Millo Gjukanoviq, i cili ka udhëhequr Malin e Zi me dekada, qoftë nga zyra e presidentit, qoftë nga ajo e kryeministrit, ka qenë mjeshtër i ndryshimit.
Ai e ka transformuar veten nga një komunist në një liberal, nga një aleat i presidentit të dikurshëm serb, Sllobodan Millosheviq, në njeriun që ka udhëhequr vendin e tij drejt ndarjes nga Serbia dhe anëtarësimit në NATO.
Si një nga dy evropianët që kanë dominuar politikat e vendeve të tyre më gjatë se Vladimir Putini i Rusisë, Gjukanoviqi ka qenë kryeministër i Malit të Zi gjashtë herë dhe president një herë. Ai ka mbajtur pushtetin me ndërprerje të shkurtra qysh në vitin 1991.
Tani, duke përdorur recetën e tij të populizmit dhe patronazhit, ai pritet t’i fitojë zgjedhjet presidenciale më 15 prill.
“Gjukanoviq ka qenë më shumë i aftë dhe më pak ideologjik se shumica e politikanëve të tjerë në rajon, çfarë i ka lejuar të riformësojë agjendën e tij dhe politikat sipas ndikimit mbizotërues”, thotë Florian Bieber, ekspert për Ballkanin në Universitetin e Gracit.
Gjukanoviqi është bërë fytyra e një brezi të ri si pjesë e një grupi të komunistëve të rinj, që ka tërhequr vëmendjen e malazezëve të lodhur nga një gjeneratë e vjetër e politikanëve, që kanë dalë pas vdekjes së liderit jugosllav, Josip Broz Tito, më 1980.
Ai është bërë kryeministri më i ri në Evropë më 1991, kur ka qenë vetëm 29 vjeç. Atë vit, ai ka mbështetur aksionin e ushtrisë jugosllave kundër Kroacisë, duke u lejuar forcave malazeze të marrin pjesë në rrethimin dhe bombardimin e Dubrovnikut dhe në shkatërrime të tjera në ish-republikën jugosllave.
Më vonë, përkatësisht më 1998, kur e ka parë se kah çojnë politikat e Millosheviqit, Gjukanoviqi u është kthyer reformave pro-evropiane, edhe pse vendi i tij ka mbetur në një shtet me Serbinë.
Largimi nga aleatët lindorë i Malit të Zi ka kulmuar vitin e kaluar, kur ky vend është bërë anëtar i NATO-s, me gjithë protestat e opozitës dhe të Rusisë.
Zyrtarët malazezë thonë se në prag të pranimit në NATO, nacionalistët serbë dhe rusë kanë bërë komplot për të pushtuar Parlamentin në Podgoricë gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2016-s, për të vrarë kryeministrin e atëhershëm, Gjukanoviq, dhe për të instaluar një lidership pro-rus.
“Gjukanoviqi e ka kuptuar rëndësinë e legjitimitetit të jashtëm, e të qenët bashkëbisedues i besueshëm i partnerëve të huaj, sidomos Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Duke ndjekur një politikë të marrëdhënieve të mira me fqinjët, ai ka marrë vlerësime nga jashtë dhe është parë si burimi i stabilitetit”, thotë analisti Bieber për Radion Evropa e Lirë.
Derisa Kremlini i ka mohuar pretendimet se "organet shtetërore ruse" kanë qenë të përfshira në komplotin e dyshuar, 14 të dyshuar në këtë rast janë aktualisht në gjyq në Podgoricë.
Vëmendja e Gjukanoviqit nuk është fokusuar vetëm jashtë vendit.
Ai ka bërë politika të shkathëta edhe brenda Malit të Zi, duke ndarë opozitën reformiste dhe nacionaliste serbe.
“Gjukanoviq, thjesht, ka qenë në gjendje ta shesë veten më mirë se opozita, e cila kërkon lidhje më të mira me Rusinë, është kundër NATO-s, është euro-skeptike”, thotë Vera Stojarova, profesoreshë në departamentin e shkencave politike në Universitetin Masaryk të Çekisë.
Edhe pse mbetet i popullarizuar, Gjukanoviqi ka edhe armiq që thonë se ai nuk ka pasur kurrë ideologji të qëndrueshme.
Gjukanoviqi, po ashtu, është përballur me akuza të përsëritura për parregullsi, siç janë frikësimi i votuesve dhe blerja e votave.
Facebook Forum