Ndërlidhjet

Në sanksionet kundër Rusisë, vërejtje për gjërat që mund të ndodhin

  • RFE /RL

Presidenti Donald Trump

Micke Eckel, Radio Evropa e Lirë

Sanksionet e reja amerikane, që janë miratuar thuajse unanimisht në Kongres dhe janë shndërruar në ligj nga presidenti amrikan, Donald Trump, i cili ishte hezitues, i forcojnë sanksionet kundër Rusisë, pos tjerash, edhe për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës.

Por, ndoshta, më e rëndësishmja është se Kremlinit i dërgohet sinjal se çka do të mund të bënte Uashingtoni pas kësaj...

Legjislacioni i nënshkruar dhe shndërruar në ligj këtë javë nga presidenti hezitues amerikan, Donald Trump, e godet fuqishëm Rusinë, i forcon sanksionet ekzistuese, duke i shtuar edhe disa të tjera, për ta ndëshkuar Moskën për aksionet e saj në Ukrainë, Siri dhe për sulme të dyshuara kibernetike.

Megjithëqë i shkruar në gjuhën e thatë legjislative, ndoshta mund të argumentohet se ky ligj përmban diçka shumë më të rëndësishme: planin e veprimit dhe sinjalin se çka mund të ndodhë në vazhdim, nëse Moska nuk e ndryshon sjelljen e saj kah ajo që Uashingtoni do të dëshironte.

“Mendoj se këtë ju mund ta quani kërcënim”, thotë Peter Harrel, i cili kishte punuar në sanksionet kundër Rusisë dhe Iranit, derisa ishte në Departamentin amerikan të shtetit, në periudhën 2012 – 2014.

Një seksion fokusohet në borxhin shtetëror rus, të cilin Kremlini e ka shfrytëzuar për stabilizimin e kompanive me rëndësi strategjike, prej se sanksionet janë imponuar së pari nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë.

Kjo masë për sanksione, që është mbështetur pothuajse në mënyrë unanime në Kongres, i bënë thirrje Departamentit të shtetit dhe aij të thesarit, së bashku me oficerët e inteligjencës, për t’i analizuar “efektet potenciale të zgjerimit të sanksioneve, duke përfshirë borxhin shtetëror dhe rreze të plotë të derivateve prodhuese”.

“Ky mund të jetë përshkallëzim i rëndësishëm i presionit ekonomik ndaj Rusisë dhe do të jetë qëndrim i rëndësishëm për ashpërsinë e sanksioneve amerikane kundër Rusisë”, i tha Peter Harrel, Radios Evropa e Lirë.

Me këto sanksione ishin shkëputur nga tregjet ndërkombëtare kreditore disa kompani kryesore, që kontrollohen nga qeveria ruse ose janë të afërta me të.

Kremlini ishte detyruar t’i financojë këto kompani në shumë prej dhjetëra miliarda dollarëve, prej se ato nuk mund të huazonin për shkak të borxhit ekzistues, thotë Harrell.

Por, sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian nuk e kanë parandaluar Rusinë nga rritja e kapitalit të vet. Vitin e kaluar qeveria e Rusisë i ka shitur afro 3 miliardë dollarë në euro-obligacione.

“Nëse qeveria e Rusisë mund të vazhdoj të marr hua në tregjet ndërkombëtare, atëherë kjo mund të shndërrohet në lehtësim të sanksioneve kundër kompanive të mëdha shtetërore ruse”, thotë Harrel, dhe shton se “derisa kompanitë Rosneft dhe Sberbank, nuk mund të marrin kredi në tregjet ndërkombëtare, qeveria e Rusisë ende mund ta bëjë këtë dhe pastaj ato mjete mund t’i dërgojë në Rosneft dhe Sberbank”.

Qeveria e Rusisë ka aksione shumicë në Rosneft, që është kompania më e madhe e naftës në këtë vend. Po ashtu, edhe Sberbank është banka më e madhe në Rusi dhe është nën kontroll të shtetit.

“Kongresi po sinjalizon te rusët dhe aleatët amerikanë dhe te administrata Trump, se sanksionet për borxh shtetëror ndoshta po afrohen”, thotë Harrell.

Daniel Fried, diplomat veteran amerikan, i cili në vitin 2014 ishte koordinator i sanksioneve i Departamentit të shtetit, tha se ligji është i përpiluar në mënyrë të mençur, pasi e paraqet drejtimin se kah mund të lëvizë Kongresi në rast të përshkallëzimit.

Kjo, sipas tij, do të mund të ndodhte “për shembull, në përgjigje të rusëve, sikur që ata na befasuan neve në gusht të vitit 2008”, duke iu referuar invadimit të Gjeorgjisë.

Zoti Fried thotë se raportimet e mandatuara nga legjislacioni i ri, po ashtu, do ta ndihmojnë administratën dhe Kongresin për fokusim në masa ndëshkuese, që aktualisht mund të implementohen pa shkaktuar probleme të tjera.

Seksion tjetër madhor, i cili mund të godas po ashtu fuqishëm, është ai ku agjencitë e administratës urdhërohen t’i identifikojnë “figurat më të rëndësishme të larta të jashtme politike dhe oligarkët në Federatën Ruse, të përcaktuara nga afërsia e tyre me regjimin e Rusisë”.

Ilya Zaslavski, që është aktivist i lindur në Rusi, i cili ka zhvilluar hetime për tajkunët e biznesit rusë dhe për investimet e tyre në lobim, konsideron se zyrtarët amerikanë kanë njohuri më të sofistikuar se si janë të ndërlidhura politikat ruse dhe sektorët e biznesit.

Në fokus të sanksioneve të mëparshme ishte një grup i vogël me lidhje të mira me oligarkët dhe biznesmenët.

Aty pëfshihej personi, Gennady Timchenko, i cili është i dyshuar se e udhëheq një biznes për tregti të naftës, me kontrata ekskluzive për eksport, që sjellin miliarda dollarë për shumë vite.

Aty janë edhe Arkady e Borsi Rotenberg, manjatë të ndërtimit, që kanë ndërtuar projekte masive të financuara nga shteti, siç është ura, Kerch Strait, në Krime, dhe Yury Kovalchuk, firma e të cilit, Bank Rossia, ka lidhje me qytetin Shën Petersburg, ku ka lindur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Për dallim nga mbështetja e fuqishme e Kongresit për sanksione, pozita e presidentit Trump ishte së paku e butë. Gjatë nënshkrimit të legjislacionit më 2 gusht, Trump vlerësoi se ai kishte të meta, por tha se po e nënshkruan “për të mirën e unitetit kombëtar”.

Shtatë muajt e parë të presidencës Trump janë ndjekur nga pyetjet lidhur me kontaktet e ndihmësve të tij dhe zyrtarëve rusë, derisa komuniteti i inteligjencës së Shteteve të Bashkuara ka konkluduar se Rusia kishte synuar për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016.

Hetime të shumëfishta po zhvillohen në Kongres lidhur me dyshimet për përzierje ruse, ndërsa Departamenti amerikan i drejtësisë në muajin maj, e ka emëruar ish-drejtorin e agjencisë, FBI, Robert Mueller, për këshilltar special për hetime lidhur me përpjekjet e Moskës për ndërhyrje në votimet në Shtetet e Bashkuara dhe nëse ndihmësit e Trumpit kishin marrëveshje të fshehtë me rusët.

Trump ka vlerësuar se akuzat për lidhje jo përkatëse me Rusinë janë “mashtrim” që kanë për qëllim shkatërrimin e presidencës së tij.

Pak para se sanksionet amerikane të shndërroheshin në ligj, Moska urdhëroi që misioni diplomatik i Shteteve të Bashkuara në Rusi të zvogëlohet për qindra vetë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG