Ndërlidhjet

Siguria publike në Kosovë është në trend të përkeqësimit, thonë ekspertë të çështjeve të sigurisë, përderisa autoritetet e rendit vlerësojnë se gjendja e sigurisë mbetet stabile.

Pasiguria e publike, sipas ekspertëve të sigurisë po kërcënohet nga krime të ndryshme që po ndodhin në vend.

Ditë më parë në rrethana ende të pasqaruara nga autoritetet e rendit, në një lagje të kryeqytetit është gjetur i vrarë me armë zjarri një 16-vjeçar.

Ndërkohë, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë këtij viti në Kosovë janë evidentuara 15 raste të vrasjeve.

Me qëllim që të luftohen krimet e ndryshme, ekspertë të çështjeve të sigurisë theksojnë nevojën serioze për ndërmarrjen e hapave konkret për trajtimin e sigurisë publike në vend.

Eksperti për çështje të sigurisë nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë - SPRC, Burim Ramadani, thotë për Radion Evropa e Lirë se siguria publike duhet të fillojë të trajtohet përmes një bashkëpunim në mes nivelit qendror, nivelit komunal, policisë, lagjeve dhe komunitetit.

“Tek Policia e Kosovës është domosdoshmëri zbatimi i plotë dhe i suksesshëm i policit në bashkësi, afrimin e zyrtarit policor me lagjen, respektivisht të funksionalizohet ajo që quhet polici i lagjes. Patjetër, duhet të investohet në vendosjen e kamerave, në rritjen e bashkëpunimit mes komunitetit, institucioneve lokale dhe Policisë së Kosovës”, thekson Ramadani.

Ndërkohë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha tha për Radion Evropa e Lirë se situata e përgjithshme e sigurisë në vend është e qetë dhe stabile.

Ai thotë se në vazhdimësi kanë ndërmarrë veprime konkrete për parandalimin e rasteve që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme, jetës së qytetarëve apo që mund të çojnë tek kryerja e akteve të tilla kriminale.

“Në aspektin e parandalimit përveç Policisë duhet luajtur rolin e tyre edhe akterët tjerë të cilët kanë obligime institucionale dhe shoqërore në funksion të edukimit, vetëdijesimit dhe senzibilizimit të shoqërisë lidhur me pasojat që mund të vijnë nga aktivitetet e dyshimta dhe veprimet e kundërligjshme në përgjithësi”, tha Hoxha.

Sipas Hoxhës, Policia e Kosovës ka arritur që viteve të fundit të zbulojë mbi 75 për qind të rasteve të vrasjeve që kanë ndodhur.

Disa raste të vrasjeve, shton ai, janë me kryes të njohur, kurse disa nga rastet janë në proces hetimor.

Siguria publike në Kosovë, ndërkohë, thonë ekspertë të sigurisë, përveç tjerash po kërcënohet edhe nga armët pa leje.

Burim Ramadani vlerëson se për të rritur nivelin e sigurisë publike duhet bërë largimi i këtyre armëve ilegale nga duart e qytetarëve, luftimin e narkotikëve, pasi që, siç thotë ai, në shumë raste narkotikët kthehen në motivin kryesor të vjedhjes, plaçkitjes apo edhe sulmeve fizike.

Trendi i sigurisë publike nuk është në përmirësim. Për të rritur sigurinë publike përveç tjerash duhet të bëhet ndriçimi publik. Këto elemente janë më të paktat që duhet bërë dhe mund të bëhen për të rritur sigurinë në bashkësi publike duke përfshirë këtu edhe sigurinë në komunikacionin rrugor, ku Kosova në këtë vit ka shënuar rekord të aksidenteve në trafik”, tha Ramadani.

Kurse zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha tha se në vit mesatarisht konfiskohen deri në 1500 armë pa leje.

“Duke marrë parasysh që bartja apo posedimi i paligjshëm i armëve përbën një nga rreziqet potenciale të rritjes së pasigurisë për qytetarët e vendit, Policia e Kosovës mesatarisht çdo vit konfiskon nga 1200 deri 1500 armë ilegale të llojeve të ndryshme”

“Vetëm në këtë periudhë të këtij viti, pra nga janari deri më tani Policia e Kosovës ka konfiskuar mbi 800 armë dhe mjete tjera të rrezikshme që mund të cenojnë shëndetin dhe jetën e njerëzve”, thotë Hoxha.

Institucionet e Kosovës nuk kanë shifra të sakta për numrin e armëve ilegale të cilat mund të jenë në duart e qytetarëve.

Për këtë janë vetëm disa të dhëna të vitit 2008 të organizatave ndërkombëtare, ku ishte thënë se numri i armëve pa leje në Kosovë arrin në 300 mijë.

Bazuar në këtë numër, pavarësisht konfiskimeve të armëve nga Policia, vit pas viti, besohet se përqindja e qytetarëve që posedojnë armë ilegale mbetet e lartë.

Po ashtu, ndër veprimet që cilësohen si kërcënim për sigurinë publike janë edhe vjedhjet, shtimi i rasteve të dhunës nëpër institucione arsimore si dhe shkeljet e vazhdueshme të Ligjit për komunikacionin që përfundojnë me aksidente, qoftë me fatalitet apo lëndime të njerëzve.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG