Ndërlidhjet

SIPA dhe EUROPOL-i në aksion kundër kontrabandës së armëve, i dyshuari qëllon veten në kokë

 Anëtarët e SIPA-s. Fotografi nga arkivi.
Anëtarët e SIPA-s. Fotografi nga arkivi.

Një person i dyshuar për përfshirje në një rrjet ndërkombëtar të kontrabandimit me armë, është plagosur rëndë pasi e ka qëlluar veten në kokë gjatë një kontrolli policor në Bosnje e Hercegovinë mbrëmjen e së mërkurës.

Radio Evropa e Lirë mëson nga burime se aksioni po zhvillohet nga zyrtarët e Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje të Bosnje e Hercegovinës (SIPA), me mbështetjen e EUROPOL-it.

I dyshuari punonte në lëshimin e lejeve për armë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kantonit të Sarajevës, përkatësisht në Drejtorinë Policore në Ilijash, ku edhe ndodhi incidenti.

Kontrollet po zhvillohen në disa lokacione në Bosnje e Hercegovinë, me urdhër të Prokurorisë dhe të Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës.

Hetimi lidhet me një zinxhir ndërkombëtar të kontrabandës së armëve. Hetuesit dyshojnë se armët përfundonin në rrjete kriminale në Evropë dhe më pas përdoreshin në disa vepra të rënda penale në vendet e Bashkimit Evropian.

Aksioni po zhvillohet në bashkëpunim me EUROPOL-in, ndërsa priten më shumë hollësi pas autoritetet të kenë bërë njoftim zyrtar.

REL-i mëson jozyrtarisht se rasti lidhet me armë të kontrabanduara që më vonë janë përdorur në disa incidente të dhunshme dhe vrasje në vendet e BE-së, përfshirë Suedinë.

Hetimi lidhet gjithashtu me rrjetin kriminal Foxtrot, të cilin autoritetet e lidhin me Rawa Majidin, i njohur me nofkën “Dhelpra kurde”.

Autoritetet amerikane dhe britanike kanë vendosur sanksione ndaj rrjetit Foxtrot dhe Majidit. Sipas tyre, përveç trafikimit të drogës dhe armëve, rrjeti është përdorur edhe për operacione të kryera në interes të regjimit iranian kundër objektivave izraelite dhe hebraike në Evropë, si dhe kundër kundërshtarëve të regjimit dhe kritikëve të Teheranit.

XS
SM
MD
LG