Ndërlidhjet

Shtetet amerikane thonë se sistemi i votimit ishte sulmuar nga rusët

  • RFE /RL

Ilustrim

Qeveria amerikane mbrëmë i ka njoftuar 21 shtete se sistemi i tyre votues ishte sulmuar nga hakerët gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar, ndërsa disa shtete, ku gara ishte shumë e paqartë, thanë se hakerët ishin të lidhur me qeverinë e Rusisë.

Uiskonsin, Ohajo, Kolorado dhe Minesota, ku kandidatja demokrate, Hillary Clinton, ka humbur në disa raste vetëm për pak mijëra vota ndaj kandidatit të atëhershëm republikan, Donald Trump, ishin në mesin e shteteve që i fajësojnë hakerët rusë.

Agjencia AP ka raportuar se shtetet e tjera, si Florida, Pensilvania dhe Virxhinia, po ashtu, ishin në shënjestër të hakerëve.

Alabama dhe shteti i Uashingtonit, që janë në mesin e shumicës së 21 shteteve ku kishin ndërhyrë hakerët, po ashtu kanë thënë se ishin sulmuar nga rusët.

Sipas shteteve dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara, asnjëri prej rasteve të përpjekjeve të hakerëve nuk kishte pasur sukses në depërtimin në sistemin votues ose në sigurimin e informacioneve të ndjeshme për votuesit, që do të thotë se përpjekjet e hakerëve asnjëherë nuk kishin arritur në pikën, në të cilën ata do të kishin ndikim në rezultatin e zgjedhjeve.

“Mbetet se nuk ka dëshmi se rusët e kanë ndryshuar një votë ose e kanë ndryshuar një regjistrim”, tha Judd Choate, president i Asociacionit Kombëtar të Drejtorëve të Zgjedhjeve Shtetërore të Shteteve të Bashkuara.

Rusia i ka hedhur poshtë akuzat se ka pasur çfarëdo përpjekjeje për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane, ndërsa ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se “askush ende nuk ka paraqitur një fakt të vetëm ndokund”, që i mbështet akuzat për përzierje.

Departamenti i sigurisë së brendshme të Shteteve të Bashkuara publikisht nuk ka thënë se kush ishin hakerët.

Por, administratori i Komisionit Zgjedhor në Uiskonsin, Michael Haas, tha se departamenti u ka thënë shteteve privatisht se “aktorët kibernetikë të qeverisë ruse” i kishin marrë në shënjestër sistemet e regjistrimit.

Zoti Haas tha se i ishte thënë se qeveria ruse i kishte testuar sistemet zgjedhore për dobësi eventuale, me shpresë se do të arrinte të kishte qasje në bazën e regjistrimit, por nuk kishte pasur sukses.

Uiskonsin ishte njëri prej pak shteteve në pjesën veriore të Shteteve të Bashkuara, që i ka ndihmuar Donald Trumpit për ta fituar presidencën, meqë i kishte pasur 22,748 vota më tepër ose afro 0.8%.

Sipas Departamentit për siguri të brendshme, në shumicën prej 21 shteteve, në njoftimet për përpjekje për sulm kibernetik, thuhet se kishin monitoruar vetëm “aktivitet paraprak” nga hakerët. Vetëm në një numër të vogël të rrjeteve kishin “depërtuar” hakerët.

Vetëm shteti Ilinois kishte raportuar se hakerët me sukses kishin depërtuar në sistemin e votimit të tij.

Një zëdhënës i sekretarit të shtetit në shtetin Konektikat, tha se sulmuesit kibernetikë rusë ishin zbuluar dhe bllokuar.

Sekretari i shtetit Kolorado, Wayne Williams, tha se Departamenti i sigurisë së brendshme i kishte thënë shtetit të tij se sistemet ishin skenuar disa javë para zgjedhjeve të vitit të kaluar.

Sekretari i shtetit i Minesotës, Steve Simon, tha se entitetet me urdhër të qeverisë së Rusisë i kishin skenuar pikët e dobëta të sistemit shtetëror, por nuk kishin arritur të depërtonin.

Zyrtari më i lartë zgjedhor në Uashington, Kim Wyman, tha se shteti kishte mësuar për përpjekjet për depërtim nga adresat në Internet vitin e kaluar, dhe menjëherë e kishin njoftuar agjencinë FBI.

Arizona dhe Ilinoisi, po ashtu, kanë thënë se hakerët e kishin sulmuar sistemin e tyre të regjistrimit të votave.

Sekretari i shtetit i Kalifornisë, Alex Padilla, tha se është i pakënaqur se departamentit i ishte dashur shumë kohë e gjatë për t’i lajmëruar shtetet se sistemi i tyre i votimit u ishte nënshtruar sulmeve kinbernetike.

“Është krejtësisht e papranueshme që Departamentit për siguri të brendshme i është dashur më tepër se një vit për ta informaur zyrën tonë për skenimin nga ana e rusëve të sistemeve tona, përkundër kërkesave tona të përsëritura për informacion”, tha Padilla dhe ka shtuar sekjo është “e dëmshme për sigurinë e zgjedhjeve tona dhe për demokracinë tonë”.

Një hulumtues special i Shteteve të Bashkuara dhe disa komitete të Kongresit të Shteteve të Bashkuara po zhvillojnë hetime për atë se nëse Rusia ishte përpjekur të ndërhynte në zgjedhje ose kishte bërë marrëveshje të fshehtë me fushatën e Donald Trumpit.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG