Ndërlidhjet

I dërguari amerikan Witkoff e takon Putinin, një ditë pas bisedimeve me Zelenskyn për paqen në Ukrainë

E përditësuar
Presidenti rus Vladimir Putin (djathtas) e pret të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, në një takim në Pallatin Konstandin në Shën Pjetërburg, më 21 tetor.
Presidenti rus Vladimir Putin (djathtas) e pret të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, në një takim në Pallatin Konstandin në Shën Pjetërburg, më 21 tetor.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, e ka nisur takimin me presidentin rus, Vladimir Putin, në Pallatin Konstantin në Shën Petersburg, raportojnë mediat. Takimi mes tyre vjen një ditë Witkoff zhvilloi bisedime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në Oslo.

Takimi në Shën Petersburg është i nënti mes Witkoffit dhe Putinit.

Këshilltari i Kremlinit për politikën e jashtme, Yury Ushakov, tha se Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, nuk do të marrë pjesë fizikisht në takim, për shkak të një sëmundjeje, por, sipas raportimeve, do t’i bashkohet atij virtualisht.

“Ne i kemi disa ide të qarta se si të arrihet paqja”, u tha Zelensky gazetarëve pas bisedimeve të mbajtura më të martën në Oslo, me ndërmjetësimin e kryeministrit norvegjez, Jonas Gahr Store, dhe presidentit finlandez, Alexander Stubb.

Zelensky tha se Witkoff do t’i paraqiste Rusisë një propozim për bisedime trepalëshe, ku do të merrnin pjesë liderët e Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Ne duam që amerikanët t’ua përcjellin këto ide rusëve”, tha Zelensky, duke shtuar se “njëra prej ideve të rëndësishme është kalimi drejt një takimi të mundshëm trepalësh mes liderëve, për të shtjelluar çështjet që mund t’i zgjidhin vetëm ata”.

Trump foli për mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta mes Putinit dhe Zelenskyt, duke thënë se ata nuk kanë nevojë të takohen ballë për ballë për ta arritur një marrëveshje.

“Ata nuk kanë pse të jenë në të njëjtën dhomë. Besoj se mund ta bëjnë edhe në një mënyrë tjetër”, u tha Trump gazetarëve të martën.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili po qëndron për vizitë në Indi, i përshkroi si “pozitive” bisedimet e Witkoffit me Zelenskyn në Oslo.

“Ishin pozitive, nuk pati asgjë të papritur apo befasuese. Tani, i pajisur me këto ide, ai do të mund të shkojë në Shën Petersburg dhe t’ia paraqesë ato palës ruse. Le të shohim nëse mund të bëjmë përparim”, u tha Rubio gazetarëve të mërkurën.

Zelensky tha se është mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për ofrimin e informacioneve të inteligjencës lidhur me sulmet ruse me raketa, duke shtuar se sistemet e paralajmërimit të hershëm tashmë po funksionojnë shumë mirë.

“Jemi mirënjohës që [tani po i marrim] të dhënat e inteligjencës... Po flas për paralajmërimin e hershëm, i cili është shumë i rëndësishëm për njerëzit tanë, për fëmijët, të rriturit dhe civilët, sepse mund të dëgjojmë sinjalizimet kur po afrohen raketat balistike”, u tha Zelensky gazetarëve në kryeqytetin norvegjez.

Stubb tha se bisedimet në Oslo sollën “përparim të vërtetë”, si për perspektivën afatgjatë, ashtu edhe për çështjet më urgjente.

Ai tha se pjesëmarrësit identifikuan “disa elemente të paqes” në kuadër të një këndvështrimi më të gjerë, si dhe pika kyçe që lidhen me sigurinë dhe ekonominë.

Sulmet ruse vazhdojnë mes bisedimeve

Derisa bisedimet po zhvillohen, Moska i goditi disa rajone ukrainase me dronë dhe raketa, duke vrarë të paktën katër persona.

Një sulm ajror rus në Kiev të mërkurën la të vrarë dy persona dhe plagosi dy të tjerë, si dhe dëmtoi një ndërtesë banimi 24-katëshe, raportoi kryetari i bashkisë, Vitali Klitschko.

Pas sulmeve ruse, në disa pjesë të kryeqytetit ukrainas u raportuan ndërprerje emergjente të energjisë elektrike, ndërsa punonjësit e sektorit energjetik po punonin për ta rikthyer furnizimin, njoftoi të mërkurën kompania energjetike DTEK.

Në rajonin e Harkivit, një sulm rus me dron vrau një grua 81-vjeçare dhe një burrë 83-vjeçar, sipas autoriteteve rajonale.

Në rajonin e Lvivit, autoritetet lokale thanë se një dron rus “sulmoi një ndërmarrje” gjatë natës, duke plagosur dy punëtorë.

Rusia e sulmoi Ukrainën gjatë natës me raketa lundruese dhe 186 dronë sulmues, raportuan Forcat Ajrore të Ukrainës.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj kishin kryer sulme me dronë ndaj qendrave logjistike, infrastrukturës së portit dhe anijeve në Ukrainë.

Ajo raportoi gjithashtu se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore kishin kapur dhe shkatërruar 373 dronë ukrainas në disa rajone të Rusisë.

Shtetasi amerikan lirohet nga burgu rus

Gjatë takimit Putin-Witkoff, i cili po transmetohej përmes një lidhjeje me video, të dy konfirmuan lirimin e Stephen Hubbardit, 74 vjeç, me origjinë nga Miçigani, i cili u kap nga trupat ruse në prill të vitit 2022 dhe u akuzua se ishte mercenar në shërbim të forcave ukrainase.

Putin tha se Hubbardi ndodhej në aeroportin Pulkovo të Shën Petersburgut, prej nga do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara së bashku me Witkoffin.

Trump tha të martën para vizitës Witkoffit se i kishte kërkuar Putinit lirimin e Hubbardit.

“Kam biseduar gjatë me të. I kam kërkuar që ta lirojë. Le të shohim se çfarë do të ndodhë”, u tha Trump gazetarëve në Uashington.

Në vitin 2024, një gjykatë ruse e dënoi Hubbardin me shtatë vjet burgim.

Ky material është pjesë e rubrikave
​
XS
SM
MD
LG