Ndërlidhjet

Tensione të reja diplomatike midis SHBA-së dhe Rusisë

  • RFE /RL

Konsulata ruse në San Francisko. Fotografi nga arkivi

Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar mbylljen e konsullatës ruse në San Francisko, duke rritur tutje tensionet diplomatike që kanë pasuar urdhrin e Moskës për zvogëlim të mprehtë të personelit diplomatik të SHBA-së në Rusi.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se dy ndërtesa të tjera diplomatike në Uashington dhe Nju Jork, të shfrytëzuara si anekse të tregtisë, duhet të mbyllen.

Në frymën e barazisë, që kanë nxitur rusët, kërkojmë nga Qeveria e Rusisë të mbyllë konsullatën e saj të përgjithshme në San Francisko, një aneks kancelar në Uashington dhe një aneks konsullor në Nju Jork”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Këto mbyllje duhet të përfundojnë deri më 2 shtator”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.

Muajin e kaluar, Rusia ka urdhëruar që SHBA-ja të zvogëlojë stafin e saj diplomatik në këtë vend nga 775 veta në 455. Zyrtarët rusë kanë përmendur si arsye ligjin e ri të sanksioneve, të miratuar nga Kongresi amerikan.

Ne besojmë se ky veprim ka qenë i pajustifikuar dhe i dëmshëm për marrëdhëniet e përgjithshme midis dy vendeve tona”, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit.

Mbyllja e objektit diplomatik në San Francisko do ta lërë Rusinë me ambasadën kryesore në Uashington dhe me tre poste të tjera konsullore në SHBA: në Sietëll, në Hjuston dhe në Nju Jork Siti.

Përveç ambasadës në Moskë, SHBA ka edhe tre poste të tjera diplomatike në Rusi: në Shën Petersburg, në Jekaterinburg dhe në Vlladivostok.

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmarrin veprime të mëtejshme, sipas nevojës”, ka paralajmëruar Departamenti i Shtetit.

Urdhri për të mbyllur objektin në San Francikso reflekton marrëdhëniet e tensionuara midis Moskës dhe Uashingtonit.

Zgjedhja e Donald Trumpit president i SHBA-së është mirëpritur në Moskë, ku shumë zyrtarë kanë parashikuar lidhje më të ngrohta – diçka që edhe vetë Trump e ka kërkuar vazhdimisht.

Megjithatë, ky optimizëm është zbehur, pasi administrata Trump nuk ka bërë ndonjë gjest konkret pajtimi që ka kërkuar Moska.

Më e rëndësishmja midis këtyre kërkesave ka qenë kthimi i dy komplekseve diplomatike ruse në Merillend dhe Llong Ajllënd, mbyllja e të cilave është urdhëruar nga paraardhësi i Trumpit, Barack Obama, në muajin dhjetor.

Obama ka thënë se ky veprim ka qenë hakmarrje për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Zyrtarët amerikanë kanë dyshuar se objektet janë përdorur për mbledhje të inteligjencës.

Obama po ashtu ka urdhëruar dëbimin e 35 diplomatëve rusë.

Në muajin korrik, pasi është bërë e qartë se Uashingtoni nuk synon t’i kthejë ato objekte, Rusia ka konfiskuar një pronë rurale në Moskë, e përdorur me vite nga diplomatët amerikanë, së bashku me një depo.

Raportet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet në SHBA e kanë ndjekur Trumpin prejse ka marrë detyrën në muajin janar. Katër komitete të Kongresit janë duke hetuar ose këtë ndërhyrje të dyshuar, ose ndërveprimet midis bashkëpunëtorëve të Trumpit dhe zyrtarëve rusë. FBI po ashtu është duke i hetuar këto ndërveprime.

Pas urdhrit për mbylljen e konsullatës ruse në San Francisko, Ministria e Jashtme e Rusisë ka shprehur keqardhje për, siç ka thënë, përshkallëzimin e tensioneve dhe ka shtuar se përgjigjja e saj do të komunikohet.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG