Ndërlidhjet

Trump mbron lehtësimin e disa sanksioneve ndaj Rusisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbrojti vendimin e tij për të mos zbatuar sanksionet e reja kundër Rusisë, duke thënë se nuk dëshiron ta largojë Moskën nga negociatat për paqe.

Vendimi nxiti kritika të ashpra nga Ukraina dhe disa ligjvënës amerikanë, të cilët vlerësojnë se lehtësimi i presionit ndaj Rusisë i dërgon sinjal të gabuar Kremlinit.

Trump nënshkroi më 16 tetor një urdhër ekzekutiv për të mos zbatuar sanksionet e reja ndaj Rusisë, të parashikuara me një ligj që mban emrin e senatorit të ndjerë amerikan, Lindsey Graham, i njohur si mbështetës i fuqishëm i Ukrainës.

Disa ditë më herët, Trump lehtësoi përkohësisht edhe sanksionet ndaj naftës ruse dizel.

Trump e nënshkroi këtë ligj muajin e kaluar, pas kërkesave të ligjvënësve amerikanë për të rritur presionin ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Por, vendimet e ditëve të fundit për lehtësimin e sanksioneve nxitën kritika të ashpra, me pretendimet se Trump po i jep Kremlinit mundësi të sigurojë fonde për financimin e luftës.

Presidenti amerikan i hodhi poshtë këto akuza.

“Jam në proces të negociatave për paqe në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës dhe nuk dua të bëj asgjë që, në mënyrë të pamenduar, do ta largonte Rusinë nga tryeza e negociatave”, shkroi Trump në platformën Truth Social, më 18 tetor.

Kur e nisi mandatin e tij në janar të vitit 2025, Trump e shpalli përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës si një nga përparësitë e tij.

Megjithatë, negociatat për paqe kanë ngecur, pasi Moska dhe Kievi vazhdojnë të kenë qëndrime shumë të ndryshme për kushtet e përfundimit të luftës.

Kremlini nuk ka treguar gatishmëri për lëshime, duke refuzuar vazhdimisht thirrjet për një armëpushim të plotë dhe duke këmbëngulur në kërkesat e tij, përfshirë marrjen nën kontroll të territoreve ukrainase që Rusia nuk ka arritur t’i pushtojë në fushëbetejë.

Bllokimi i negociatave ka bërë që të dyja palët t’i intensifikojnë sulmet.

Moska ka bombarduar Kievin dhe qytete të tjera të mëdha ukrainase, si dhe ka shënjestruar infrastrukturën energjetike, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha të shërbimeve publike, në kohën kur Ukraina po përgatitet për dimër.

Në mesin e këtyre sulmeve ishte edhe goditja e Kievit me disa raketa balistike, vonë më 18 tetor.

Sipas kryetarit të qytetit, Vitali Klitschko, njëra prej raketave goditi ndërtesën e një qendre mjekësore, duke lënë së paku një person të vrarë.

Nga ana tjetër, forcat e armatosura ukrainase kanë shënjestruar rafineritë e naftës në Rusi, me synimin për t’ia vështirësuar Moskës operacionet ushtarake.

Këto sulme e kanë zemëruar Trumpin, në kohën kur Partia e tij Republikane përballet me një garë të ngushtë zgjedhore për të ruajtur kontrollin e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve.

Trump fajësoi gjithashtu homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, për mungesën e gatishmërisë për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër vendit të tij, duke pretenduar se ai “nuk dëshiron t’i japë fund kësaj lufte dhe ndoshta nuk e ka dashur kurrë këtë”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi për pasoja të rënda për Ukrainën, nëse Shtetet e Bashkuara ia ndërpresin mbështetjen.

“Nëse Shtetet e Bashkuara mbajnë anën e Rusisë, natyrisht se ne nuk do të mund të fitojmë”, tha Zelensky në emisionin “Meet the Press” të televizionit amerikan NBC, më 18 tetor.

“Ne duam t’i besojmë atij dhe shpresoj që ai do t’i ndryshojë vendimet e tij... Sepse, mendoj se të gjitha këto janë gabime që nuk do të na ndihmojnë as neve, as Shtetet e Bashkuara”, tha ai, duke iu referuar Trumpit.

Zelensky shtoi se shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës me SHBA-në, për të cilin Ukraina ka thënë se është ndërprerë në fillim të javës, duket se ka rifilluar.

“Jemi shumë mirënjohës për këtë”, tha Zelensky. “Tani po funksionon”.

Një javë më parë, Trump njoftoi në rrjetet sociale për një armëpushim që do të ndalonte sulmet ndaj objekteve energjetike, pa pasur një marrëveshje mes palëve.

Zelensky u shpreh i gatshëm t’i ndalte sulmet, por kërkoi që edhe Moska të vepronte njësoj.

Megjithatë, pasi Rusia vazhdoi sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, Zelensky tha se Kievi nuk do t’i ndalte në mënyrë të njëanshme sulmet e veta.

Moska nuk dha asnjë shenjë për mbështetjen e armëpushimit të shpallur nga Trump.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili, sipas mediave ruse, vizitoi një qendër komanduese ushtarake në fillim të javës, urdhëroi ushtrinë t’i vazhdonte sulmet “masive dhe të koordinuara” ndaj objektivave në Ukrainë.

Moska i ka përdorur edhe më parë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, për t’i bërë presion Kievit që t’i pranojë kërkesat e saj.

Këto sulme kanë lënë mijëra njerëz pa ngrohje dhe energji elektrike në temperatura nën zero.

Vendimi i Trumpit për të lehtësuar sanksionet ndaj Rusisë nxiti kritika të ashpra nga ligjvënësit e të dyja partive kryesore në SHBA, si dhe nga partnerët ndërkombëtarë të Ukrainës.

Ndërsa zyrtarë të administratës Trump, përfshirë sekretarin amerikan të Thesarit, Scott Bessent, e mbrojtën vendimin e presidentit, ligjvënësi republikan, Don Bacon, tha se veprimet që i ndihmojnë Kremlinit, “do të mbeten një kapitull shumë i turpshëm në historinë e Shteteve të Bashkuara”.

Ky material është pjesë e rubrikave
​
XS
SM
MD
LG