Ndërlidhjet

Qytetarët protestojnë, Qeveria shqiptare prezanton “Paketën Sociale”


Pamje të protestës më 12 mars në Tiranë.
Pamje të protestës më 12 mars në Tiranë.

Mijëra qytetarë të Shqipërisë kanë marshuar të shtunën në Tiranë, duke shënuar ditën e katërt të shprehjes së pakënaqësisë për rritjen e çmimeve në vend.

Ata kërkuan përreth dy orë mbrojtjen e shtresave të varfra nga shtrenjtimi i tregjeve, duke hedhur poshtë shpjegimet e Qeverisë se luhatjet e tregut kanë ndodhur si pasojë e luftës në Ukrainë.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Protestues të shumtë thanë se Qeveria po justifikon krizën për shkak të luftës, porse qytetarët janë në krizë të përhershme për shkak të çmimeve të larta që janë të papërballueshme për rrogat e tyre të ulëta.

Protestuesit kundërshtojnë shtrenjtimin e karburanteve dhe ushqimeve, duke i kërkuar Qeverisë mbikëqyrjen e tregjeve.

Fjalën në tubim e morën spontanisht qytetarë të zakonshëm, aktivistë, artistë e fermerë që shprehën zemërimin dhe pasigurinë e tyre përballë shtrenjtimit të jetesës.

Protestat e ditëve të fundit janë organizuar pasi çmimet e naftës në Shqipëri kanë shënuar rritje të hovshme, duke arritur të mërkurën në nivel rekord prej 260 lekësh (2.03 euro) për litër nga 230 lekë për litër (1.80 euro) një ditë më herët.

Teksa protesta vazhdonte në sheshin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë, Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit mori vendimin që nga 12 marsi, çmimi i naftës dhe benzinës do të kushtojë 217 (1.79 euro) lekë, ndërsa çmimi i gazit 93 lekë (0.76 euro).

Qeveria prezanton "Paketën Sociale"

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama prezantoi “Paketën Sociale” ndaj pasojave të krizës globale energjetike si edhe të luftës në Ukrainë mbi çmimet. Ai tha se ndihet i turpëruar që Shqipëria është e vetmja në Evropë që “proteston për pasojat e luftës në Ukrainë”.

“Mua sot më vjen turp që Shqipëria është i vetmi vend i NATO-s dhe i Evropës që protestohet për pasojat e para të luftës në Ukrainë. Vetëm ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë thonë se kërcimi i çmimit të naftës nuk është pasojë e luftës”, tha Rama përmes një paraqitjeje të drejtpërdrejtë në Facebook.

Rama tha se prej muajsh asnjë familje shqiptare dhe asnjë biznes i vogël nuk e paguan vetë faturën e energjisë, porse e ndanë bashkë me Qeverinë.

“Çmimi nga 52 euro për megavatorë në 550 euro për megavatorë tani, Qeveria i bie të paguajë thuajse 80% të energjisë”, tha Rama.

Rama përsëriti që nuk do të ketë heqje të taksës së naftës.

“Taksat e naftës nuk do të hiqen sepse çmimi i energjisë nuk do të rritet”, tha Rama.

Policia në protestat e ditëve të shkuara shoqëroi disa protestues që bllokuan kryqëzime rrugësh në Tiranë. Forcat e rendit thanë se garantojnë protesta paqësore, por nuk do të tolerojnë aktet e dhunshme në dëm të normalitetit urban. Dhjetëra protestues protestuan të shtunën edhe para Drejtorisë së Policisë për të kërkuar lirimin e protestuesve të ndaluar.

Ditëve të kaluara protestat u zhvilluan edhe në qytete tjera të Shqipërisë me kërkesa të njëjta kundër rritjes së çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve.

Në Kukës disa qytetarë bllokuan Rrugën e Kombit; në Lezhë tjetër protestë u zhvillua me bllokimin e një rruge kryesore; në Lushnje u bllokua rrugë e rëndësishme pranë autostradës.

Protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në Korçë, Durrës, Vlorë, Tepelenë, Sarandë e Shkodër, Devoll dhe në të gjithë vendin.

Protesta e 12 marsit u organizua në mënyrë vullnetare nëpër rrjete sociale nga aktivistë të ndryshëm. Ata u zotuan se do të vazhdojnë protestën çdo ditë deri kur kërkesat e tyre të plotësohen.

Tregu i destabilizuar i naftës është pasojë direkte e nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt.

Lufta ka ndikuar në ngritjen e hovshme të kostos së produkteve bazë gjithandej Evropës.

XS
SM
MD
LG