Ndërlidhjet

Afaristët kundërshtojnë shtyrjen e regjistrimit


Shkup, foto nga arkivi.
Shkup, foto nga arkivi.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pritet të miratojë propozim-ligjin për shtyrjen e procesit të regjistrimit të popullsisë për në vjeshtë. Ky proces fillimisht ishte paraparë që të niste më 1 prill dhe të përfundonte më 21 prill.

Por, afaristët u kanë bërë thirrje deputetëve, që ky proces i rëndësishëm statistikor për ekonominë e vendit, të mos shtyhet, pasi siç thonë ata, mungesa e të dhënave të sakta po iu pamundëson marrjen e vendimeve të duhura, veçanërisht tani, kur po përballen edhe me krizën e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Afaristët thonë se shtyrja e regjistrimit paraqet një goditje shtesë për ekonominë e Maqedonisë së Veriut, pasi mungesa e të dhënave të sakta, është një nga pengesat në planifikimin e mirëfilltë makroekonomik dhe zhvillimit të ekonomisë në përgjithësi.

Drejtori i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Drilon Iseni, thotë për Radion Evropa e Lirë se shtyrja e regjistrimit do të pamundësojë hartimin e një strategjie të mirëfilltë për rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Me regjistrimin e popullsisë bëhet evidenca më e përgjithshme e gjendjes faktike, evidenca se çfarë fuqie punëtore kemi, çfarë profile profesionesh disponojmë, në çfarë forme funksionojnë amvisëritë, cilat qytete çfarë fuqie punëtore kanë... Krejt këto të dhëna janë shumë të rëndësishme për bërjen e planeve zhvillimore që do të prodhojnë rezultate”, thotë Iseni.

Afaristi Mirçe Çerkerxhi, njëherësh ish-kryetar i Lidhjeve të Odave të Maqedonisë, thotë për REL-in se regjistrimi i popullsisë në asnjë mënyrë nuk rrezikon shëndetin e qytetarëve, ashtu siç thonë zyrtarët shtetërorë që po përkrahin shtyrjen e këtij procesi. Ai shton se mungesa e të dhënave të sakta do të pamundësojë shpërndarjen e mjeteve në mënyrë të duhur dhe rrjedhimisht do të pamundësojë marrjen e vendimeve të duhura.

“Pa numra të saktë nuk mund të bëni projeksione të besueshme për zhvillimin e ekonomisë, veçanërisht në këtë situatë kur çdo parametër është i rëndësishëm, në mënyrë që të gjendet një rrugë për të dalë nga kriza. Mungesa e numrave pamundëson edhe realizimin e biznes-planeve, ku me saktësi do të dihej se ku investohen paratë dhe për çfarë arsye”, thotë Çekrexhi.

Ndërkaq, Iseni thekson se duhet të lihen anash kalkulimet politike, pasi mungesa e të dhënave, që dalin nga procesi i regjistrimit, po pamundëson zhvillimin e barabartë rajonal.

Afaristët theksojnë se ideja që regjistrimi të shtyhet deri në shtator, nuk është garancë se atëherë vendi do të ketë një situatë më të mirë epidemiologjike.

Maqedonia e Veriut tashmë ka filluar procesin e regjistrimit të diasporës, i cili pritej të pasohej nga regjistrimi i popullsisë brenda vendit. Por, kreu i qeverisë, Zoran Zaev u dakordua me liderin e opozitës maqedonase, Hristijan Mickoskin që ky proces të shtyhej në shtator. Këtë gjë e mbështeti edhe partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Kundër shtyrjes së regjistrimit është shprehur opozita shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Maqedonia e Veriut regjistrimin e fundit e ka mbajtur më 2002.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG