Ndërlidhjet

Stoltenberg: Aleatët perëndimorë duhet të 'qëndrojnë së bashku' kundër Rusisë


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Vendimi i presidentit rus, Vladimir Putin, për të vënë në gatishmëri forcat e tij bërthamore përbën sjellje "të papërgjegjshme", tha NATO të dielën, më 27 shkurt.

"Kjo është një retorikë e rrezikshme. Kjo është një sjellje e papërgjegjshme", tha sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, raportoi CNN.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa duhet "të qëndrojnë vërtet së bashku" në përgjigje të agresionit ushtarak të Rusisë dhe "retorikës kërcënuese", tha Stoltenberg, duke shtuar se aleanca "nuk dëshiron luftë".

“NATO nuk dëshiron luftë me Rusinë, ne nuk kërkojmë konfrontim”, tha ai për BBC World.

"Ne jemi (një) aleancë mbrojtëse, por duhet të sigurohemi që të mos ketë vend për keqkuptime, llogaritje të gabuara në lidhje me aftësinë tonë për t’u mbrojtur dhe për t’i mbrojtur aleatët".

NATO do të vendosë forcën e saj të reagimit të shpejtë për herë të parë për të forcuar krahun e saj lindor përballë pushtimit rus të Ukrainës.

SHBA dhe Evropa “duhet të qëndrojnë vërtet së bashku... ndaj veprimeve agresive të Rusisë kundër Ukrainës, por edhe retorikës kërcënuese që vjen nga Moska”, tha Stoltenberg.

"Kjo është pikërisht ajo që ne bëjmë duke forcuar praninë ushtarake të NATO-s në lindje."

Stoltenberg tha se Rusia "po kryente një pushtim ushtarak në shkallë të plotë të një kombi sovran dhe paqësor" dhe se nuk kishte "asnjë dyshim" se presidenti Vladimir Putin ishte përgjegjës.

Ky hap është i fundit i NATO-s që synon të forcojë mbrojtjen e saj pasi aleatët e udhëhequr nga SHBA-ja nxituan të dërgojnë mijëra trupa drejt anëtarëve lindorë ndërsa Kremlini lëvizte në Ukrainë.

Por, "përgjegjësi kryesore dhe detyrë kryesore" e NATO-s mbetet të parandalojë një sulm kundër një vendi anëtar, tha Stoltenberg.

"Ukraina është një partner shumë i vlerësuar, ne e mbështesim atë, por Ukraina nuk mbulohet nga i njëjti lloj sigurie, siguri absolute... që vlen për aleatët e NATO-s".

Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

XS
SM
MD
LG