Ndërlidhjet

Autoritetet shqiptare dhe italiane godasin një grup kriminal të dyshuar për trafikim me drogë

Një automjet i Policisë së Shtetit në Tiranë, Shqipëri. (Fotografi nga arkivi)
Një automjet i Policisë së Shtetit në Tiranë, Shqipëri. (Fotografi nga arkivi)

Autoritetet ligjzbatuese shqiptare dhe italiane e kanë goditur një rrjet kriminal të dyshuar për vrasje dhe trafikim ndërkombëtar me droge, duke kryer arrestime dhe sekuestrime gjatë një aksioni të përbashkët të martën.

Gjatë operacionit u arrestuan 10 të dyshuar, ndërsa ndaj pesë të tjerëve u vendosën masa më të lehta, si arrest shtëpiak dhe detyrim paraqitje në stacionin policor. Gjithashtu u sekuestruan të holla të gatshme dhe pasuri të tjera, thanë autoritetet shqiptare.

Operacioni në Shqipëri u krye në qytetet e Tiranës, Vlorës dhe Fierit.

Hetimet ndaj këtij grupi nisën për vrasjes së një shtetasi italian, të quajtur Francesco Diviesti, më 25 prill të vitit 2025, në jug të Italisë.

Anëtarë të rrjetit kriminal shqiptar, me bazë në Tiranë, që u arrestuan në aksionin e së martës, janë të dyshuar për këtë vrasje.

Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK), Klodian Braho, tha të martën në konferencën për mediat tha se është sekuestruar pasuri që dyshohet se ishte fituar përmes veprimtarisë kriminale nga anëtarët e grupit të goditur.

Një element i rëndësishëm i gjithë operacioneve të përbashkëta, është jo vetëm goditja e krimit të organizuar, por dhe goditja e pasurive që kanë rrjedhur nga aktiviteti i trafikimit të lëndëve narkotike”, tha Braho.

Ai tregoi se janë sekuestruar rreth 1 milion euro para të gatshme, 8 automjete e 10 llogari bankare.

Anëtarët e këtij grupi akuzohen për vrasje me paramendim, të kryer duke përdorur metoda mafioze të ekzekutimit, tentativë zhvatjeje, trafik droge, shpëlarje parash në Shqipëri dhe Itali.

Njëmbedhjetë prej anëtarëve të këtij grupi janë shqiptarë, ndërsa katër janë italianë. Masa sigurie janë vendosur edhe për 4 gra.

Operacioni i së martës është pjesë e një projekti hetimor shumëvjeçar mes SPAK-ut dhe Drejtorisë Antimafia të Barit dhe pason katër operacione të tjera të këtij lloji të zhvilluara mes dy institucioneve.

SPAK-u bëri të ditur se nga viti 2018 deri në 2025, këto operacione kanë çuar në vendosjen e 170 masave të sigurisë, sekuestrimin e pasurive në vlerën e miliona eurove dhe kapjen e mbi shtatë tonëve drogë, kryesisht kokainë dhe heroinë.

Prokurori italian Giuseppe Gatti tha se hetimet kanë treguar se organizatat kriminale shqiptare janë ndër më të shpërndarat dhe më të fortat në Bashkimin Evropian.

“Realiteti tregon një nivel shumë të lartë kriminaliteti të strukturave shqiptare, të cilat kanë rol kryesor në narkotrafikun ndërkombëtar. Funksionojnë si grupe tipike mafioze: një person merret, dërgohet në një vend të izoluar, vritet dhe më pas trupi digjet. Këto janë ndër format më të tmerrshme të dhunës që përdoren për të treguar forcën e tyre. Grupet shqiptare shfaqin tipare të qarta mafioze, si në kodet e sjelljes, ashtu edhe në lidhjet familjare e kriminale”, tha prokurori italian.

Autoritetet shqiptare kanë deklaruar se gjatë vitit 2025 janë sekuestruar më shumë se 61 milionë euro pasuri të krimit.

XS
SM
MD
LG