas Ministrisë së Brendshme, vendimi u mor në bazë të Ligjit për të Huajt, përkatësisht në bazë të një neni që thekson se ministri shpall një shtetas të huaj të padëshiruar kur vepron ose propagandon kundër sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, sigurisë kombëtare, rendit kushtetues dhe rendit e sigurisë publike, dhe kur është anëtar i organizatave terroriste apo përkrah e kryen veprime anarkiste kundër shtetit ligjor.
Valon Bela, analist dhe aktivist politik në Maqedoninë e Veriut, reagoi ndaj vendimit përmes rrjeteve sociale.
Ai tha se shpallja person i padëshiruar është vendim politik, i cili, sipas tij, është marrë në sinkron mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Bela tha se nuk ka kryer asnjë veprim që cenon sigurinë e Shqipërisë dhe e konsideroi masën si përpjekje për të penguar veprimtarinë e tij publike.
Ai tha gjithashtu se është shpallur më herët “non grata” edhe në Serbi, duke e lidhur këtë me qëndrimet e tij kritike ndaj politikave të Beogradit. Bela shtoi se do ta kundërshtojë vendimin përmes rrugëve ligjore.
Gjatë muajit qershor, Bela kishte publikuar në llogarinë e tij në Facebook fotografi nga pjesëmarrja në protestat e quajtura “Revolucioni i Flamingove”.
Në postimet e tij ai ka mbajtur qëndrime kritike ndaj kryeministrit Rama dhe qeverisjes së tij.
Personi tjetër ndaj të cilit është marrë masa e ndalimit për 10 vjet, Bekir Halimi, është teolog shqiptar nga Maqedonia e Veriut, i njohur për ligjëratat dhe aktivitetin e tij fetar në komunitetet shqiptare në Ballkan. Ai ka studiuar në Jordani dhe ka qenë aktiv në botime dhe organizime fetare.
Vendimi ndaj dy shtetasve nga Maqedonia e Veriut vjen në një kohë kur protestat kundër Qeverisë shqiptare kanë hyrë në muajin e tretë. Ato nisën si kundërshtim ndaj projektit të ndërtimit të një resorti në Zvërnec, në jug të Shqipërisë, por më pas morën karakter më të gjerë politik, me kërkesa për ndryshime në qeverisje dhe çështje ekonomike.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më herët ka pretenduar se protestat shoqërohen edhe me ndërhyrje nga jashtë, duke përmendur pjesëmarrjen e qytetarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
“Vijnë njerëz nga Kosova, Maqedonia për të shpëtuar Shqipërinë në emër të shqiptarëve”, ka thënë Rama.
Më 25 qershor, Shqipëria i ndaloi hyrjen për 15 vjet predikueses fetare nga Kosova, Ikballe Huduti, e njohur për qëndrimet e saj pro Iranit dhe kundër Shteteve të Bashkuara. Autoritetet shqiptare e cilësuan atë një kërcënim për sigurinë e vendit. Ajo kishte marrë pjesë në protestat kundër Qeverisë Rama.