Ndërlidhjet

Zelensky: Rusia synon ta fusë Ukrainën në errësirë të plotë

Njerëzit ngrohen pranë një zjarri në një lagje të Kievit, e cila mbeti pa energji elektrike pas një sulmi rus në janarin e kaluar.
Njerëzit ngrohen pranë një zjarri në një lagje të Kievit, e cila mbeti pa energji elektrike pas një sulmi rus në janarin e kaluar.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se sulmet ruse gjatë natës kishin shënjestruar nënstacione elektrike në disa rajone të Ukrainës, duke lënë dhjetëra mijëra familje pa rrymë. Ndërkohë, zyrtarët ukrainas dhe rusë raportuan për viktima civile pas sulmeve me dronë të dielën.

Zelensky tha se Rusia ka kryer 76 sulme ndaj sektorëve të energjisë, naftës dhe gazit në Ukrainë gjatë javës që nga shpallja e një armëpushimi për infrastrukturën energjetike nga presidenti amerikan, Donald Trump. Më 11 tetor, Trump tha se i kishte kërkuar presidentit rus, Vladimir Putin, të respektonte një pauzë njëjavore në sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, për shkak të temperaturave të ulëta në Ukrainë.

“Gjatë javës së kaluar, Rusia lëshoi drejt Ukrainës afro 2.700 dronë sulmues, 1.700 bomba të telekomanduara ajrore dhe 66 raketa, shumica e të cilave raketa balistike”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale të dielën.

Duke e akuzuar Moskën se synon ta zhysë Ukrainën në errësirë të plotë energjetike, Zelensky shkroi: “Rusia nuk po ndërmerr hapa drejt paqes”.

Sipas Zelenskyt, gjatë sulmeve të natës u shënjestruan nënstacione elektrike në rajonet Vinitsia, Zhitomir, Hmelnitski dhe Odesa.

Zyrtarët ukrainas thanë se sulmet ruse vranë të paktën dy persona dhe plagosën disa të tjerë në Ukrainë.

Në qytetin Zaporizhja, në juglindje të vendit, u vra një grua 27-vjeçare, ndërsa dy persona të tjerë u plagosën, përfshirë një vajzë gjashtëvjeçare, njoftoi administrata ushtarake rajonale.

Sipas saj, sulmet dëmtuan dy ndërtesa banimi, 18 automjete dhe një institucion arsimor.

Në qytetin Poltava, në pjesën qendrore të Ukrainës, një sulm rus me dron vrau një grua dhe plagosi katër persona të tjerë, tha në Telegram kreu i administratës ushtarake të qytetit, Vitaliy Dyakivnych. Nëntë ndërtesa banimi u dëmtuan, disa prej tyre nga rënia e mbetjeve të dronëve.

Në rajonin perëndimor të Vinitsias, sulmet ruse me dronë ndaj infrastrukturës kritike shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike, njoftoi administrata ushtarake rajonale.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia kishte lëshuar 180 dronë luftarakë gjatë sulmeve të natës, prej të cilëve 152 u interceptuan. Sulme u regjistruan në 20 lokacione, sipas tyre.

Rusia raporton viktima dhe dëme në infrastrukturë

Në Rusi, një person u vra dhe pesë të tjerë u plagosën nga një sulm ukrainas me dronë në Shën Petersburg, tha të dielën guvernatori i qytetit, Aleksandr Beglov.

Sipas Beglovit, zjarre shpërthyen në terminalin e naftës në Shën Petersburg, në një depo nafte dhe në disa depo industriale. Po ashtu, u dëmtuan 12 ndërtesa banimi.

Kompania ruse e tregtisë elektronike Ozon tha se një dron goditi njërën prej qendrave të saj logjistike në Shën Petersburg, duke shkaktuar zjarr. Punonjësit u evakuuan dhe askush nuk u lëndua në objekt, njoftoi kompania.

Kompania e internetit VK tha se dronët kishin shënjestruar edhe qendrën e saj të të dhënave në rajonin e Leningradit, por shërbimet e saj vazhduan të funksiononin normalisht për përdoruesit.

Një dron goditi një urë të varur me kabllo, pjesë e autostradës së shpejtë në Shën Petersburg. Shkalla e dëmeve nuk ishte menjëherë e qartë.

Sulmet shkaktuan gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike në disa pjesë të rajonit. Sipas raportimeve, dy nënstacione elektrike në Yanino u shkëputën nga rrjeti, ndërsa pati ndërprerje të operacioneve në aeroportin Pulkovo të Shën Petersburgut.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se njësitë e mbrojtjes ajrore kishin rrëzuar 1.015 dronë ukrainas mbi rajone të ndryshme të Rusisë gjatë natës. Ky numër nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Sulmet me dronë shkaktuan ndërprerje edhe në trafikun ajror në gjithë Rusinë. Më shumë se 350 fluturime u vonuan ose u anuluan gjatë natës së 17 tetorit në katër aeroportet e Moskës, pasi autoritetet vendosën kufizime mes raportimeve për sulme ukrainase me dronë në rajonin e Moskës.

Këto shifra u bazuan në tabelat e nisjeve dhe mbërritjeve të aeroporteve, të shqyrtuara nga mediumi i pavarur rus, Meduza.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se mbrojtja ajrore ruse kishte shkatërruar 75 dronë që po drejtoheshin drejt kryeqytetit. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se më shumë se 600 dronë ishin shkatërruar ose interceptuar në gjithë vendin gjatë natës, raportoi agjencia e lajmeve Interfax.

Edhe aeroportet në Penza, Saratov dhe Soçi pezulluan operacionet.

Ky material është pjesë e rubrikave
​
XS
SM
MD
LG