Ndërlidhjet

Rezultati i zgjedhjeve në Stamboll godet Erdoganin


Festime pas fitores së opozitës në Stamboll, 23 qershor 2019

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, është goditur ashpër nga fitorja e opozitës në Stamboll, e cila ka fituar për së dyti herë zgjedhjet në këtë qytet, rezultat i cili është konsideruar si mesazh i qartë se votuesit nuk janë të kënaqur me politikën e tij, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Ekrem Imamoglu nga Partia Republikane Popullore (CHP), ka siguruar 54.21 për qind të votave, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Anadolu, duke shënuar kështu fitore të thellë në krahasim me zgjedhjet e mbajtura tre muaj më parë.

Rezultati paraprak ishte anuluar, pas protestave nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), duke pretenduar se gjatë procesit zgjedhor ka pasur shumë parregullësi.

Vendimi për zgjedhje të reja është kritikuar nga aleatët perëndimorë dhe ka nxitur shqetësime në mesin e kundërshtarëve të brendshëm, të cilët kanë thënë se demokracia e Turqisë është nën rrezik.

Të dielën, dhjetëra mijëra mbështetës të Imamoglut kanë dalë në rrugët e Stambollit, pasi ish-bizesmeni ka fituar kundrejt kandidatit të zgjedhur nga Erdogani, Binali Yildirim, me gati 800,000 vota më shumë.

“Në këtë qytet, ju keni rregulluar demokracinë. Faleminderit Stamboll”, u ka thënë Imamoglu mbështetësve të tij.

“Ne do të jemi për secilin. Ne do të ndërtojmë demokraci në këtë qytet, ne do të ndërtojmë drejtësi. Në këtë qytet të bukur, unë premtoj se do të ndërtojmë të ardhmen”, ka thënë Imamoglu.

Bordi i Lartë Elektoral ende nuk ka bërë të ditur rezultatin zyrtar, mirëpo Erdogan tashmë ka përgëzuar Imamoglun për fitoren e tij ndaj rivalit, Binali Yildirim, duke i uruar sukses si kryetar.

Mbështetje në shuarje e sipër

Erdogan ka udhëhequr Turqinë nga viti 2013, fillimisht si kryeministër dhe më pas si president, duke u kthyer në politkanin më dominat, prej themeluesit të këtij shteti, Mustafa Kemal Ataturk, gati një shekull më parë.

Partia e tij gëzon mbështetje të madhe mes turqve konservatorë, dhe investimet e vazhdueshme, kanë ndikuar që Erdogan të fitojë zgjedhjet ndër vite.

Por, recesioni ekonomik dhe kriza financiare së fundmi kanë filluar të ndikojnë në mbështetjen ndaj tij, bashkë me kontrollin e ashpër të Erdoganit ndaj Qeverisë, çka është thënë të ketë alarmuar disa votues.

Vendimi për anulim të zgjedhjeve në muajin mars, pati ndikuar me rënie të vlerës së valutës turke, lira, për 8 për qind gjatë këtij viti.

Politikë e re në Stamboll

Imamoglu ka fituar mbështetje edhe në zonat ku janë njohur tradicionalisht si baza të partisë së Erdoganit, duke i dhënë kështu fund rregullit islamist 25-vjeçar në këtë qytet.

“Këto zgjedhje i kanë dhënë fund diktaturës. Me dëshirën e Zotit, shpresoj që ai të jetë edhe president. Udhëheqësia e vetëm një njeriu duhet të marrë fund”, ka thënë 48-vjeçarja, Gulcan Demirkaya.

Këto rezultate duket se do të nxisin kapitull të ri të në politikën turke, meqë tri qytetet kryesore në këtë shtet, tani drejtohen nga figura opozitare.

“Definitivisht këto rezultate do të kenë ndikim në politikën turke në të ardhmen, duke marrë parasysh margjinën e fitores. Kjo është shenjë alarmuese për udhëheqësinë e partisë AK”, ka thënë ish-diplomati turk, Sinan Ulgen.

Analistët kanë thënë se kjo humbje mund të ndikojë me riorganizim të kabinetit qeveritar në Ankara dhe ndryshime në politkën e jashtme.

Expose: Zile zgjimi për Erdoganin

Sipas tyre, nuk përjashtohet mundësia e organizimit të zgjedhjeve kombëtare para vitit 2023.

“Turqia tani duhet t’i kthehet agjendës së saj, pasi të përfundojë procesi zgjedhor”, ka thënë lideri i partisë Lëvizja Kombëtare, Devlet Bahceli.

“Të diskutuarit për zgjedhje të parakohshme mund të jetë një nga gjërat më të këqija që mund t’i bëjmë shtetit tonë”, ka shtuar ai.

Paqartësitë për fatin e Stambollit dhe vonesat potenciale në reformat ekonomike, është thënë të kenë ndikuar në tregjet financiare, ashtu sikurse kërcënimet për sanksione nga Shtetet e Bashkuara, nëse Erdogan dërgon përpara planin për të instaluar sistemet ruse për mbrojtje në këtë shtet.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG