Ndërlidhjet

Tirana dhe Londra ndajnë paratë nga pasuritë e konfiskuara të krimit

Policë në Shqipëri. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Policë në Shqipëri. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar njoftuan se një marrëveshje për ndarjen e pasurive nga krimi, ka dhënë rezultatin e parë konkret, pasi dy shtetet do të ndajnë mijëra paund të përfituara nga rrjetet kriminale.

Kjo marrëveshje është e para e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor, që u arrit muajin e kaluar, por u bë publik vetëm sot.

“Marrëveshja lidhet me një çështje penale të përfunduar, për komplot për furnizimin me kanabis të grupeve të krimit të organizuar në juridiksionin e Anglisë dhe Uellsit. Pas përpjekjeve për rikuperimin e pasurive nga autoritetet britanike dhe shqiptare që punuan së bashku, të ardhurat nga krimi u identifikuan dhe u rikuperuan me sukses në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara në Shqipëri (AAPSK).

Ndërkaq, Ambasada britanike në Tiranë tha përmes një njoftimi të ndarë se marrëveshja fillestare mbulon rreth 54 mijë paund pasuri të paluajtshme të rikuperuara, të cilat do të ndahen në mënyrë të barabartë mes dy vendeve.

Autoritetet e konsiderojnë marrëveshjen një instrument të ri në luftën kundër krimit të organizuar, duke synuar që të ardhurat e veprimtarisë kriminale të gjurmohen dhe të rikuperohen edhe përtej kufijve.

Sipas tyre, marrëveshja dërgon një mesazh të qartë se institucionet e dy vendeve do të ndjekin pasuritë e krijuara nga krimi i organizuar dhe do të bashkëpunojnë për identifikimin dhe rikuperimin e tyre. Pasuritë e rikuperuara mund të përdoren më pas për qëllime në të mirë të shoqërisë në të dy vendet.

Marrëveshja ishte firmosur në Tiranë më 13 korrik nga ambasadori britanik në Shqipëri, Nicholas Abbott, dhe drejtuesja e AAPSK-së, Risena Xhaja, ndërsa u bë publik vetëm të mërkurën e 26 gushtit.

Ambasada britanike thekson se vetëm gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, vlera e pasurive të sekuestruara në Shqipëri kapi shifrën e 58 milionë eurove, ndërsa u regjistruan mbi 1.000 raste sekuestrimi dhe konfiskimi të pasurive të paluajtshme.

Marrëveshja e re për ndarjen e pasurive të rikuperuara nga krimi është pjesë e një bashkëpunimi të zgjeruar mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm.

Ky bashkëpunim u konkretizua në dhjetor 2022, kur kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe kryeministri i atëhershëm britanik, Rishi Sunak nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila parashikonte forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe krijimin e një task force të përbashkët në nivelin e ministrive të Brendshme. Task Forca kishte në fokus parandalimin e migracionit të paligjshëm, goditjen e rrjeteve kriminale dhe forcimin e bashkëpunimit mes autoriteteve ligjzbatuese. Ajo u krijua në maj 2023 dhe u bë plotësisht operative në gusht të po atij viti, duke përfshirë përfaqësues të Policisë së Shtetit të Shqipërisë, autoriteteve britanike të emigracionit dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit.

Në nëntor 2023, dy vendet zgjeruan më shumë bashkëpunimin përmes një deklarate bashkëpunimi për çështjet e brendshme, që përcaktoi katër fusha prioritare: financat e paligjshme, korrupsionin, narkotikët dhe krimin e organizuar të lidhur me migracionin.

Në fushën e financave kriminale, palët u angazhuan për forcimin e shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit operacional, si dhe për rritjen e aftësive për hetimin, ndjekjen penale dhe rikuperimin e pasurive të përfituara nga krimi. Mbretëria e Bashkuar vijon mbështetjen për forcimin e kapaciteteve shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe përdorimit të kriptovalutave nga rrjetet kriminale.

XS
SM
MD
LG