Prokuroria e Posaçme në Shqipëri, SPAK, u ka kërkuar të shtunën autoriteteve franceze sekuestrimin e pasurive të biznesmenit shqiptar, Ermal Beqiri, i arrestuar muajin e kaluar atje.
Beqiri ishte arrestuar nga autoritetet franceze me kërkesë të SPAK-ut dhe ai pritet të ekstradohet në Shqipëri, ku akuzohet për manipulim me tenderë dhe shpëlarje parash.
SPAK shtoi të shtunën se hetimet financiare po zhvillohen paralelisht për të mundësuar sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të tij të identifikuara në territorin francez.
"Hetimet nga autoritetet franceze identifikuan disa asete me origjinë kriminale të ndodhura në Francë, veçanërisht llogari bankare me një vlerë totale prej mbi dy milionë eurosh, dy apartamente, u evidentua blerja e një kështjelle në departamentin e Oise (60) rreth 2.6 milion euro, mjete motorike etj", thekson SPAK.
Gjatë kontrollit personal dhe kontrolleve në disa ambiente në pronësi të Ermal Beqirit janë sekuestruar sende që vlerësohen me interes për procedimin penal.
Biznesmeni shqiptar u arrestua më 24 korrik nga autoritetet ligjzbatuese franceze pasi hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar të centralit bërthamor të Penly-t (Seine-Maritime) dhe u detyrua të ulej në aerodromin e Albert-it (Somme). SPAK njofton se gjykata franceze urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të tij, për qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë.
SPAK e kishte shpallur në kërkim ndërkombëtar Beqirin që prej dhjetorit të vitit 2025.
Ndaj Beqirit është caktuar masa e sigurisë arrest shtëpiak në mungesë. Ai dyshohet për veprat penale konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, "shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike, vepra të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe pastrim parash.
Beqiri është pjesë e një prej dosjeve më të rëndësishme hetimore në Shqipëri, që lidhet me dyshimet për abuzime me tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
AKSHI është institucioni qendror që administron dhe zhvillon infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të Qeverisë shqiptare, përfshirë platformën e-Albania, sistemet elektronike shtetërore dhe ndërveprimin mes bazave të të dhënave të institucioneve publike.
Agjencia mbikëqyret drejtpërdrejt nga kryeministri i Shqipërisë.
Për këtë dosje janë vendosur masa sigurie ndaj tetë personave, mes tyre edhe ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Më 16 dhjetor 2025 ndaj saj u vendos fillimisht masa e sigurisë arrest shtëpiak, e cila më pas u zëvendësua me masën detyrim paraqitjeje.
Në shkurt të këtij viti ajo dha dorëheqjen nga drejtimi i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Më 21 prill 2026, SPAK njoftoi sekuestrimin e 52 pasurive dhe llogarive bankare me vlerë mbi 40 milionë euro. Pasuritë lidhen me Mirlinda Karçanajn, dy biznesmenët Ergys Agasi, Ermal Beqiri dhe persona të tjerë që janë nën hetim.
Mes pasurive të sekuestruara janë banesa në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, troje, sipërfaqe toke, llogari bankare dhe një jaht në pronësi të Beqirit.
Beqiri kontrollonte disa shoqëri në sektorin e teknologjisë, por kompania kryesore që del në qendër të hetimit për tenderët e AKSHI-t është "Soft & Solution", e cila dyshohet të ketë përfituar kontrata publike nga ky institucion.
Një nga episodet më të rënda të hetimit ndaj Beqirit lidhet me rastin e pengmarrjes së një biznesmeni.
Sipas SPAK-ut, ai dyshohet se ka ushtruar presion në kuadër të një konflikti për konkurrencën në tregun e teknologjisë dhe tenderëve publikë. Biznesmeni që u mor peng kishte paraqitur ankesa për procedurat e ndjekura në disa tenderë. Për këtë, Beqiri përballet edhe me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë dhe konkurrencës së paligjshme nëpërmjet dhunës.
Biznesmeni tjetër i përfshirë në këtë dosje, Ergys Agasi, vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar.