Ndërlidhjet

Studentët në protestë kundër Qeverisë Rama: Çfarë kërkojnë dhe pse u përshkallëzua situata?

Një person duke valëvitur një flamur kombëtar shqiptar teksa studentë zhvillonin protestë antiqeveritare në Tiranë, Shqipëri, më 13 tetor 2026.
Një person duke valëvitur një flamur kombëtar shqiptar teksa studentë zhvillonin protestë antiqeveritare në Tiranë, Shqipëri, më 13 tetor 2026.

Qindra studentë dhe qytetarë protestuan për rreth nëntë orë më 13 tetor në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e Qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të cilën e akuzojnë për korrupsion, keqqeverisje dhe mungesë perspektive për të rinjtë.

Protesta, e cila nisi para Ministrisë së Arsimit me kërkesa për kushte më të mira studimi, tarifa më të përballueshme dhe mundësi punësimi, u përshkallëzua në përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës publike e private.

Protestuesit hodhën gurë dhe mjete piroteknike drejt institucioneve dhe policisë, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e tyre. Një grup protestuesish hyri edhe në ambientet e Bashkisë së Tiranës, ku u thyen xhama dhe u shkaktuan dëme materiale. Në rrugët e kryeqytetit u dogjën kosha mbeturinash dhe u dëmtuan disa biznese.

Sipas autoriteteve shëndetësore, 27 persona morën trajtim mjekësor pas protestës, përfshirë protestues, policë, gazetarë, kalimtarë dhe një diplomat të huaj. Shtatë prej tyre vazhdonin trajtimin në Spitalin e Traumës mëngjesin e 14 tetorit dhe ishin jashtë rrezikut për jetën. Mbi 50 persona u shoqëruan në polici.

Një demonstrues duke u trajtuar pas prekjes nga gazi lotsjellës, më 13 tetor.
Një demonstrues duke u trajtuar pas prekjes nga gazi lotsjellës, më 13 tetor.

Ndërkohë, pretendimet e protestuesve për përdorim të tepruar të forcës nga policia kanë nxitur hetime.

Pas publikimit të pamjeve ku shihej një 19-vjeçar me këmbë të dëmtuar, teksa shoqërohej nga policët, Policia e Shtetit pezulloi nga detyra katër efektivë dhe shefin e rendit në një prej komisariateve të Tiranës.

I riu pësoi frakturë në këmbë, por rrethanat e lëndimit mbeten të paqarta. Autoritetet kanë nisur hetime, ndërsa Policia ka paralajmëruar përgjegjësi për çdo tejkalim të kompetencave. Edhe Avokati i Popullit ka nisur shqyrtimin e proporcionalitetit të përdorimit të forcës.

Çfarë kërkojnë protestuesit?

Pakënaqësitë që nxorën studentët në rrugë lidhen me kushtet në universitete, koston e studimeve, mungesën e mbështetjes financiare dhe vështirësitë për të gjetur punë pas diplomimit.

Por, protesta e 13 tetorit kishte edhe një kërkesë politike: largimin e Qeverisë Rama.

Arvina Lleshi, aktiviste dhe një nga organizatoret e protestës, tha për Radion Evropa e Lirë se protestuesit nuk synojnë më të negociojnë me qeverinë për përmbushjen e kërkesave të veçanta.

Protesta antiqeveritare në Tiranë, më 13 tetor.
Protesta antiqeveritare në Tiranë, më 13 tetor.

“Ne nuk kemi kërkesa që t’ia drejtojmë Ministrisë së Arsimit apo Qeverisë dhe të diskutojmë për plotësimin e tyre. Ka vetëm një kërkesë: Largimin e Qeverisë Rama. Pa dorëheqje, nuk ndalojmë”, tha Lleshi.

Ajo e lidhi protestën studentore me tubimet e lëvizjes “Revolucioni Flamingo”, që po zhvillohen prej më shumë se katër muajsh në Tiranë kundër qeverisë. Sipas saj, mungesa e përgjigjes nga autoritetet i ka shtyrë organizatorët drejt përshkallëzimit të protestave.

Lëvizja “Revolucioni Flamingo” nisi si kundërshtim ndaj një projekti turistik luksoz në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, për shkak të shqetësimeve për ndikimin në mjedis, por gradualisht u shndërrua në një mobilizim më të gjerë kundër korrupsionit, pabarazisë ekonomike dhe mënyrës së qeverisjes.

Sipas platformës së publikuar nga lëvizja, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, formimin e një qeverie teknike kalimtare dhe organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ata kërkojnë gjithashtu anulimin e projektit turistik në Zvërnec dhe shfuqizimin e ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura dhe të ligjit për investimet strategjike, që i konsiderojnë abuzive.

Aktivistët e saj kanë kritikuar si kryeministrin Rama, ashtu edhe figura të opozitës, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe ligjore. Në protestën e 13 tetorit morën pjesë edhe përfaqësues të opozitës.

Qeveria e Shqipërisë nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment lidhur me protestën dhe thirrjet për dorëheqjen e saj deri në publikimin e këtij shkrimi.

Megjithatë, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dënoi përmes rrjeteve sociale dhunën ndaj institucioneve, sulmet ndaj policisë dhe dëmtimin e pronës publike.

Ajo theksoi se dhuna nuk është mënyrë për të shprehur pakënaqësinë, por nuk iu përgjigj drejtpërdrejt kërkesës politike të protestuesve për largimin e qeverisë.

Çfarë pritet më tej?

Pas protestës së 13 tetorit, studentët kanë bërë thirrje për bojkot të mësimit më 14 tetor dhe vazhdimin e tubimeve, duke synuar përfshirjen e studentëve edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë.

Organizatorët i janë referuar protestave studentore të vitit 2018, duke argumentuar se kërkesat e asaj kohe nuk janë përmbushur plotësisht.

Në dhjetor të vitit 2018, mijëra studentë protestuan kundër tarifave të larta universitare, kostove të provimeve të mbartura dhe kushteve të dobëta të jetesës në konvikte, duke paraqitur tetë kërkesa për reformimin e arsimit të lartë.

Tiranë, 13 tetor.
Tiranë, 13 tetor.

Qeveria mori disa masa, përfshirë uljen e tarifave, por pakënaqësitë lidhur me financimin e universiteteve, cilësinë e arsimit dhe përfaqësimin e studentëve vazhduan.

Tetë vjet më vonë, protesta e re ka shkuar përtej kërkesave arsimore, duke vënë në qendër përgjegjësinë politike të qeverisë.

​
XS
SM
MD
LG