Ndërlidhjet

Sllovakia urdhëron gjykim të ri në rastin e vrasjes së gazetarit


Në fotografi, Jan Kuciak dhe e fejuara e tij, Martina Kusnirova.

Gjykata e Lartë e Sllovakisë anuloi lirimin e një biznesmeni dhe të një të akuzuare tjetër për vrasjen e gazetarit hulumtues, Jan Kuciak, dhe të fejuarës së tij.

Gjykata urdhëroi gjykim të ri të rastit.

Kuciak dhe Martina Kusnirova, të dy 27 vjeç, janë qëlluar dhe vrarë në shtëpinë e tyre pranë Bratisllavës, në shkurt të vitit 2018.

Incidenti ka shkaktuar protesta masive në Sllovaki dhe ka çuar në dorëheqjen e kryeministrit të atëhershëm.

Kuciak ka qenë duke hetuar disa pretendime për korrupsion përpara se të vritej.

Gjykatësit e Gjykatës së Lartë konstatuan të martën se vendimi i mëparshëm i Gjykatës, që ka liruar Marian Kocnerin, i akuzuar për urdhërimin e vrasjes, dhe Alena Zsuzsovan, ndërmjetësuese e dyshuar, nuk i ka shqyrtuar në mënyrë adekuate të gjitha provat në dispozicion.

Kocner, i cili ka qenë në fokus të raporteve hetimore të Kuciakut, dhe Zsuzsova janë liruar nga akuzat në shtator të vitit 2020, për shkak të, siç është thënë, mungesës së provave.

Biznesmeni, i cili po vuan dënimin prej 19 vjetësh burgim për një falsifikim që nuk lidhet me rastin, e ka mohuar përfshirjen në vrasje.

Një ish-ushtar është dënuar me 23 vjet burgim në vitin 2020, pasi ka pranuar se ka kryer vrasjet.

Një i dyshuar tjetër është dënuar gjithashtu me burgim për lehtësim të sulmit.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve - organizatë me seli në Nju Jork - e mirëpriti vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, duke e cilësuar si “hap vendimtar drejt përfundimit të mosndëshkimit për vrasjen e Kuciakut”.

XS
SM
MD
LG