Ndërlidhjet

Situata politike ndikon në investimet e huaja


Investimet e huaja direkte në Kosovë vazhdimisht janë vlerësuar të nevojshme për një zhvillim ekonomik, marrë parasysh resurset e ndryshme të mjaftueshme që posedon Kosova dhe pamundësinë e investimeve nga vendorët. Por, pavarësisht kësaj, vlera e këtyre investimeve nga viti në vit edhe është zvogëluar.

Ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile shumë herë kanë shprehur shqetësimet se në këtë fushë po ndikon edhe burokracia e tepërt nëpër institucione.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës,për nëntë muajt e këtij viti, vlera e investimeve të huaja ka arritur në shifrën prej 164.4 milionë euro. Në vitin 2017, investimet kanë qenë 287 milionë euro, kurse në vitin 2016 – 220 milionë euro.

Vlera e investimeve ka qenë më e lartë para shpalljes se pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Në vitin 2007, shuma e investimeve të huaja kishte arritur në 440 milionë euro, vlerë kjo që asnjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka arritur në Republikën e Kosovës.

Ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se trendi i rënies së investimeve të huaja pas shpalljes së pavarësisë se Kosovës, karakterizohet me shumë faktorë.

Shpend Balija, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë në Kosovë, për Radion Evropa e Lirë, thotë se stabiliteti politik dhe veprimet aty për aty karshi investitorëve ndërkombëtar janë faktorët kryesorë të rënies së investimeve të huaja.

“Nëse i mirëpret investitorët, ata vijnë, por nëse i trajton mirë ata rrinë. Nuk mjafton vetëm ti ftojmë dhe të themi se Kosova është vendii bukur dhe eja investoni. Por, nevojitet që bizneset që kanë ardhur dhe kanë shtri kapitalin e tyre në Kosovë të kenë lehtësi të te bërit biznes, eliminim të barrierave. Të bëhet kjo e gjitha me një dinamikë më të përshpejtuar dhe në koordinim me të gjitha institucionet kompetente”, tha Balija.

Por, Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, shprehet se autoritetet e Kosovës duhet të krijojnë kushte për investitorët e huaj, në mënyrë që vlera e tyre të dyfishohet. Rritja e investimeve ndërkombëtare, sipas tij, ndikon në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

“Kjo tërheqje e investimeve të huaja në vlera dyfish apo tre fish më të larta se në vitin 2018, do të mundësonte dhe do të ndikonte që në masë të madhe të zvogëlohet edhe shkalla aktuale e papunësisë”, tha Bektashi.

Në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë funksionon Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), agjenci kjo që ka për të promovojë dhe mbështes investimet, eksportin dhe turizmin në Republikën e Kosovës.

Sipas kësaj agjencie në periudhën janar- nëntor të vitit 2018 në këtë ministri janë regjistruar 681 biznese të huaja. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të kësaj ministrie, thonë se KIESA vazhdimisht pranon kërkesa dhe interesime nga investitorët të cilët janë duke analizuar Kosovën për investime potenciale.

Vetëm në nëntë muaj të vitit 2018, kjo agjenci ka realizuar rreth 115 kontakte/vizita me investitorë vendorë dhe të huaj të cilët janë njoftuar mbi mundësitë dhe kushtet që i ofron Kosova për investitorët.

Por, Shpend Balija thotë se investitorëve ndërkombëtar në rend të parë u intereson stabiliteti politik dhe ekonomik dhe kushtet investimeve. Për këtë thotë ai, Qeveria e Kosovës duhet të përshpejtojë dinamikën e punës për të krijuar kushte edhe më të favorshme karshi vendeve të rajonit.

“Investitori nuk sheh kufij, nuk sheh kultura dhe religjione të ndryshme, investitori dëshiron mundësinë më të mirë kudo që e sheh. Prandaj, nuk është problem për investitorët të vendosin të largohen nga Kosova dhe të shkojnë në vende të rajonit, pasi investitori kërkon kushtet më të mira, stabilitetin më të madh dhe problem sa më pak. Prandaj, Kosova duhet gjithmonë ta vlerësojë veten karshi shteteve të rajonit sepse me këto shtete jemi në konkurrencë dhe ne gjithmonë duhet të jemi të parët që ofrojnë benificione apo inventiva”, thekson Balija

Sidoqoftë, viteve të fundit investime më së shumti janë bërë në patundshmëri, energjetikë, ndërtim dhe shërbime tregtare. Kurse, vendet që më së shumti kanë realizuar investime në Kosovë janë Gjermania, Zvicra dhe Austria të përcjella nga investimet e ardhura nga Amerika, Turqia dhe Britania e Madhe.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG