Ndërlidhjet

Sanksionet shuajnë shpresat për marrëdhënie më të mira mes SHBA-së dhe Rusisë

  • RFE /RL

Dmitry Medvedev

Kryeministri rus, Dmitry Medvedev, e ka dënuar ashpër nënshkrimin e legjislacionit nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump që e sanksionon Rusinë, duke thënë se me këtë gjest i kanë humbur shpresat për rregullim të marrëdhënieve me këtë vend.

Tashmë nuk ka shpresë se do të rregullohen marrëdhëniet me administratën e SHBA-së”, ka thënë Medvedev përmes rrjetit social, Facebook.

Ai ka shtuar se Rusia do të përballet me sanksionet rreth supozimeve të ndërhyrjeve ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA dhe për agresionin e saj në Ukrainë dhe Siri, duke u bërë vetëm më e fuqishme si përgjigje ndaj amerikanëve.

Ne do të vazhdojmë të punojmë qetësisht në sferën ekonomike dhe sociale, do të zgjedhim disa detyra të rëndësishme qeveritare, duke u nisur fillimisht nga vetja”, shtuar ai.

Ne kemi mësuar se si të veprojmë nga e kaluara”, ka thënë tutje Medvedev.

Trump e ka kundërshtuar kthimin e sanksioneve kundër Rusisë në ligj, mirëpo ka thënë se e ka nënshkruar legjislacionin pavarësisht “të metave të konsiderueshme”, për “ hir të unitetit kombëtar”.

Sipas Medvedev, qëndrimi i Trumpit ka treguar “dobësi”.

Kongresi amerikan e ka shënuar një fitore të madhe ndaj Trumpit. Presidenti nuk ishte i kënaqur me sanksionet e reja, mirëpo atij i është dashur ta nënshkruajë legjislacionin”, ka deklarauar Medvedev.

Sanksionet, të cilat tashmë do të fuqizohen në ligj, sipas Medvedev do të rëndojnë marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë për vitet e ardhshme, duke i bërë gati të pamundshme për t’u kthyer mbrapa.

"Regjimi i sanksioneve është i kodifikuar dhe do të ruhet për dekada, përveç nëse ndodh ndonjë mrekulli”, ka thënë ai.

Ministria e Jashtme e Rusisë e ka cilësuar vendimin për sanksione si “shkurtpamës dhe të rrezikshëm”.

Sipas kësaj ministrie, një vendim i tillë i rezervon të drejtën Rusisë për t’u kundërpërgjigjur me sanksione tjera, përveç zvogëlimit të stafit diplomatik amerikan në Rusi.

Mirëpo zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se nuk do të këtë masa hakmarrëse për momentin, pasi sipas tij “nuk ndryshohet asgjë”.

Nuk ka asgjë të re. Ne i kemi marrë masat hakmarrëse”, ka thënë Peskov, sipas agjencive ruse të lajmeve.

Për më shumë, Ministria e Jashtme e Rusisë, ka thënë se “mbetet e hapur për bashkëpunim me SHBA-në, në fushat që e sheh të arsyeshme për veten dhe sigurinë ndërkombëtare, duke përfshirë edhe zgjidhjen e konflikteve rajonale”.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov do të takohet me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Rex Tillerson, i cili ka thënë se është duke kërkuar mënyra për të bashkëpunuar me Rusinë dhe “nuk është i gëzuar” me legjislacionin e sanksioneve, gjatë një samiti në Azi, vikendin e kaluar.

Përmes një deklarate që shoqëron nënshkrimin e tij, Trump ka thënë se legjislacioni “ka të meta të konsiderueshme”, që do të pengonin aftësitë e administratës së tij për të negociuar me kundërshtarët e huaj.

Administrata ime do ketë konsideratë ndaj preferencave të shprehura nga Kongresi në këto dispozita dhe do t'i zbatojë ato në mënyrë që të përputhen me autoritetin kushtetues të presidentit sa i përket marrëdhënieve të jashtme", ka thënë ai përmes një deklarate të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Ai ka thënë se pret nga Kongresi që me këtë ligj të mos pengojë punën e administratës së tij me aleatët evropianë, për të zgjedhur konfliktin në Ukrainë, apo për çështje të tjera.

Kjo prezanton dëshirën e popullit amerikan për të parë Rusinë drejt marrjes së hapave për të rregulluar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Ne shpresojmë qe do të ketë bashkëpunim në mes të dy vendeve në çështje globale, në mënyrë që sanksionet të mos jenë më të nevojshme”, ka thënë ai.

Unë e kam ndërtuar një kompani që vlen shumë miliarda dollarë. Kjo është njëra prej arsyeve pse jam zgjedhur. Si president, unë mund të bëjë marrëveshje më të mira me shtetet e jashtme se sa Kongresi”, ka thënë Trump.

Projektligji i nënshkruar nga presidenti Trump i vazhdon sanksionet ndaj Rusisë, të vëna nga presidenti i mëparshëm Barack Obama, për ndërhyrjen e supozuar ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, për aneksimin e paligjshëm të Krimesë dhe mbështetjen e separatistëve kundër qeverisë në lindje të Ukrainës.

Përveç tjerash, sanksionet kanë në shënjestër disa kompani ruse të energjisë, për të cilat kanë qenë kundër disa aleatë evropianë të SHBA-së.

Shumë kompani gjermane mund të pengohen në punën e tyre gjatë ndërtimit të gazsjellësit në shtratin e Detit Baltik, për të dërguar drejtpërdrejt gazin natyror të Rusisë në Gjermani.

Ligjvënësit amerikanë e kanë modifikuar legjislacionin pas ankesave të liderëve evropianë, duke tentuar ta qetësojnë Brukselin.

Sidoqoftë, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka paralajmëruar më 2 gusht se “nëse shqetësimet tona nuk merren parasysh mjaftueshëm, ne do të jemi të gatshëm të veprojmë brenda disa ditësh”, sapo dispozitat të fuqizohen.

Ministrja gjermane e Ekonomisë, Brigitte Zypries, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian t’i luftojë sanksionet.

Në Kiev, presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, e ka përshëndetur vendimin për sanksione, derisa projektin Rrjedha Veriore 2 e ka cilësuar “të motivuar politikisht”.

Sanksionet do të jenë efektive në çlirimin e plotë të tokës ukrainase”, ka thënë Poroshenko përmes rrjetit social Facebook.

Ky është një tjetër konfirmimi i drejtimit strategjik në marrëdhëniet mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara”, ka shtuar tutje ai.

Ligji i ri, u vë sanksione të reja edhe Iranit, Koresë Veriore për programet e tyre bërthamore.

Ligji parasheh sanksione dhe për abuzim me të drejta të njeriut nga Garda Revolucionare islamike e Iranit, një nga organizatat ushtarake më të fuqishme në Iran.

Përgatiti: Krenare Cubolli

XS
SM
MD
LG