Ndërlidhjet

Të jetosh pa lëvizur nga një plumb qorr...


Të jetosh pa lëvizur nga një plumb qorr...
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:03 0:00

Të jetosh pa lëvizur nga një plumb qorr...

Asllan Uka ka 12 vjet që jeton si person me nevoja të veçanta. Ishte një plumb qorr që atij ia ndryshoi jetën. Ngjarja e dhimbshme për të, ndodhi në një aheng familjar, ku Asllani ishte mysafir dhe u plagos nga një person, i cili po ashtu ishte pjesëmarrës në atë aheng.

Ai ishte 47-vjeçar kur plumbi ia dëmtoi atij unazën e katërt të boshtit kurrizor dhe prej atëherë ka mbetur i palëvizshëm.

Uka jeton afër qytetit të Vushtrrisë në fshatin e quajtur Bajskë, me bashkëshorten dhe katër fëmijët e tij, nga të cilët tashmë është i varur, pasi nga ajo kohë mbeti edhe pa punë.

Para vitit 2005, kur ishte plagosur, ai ka punuar me biznes dhe ndërtimtari.

“Aksidenti ka ndodhur në moshën 47-vjeçare,më 17 korrik 2005. Kjo ka ndodhur aksidentalisht, por që mua ma ka ndryshuar jetën 100 për qind. Kam mbetur me nevoja të veçanta, në karrocë dhe jam i varur nga të tjerët. Prej kohës kur ka ndodhur aksidenti, për fat të keq unë asnjëherë nuk kam mundur të punësohem, edhe pse kam qenë i aftë për ndonjë punë’’.

“Lëndimi im si natyrë e shtyllës kurrizore, e unazës së katërt, aty ku edhe më ka rënë plumbi, nuk lejon që unë të eci dhe kam mbetur në karrocë. Mjekët e kanë bërë të pamundurën, por ky ka qenë fati im”, tregon Uka.

Ai e përshkruan momentin dhe ndjenjën kur e kuptoi se nuk do të mund të ecte më:

“Kur unë e kam kuptuar që jam plagosur dhe e kam pa që këmbët e mia më janë mpirë, në po atë moment e kam kuptuar situatën. Në ato momente kam menduar a po shpëtoj apo po vdes. Pasi mbijetova, mbeta në këtë gjendje dhe duhet të pajtohesha me fatin e keq që më ka sjell jeta”.

Asllan Uka thotë se personi që e ka plagosur, nuk është privuar nga liria, por ka paguar një shumë të vogël parash dhe ka jetuar i lirë.

“Personi që më ka plagosur është mbajtur vetëm 24 orë në paraburgim dhe ka paguar një gjobë prej 3 mijë eurosh. Më pas është liruar. Ka jetuar i lirë, pa asnjë problem. Ai tash është i ndjerë, para dy vjetësh ka ndërruar jetë”.

“Unë kam një porosi, që në Kosovë të ketë sa më shumë ahengje, dasma, gëzime, por të festojmë me zemër dhe jo me armë. Nuk jam unë i vetmi që ka pësuar nga arma në dasma. Ka shumë të tillë. Andaj, ka rrezik që në këtë gjendje që kam mbetur unë, të mbesin edhe njerëz të tjerë’’, thotë më tej Uka.

Institucionet e Kosovës nuk kanë shifra të sakta për numrin e armëve ilegale, të cilat mund të jenë në duart e qytetarëve.

Për këtë janë vetëm disa të dhëna të vitit 2008 të organizatave ndërkombëtare, ku ishte thënë se numri i armëve pa leje në Kosovë arrin në 300 mijë.

Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës thotë se sipas informatave zyrtarë që kanë nga rajonet policore në gjithë Kosovën, për muajt qershor, korrik dhe gusht 2017, kur edhe fluksi i ahengjeve është i madh, kanë qenë 35 intervenime në dasma ku është shtënë me armë zjarri, derisa lëndime kanë pësuar 12 persona.

“Janë konfiskuar rreth 40 armë të llojeve të ndryshme dhe mbi 70 copë municione të ndryshme. Në kuadër të fushëveprimit të angazhimeve të Policisë së Kosovës hyn edhe implementimi i planifikimeve operacionale në funksion të zvogëlimit, parandalimit dhe intervenimit gjatë të shtënave në dasma dhe ahengje”.

“Gjatë këtyre intervenimeve nëpër ahengje apo dasma të ndryshme, Policia ka arrestuar 30 persona dhe ndaj tyre janë zhvilluar procedurat policore në bazë të ligjeve të aplikueshme në vend”, bën të ditur Hoxha.

Ai shton se duke marrë parasysh që bartja apo posedimi i paligjshëm i armëve përbën një nga rreziqet potenciale të rritjes së pasigurisë për qytetarët e vendit, Policia e Kosovës mesatarisht çdo vit konfiskon nga 1200 deri 1500 armë ilegale të llojeve të ndryshme.

“Vetëm në këtë periudhë të këtij viti, pra nga janari deri më tani, Policia e Kosovës ka konfiskuar më shumë se 800 armë dhe mjete tjera të rrezikshme që mund të cenojnë shëndetin dhe jetën e njerëzve”, thekson Hoxha.

Ekspertët për çështje të sigurisë kanë thënë tashmë disa herë se siguria publike duhet të fillojë të trajtohet nëpërmjet një bashkëpunimi nga niveli qendror, niveli komunal, policia, lagjet dhe komuniteti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG