Ndërlidhjet

Shumë punë e pak shtesa për punëtorët shëndetësorë


Infermierët në Klinikën Infektive në Prishtinë më 26 gusht

"Jemi duke punuar pa ndalur, në kushte e rrethana të vështira që i kemi me pandeminë, vetëm për t'iu dalë në ndihmë personave që kanë nevojë për mjekim në spitale...".

Kështu e nis rrëfimin e saj kryeinfermierja në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, Lirije Beqiri.

Në Kosovë, të mërkurën u konfirmuan 14 viktima nga koronavirusi dhe 2,541 raste të reja. Më 26 gusht, 1,116 pacientë me koronavirus ishin të shtrirë në klinikat dhe spitalet e përgjithshme.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit të mbajtur të mërkurën (25.08.2021) ka ndarë 2.7 milionë euro, si mbështetje për stafin mjekësor në sektorin publik, apo pagesë shtesë prej 10 për qind të pagës bazë, jo më pak se 60 euro, për muajt gusht, shtator dhe tetor të vitit 2021.

Zbatimi i kësaj mase, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, “ёshtё tejet i rёndesishёm nё vazhdёn e luftimit tё pandemisё, veçanërisht tani kur vendi ёshtё nё fazёn e vaksinimit masiv”.

Kryeinfermierja Beqiri, thotë se nuk po ndihen të vlerësuar e as të stimuluar, nga institucionet e vendit, për punën që po bëhet nga ta.

Beqiri thotë se për shkak të rritjes së rasteve të personave të prekur nga COVID-19, personelit shëndetësor u është ndërprerë pushimi vjetor dhe kanë dalë në punë.

"Çdo gjë që kërkohet nga infermieret, bëhet. Nëse kërkohet të shtohet orari i punës, bëhet. Nëse kërkohet të pezullohen pushimet, pezullohen, nëse kërkohet të ndërrohet vendi i punës, bëhet. Gjithçka çka është në të mirën dhe në shërbim të njerëzve tanë, asnjëherë infermieret nuk kanë kundërshtuar", tha Beqiri.

Ajo tha se aktualisht në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), ka mungesë të infermiereve dhe se kjo situatë ka bërë që të ketë shtim të punëve për personelin shëndetësor.

"Nuk posedojmë as norma, nuk e dimë se sa pacientëve duhet t'iu shërbejë një infermier - një, dhjetë apo pesëmbëdhjetë. Kjo është një pikëpyetje e madhe", tha ajo.

"Ajo shtesa e ndarë nga qeveria 60 euro, më duket se kaq ishte... Me të vërtetë më ka ardhur jashtëzakonisht keq. Nuk do koment", tha Beqiri.

Vetëm në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, janë të punësuar mbi 2,000 infermierë të profileve të ndryshme.

Shefi i Klinikës së Anesteziologjisë, Rexhep Gjyliqi, tha për Radion Evropa e Lirë, se shuma e mjeteve shtesë të ndara nga qeveria për stafin shëndetësor, nuk është asgjë në krahasim më punët që bëhen. Ai thotë se pavarësisht shumës se vogël të mjeteve të ndara, puna në spitale nuk do të ndalet.

"Ndarja e mjeteve për punën shtesë për COVID-19 që e kemi, është ofenenduese, 10 për qind e pagës bruto që e kemi që i bije diku 60 euro. Unë mendoj që është mirë që komuniteti shëndetësor, as të mos i pranojë ato se nuk çon peshë një shumë e tillë në mirëqenien e asnjë personi që është në shëndetësi. Ne, gjatë orarit të punës dhe kujdestarisë që e kemi 24 orë, besoj që ndoshta gjysmën e asaj shume e harxhojmë në një kujdestari për ushqime, ujë e mjete higjenike", tha Gjyliqi.

Edhe Federata Sindikale e Shëndetësisë (FSSH) e ka quajtur skandaloz vendimin e Qeverisë së Kosovës, për rritjen e pagës prej 10 për qind të pagës bruto, për tre muaj për punëtorët shëndetësorë.

Blerim Syla, kryetar i kësaj sindikate, vendimin e qeverisë e quan ofendues për personelin shëndetësor.

“Ata kanë shkelur ligjin, ata nuk kanë dhënë shtesat edhe ato minimale nga muajt e parë, qershorin dhe korrikun dhe tash në prag të zgjedhjeve lokale kinse marrin vendime. Unë personalisht po mendojë që shumica e punëtoreve e mendojnë këtë. Do të ishte më e rrugës që mos t'i japim këto shtesa fare dhe mos të dalin në sy të popullit, se kinse po japin shtesa për punëtorët shëndetësorë", tha Syla për Radion Evropa e Lirë.

Syla shtoi se ky vendim është demotivues për punëtorët shëndetësorë.

“Vetëm po e paralajmërojë se shtatori nuk do të jetë i qetë sa i përket anëtarëve të FSSH-së. Se çfarë vendime do të marrim nuk e di, por e di që vendimet do të jenë mjaft radikale, por duke pasur kujdes në ruajtjen e popullatës dhe shëndetit të tyre”, tha ai.

Për shkak të rritjes së numrit të personave të infektuar me COVID-19, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), ka ndërprerë dhënien e disa shërbimeve spitalore jourgjente në sallat kirurgjike.

Në vendet e rajonit ka pasur rritje të pagës për punonjësit shëndetësorë

Punonjësit shëndetësorë të përfshirë në mënyrë direkte në trajtimin e personave të sëmurë me COVID-19, janë shpërblyer nga qeveria e Maqedonisë së Veriut me nga 30 mijë denarë apo 500 euro, në muajin dhjetor të vitit 2020.

Vendimi ka përfshirë rreth 7,600 punonjës shëndetësorë, mjekë specialistë dhe infermierë. Punonjësit e Qendrave të Shëndetit Publik si dhe të gjithë anëtarët e Shërbimit të Urgjencës Mjekësore, ndërkohë janë shpërblyer me nga 20 për qind të pagës për muajt prill dhe maj.

Në shkurt të vitit 2020, pagat e mjekëve të përgjithshëm kanë arritur në gati 1000 euro, të mjekëve specialistë në rreth 1,100 euro ndërsa pagat e infermierëve deri më 800 euro.

Në Serbi, Ministria e Shëndetësisë, në mars 2020, ka marrë një vendim me të cilin institucioneve shëndetësore u kërkonte që për mjekë, infermierë dhe teknikë të përfshirë në parandalimin e përhapjes së koronavirusit, t'u jepen kontrata të punës të përhershme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG