Ndërlidhjet

Delta dhe ritmet e ngadalshme të vaksinimit shtojnë rastet


Pamje nga një stacion treni në Londër.

Delta - variant më ngjitës i koronavirusit - dhe ritmet e ngadalshme të vaksinimit kanë bërë që numri i rasteve të reja me koronavirus të rritet në disa vende të botës, thanë zyrtarët shëndetësorë.

Kolumbia, Indonezia, Britania, Spanja dhe Shtetet e Bashkuara regjistruan më 13 korrik më shumë se 30,000 raste të reja secila.

Zyrtarët vazhdojnë t’u bëjnë thirrje njerëzve që të vaksinohen, duke thënë se shumica e rasteve u raportuan në zonat ku nivelet e vaksinimit mbeten të ulëta.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, infeksionet e konfirmuara në SHBA janë dyfishuar në një mesatare prej rreth 23,600 në ditë, më 11 korrik.

Rastet në Shtetet e Bashkuara janë ende nën kulmin e tyre prej rreth 250,000 në ditë, sa ishte në janar, por zyrtarët vazhdojnë të paralajmërojnë për përhapjen e shpejtë të variantit Delta.

Qarku Llos Angjelles regjistroi të martën më shumë se 1,000 raste të reja - për të pestën ditë me radhë. Zyrtarët shëndetësorë thanë se Delta vazhdon të përhapet me shpejtësi në mesin e njerëzve të pavaksinuar në Kaliforni.

Video:

SHBA: Varianti Delta po kërcënon rimëkëmbjen globale
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:03:57 0:00

Një numër shtetesh në SHBA, që kanë norma relativisht të ulëta të vaksinimit, po përjetojnë trende shqetësuese. Alabama, ku vetëm 31 për qind e popullsisë së shtetit është vaksinuar plotësisht, ka parë një rritje të shtrimeve në spital për 75 për qind që nga 20 qershori.

Qytetet e tjera nëpër botë, përfshirë Xhakartën, Sidnein, Seulin dhe Kualla Llampurin, gjithashtu po përjetojnë rritje të numrit të rasteve, që ia atribuojnë variantit Delta.

Indonezia ka regjistruar më 13 korrik rekord prej 47,899 rasteve të konfirmuara të koronavirusit, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi.

Spitalet i kanë tejkaluar kapacitetet dhe furnizimet me oksigjen po u mbarojnë, thanë zyrtarët në Indonezi.

Autoritetet në Australi zgjatën sot izolimin e qytetit më të populluar të vendit, Sidnei, deri më 30 korrik, pasi regjistruan rritje të numrit të rasteve të reja. Australia po lufton me një shpërthim të variantit Delta tash e sa javë.

Izolimi i Sidneit do të mbaronte më 16 korrik, por shteti Nju Sauth Uells e zgjati atë, pasi konfirmoi 97 raste të reja më 14 korrik. Numri është më i lartë se një ditë më parë, kur u regjistruan 89.

“Gjithmonë dhemb kur e thua këtë, por duhet ta zgjasim izolimin për së paku dy javë të tjera”, tha kryeministrja e shtetit, Gladys Berejiklian.

Për pasojë, shumë biznese jothelbësore janë mbyllur, shumica e nxënësve qëndrojnë në shtëpi, ndërsa banorët lejohen të dalin jashtë vetëm për aktivitete thelbësore dhe stërvitje.

Në Turqi, autoritetet thanë se numri i rasteve me variantin Delta është rritur për më shumë se dyfish brenda një jave. Mbi 750 raste të reja u raportuan atje më 13 korrik.

Në Holandë po ashtu, Instituti i Shëndetit Publik tha se infeksionet me koronavirus janë rritur më shumë se 500 për qind gjatë javës së fundit.

Rritja pason heqjen e pothuajse të gjitha kufizimeve dhe rihapjen e klubeve të natës në fund të qershorit.

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik në Holandë tregojnë për afro 52,000 raste të konfirmuara si pozitive javën e kaluar, krahasuar me rreth 8,500 nga java paraprake.

Varianti Delta i koronavirsuit është zbuluar për herë të parë në Indi, në tetor të vitit 2020.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur atë “variant shqetësues” në muajin maj. Sipas OBSH-së, një variant klasifikohet si i tillë kur duket se është më ngjitës, më vdekjeprurës ose më rezistent ndaj vaksinave ose trajtimeve aktuale.

OBSH-ja ka konfirmuar se vaksinat aktuale janë efektive edhe kundër variantit Delta.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG