Ndërlidhjet

Studentët vazhdojnë protestat, refuzojnë dialogun


Protestat e studentëve në Tiranë.

Studentët e Universitetit të Tiranës kanë vazhduar protestat e tyre edhe të shtunën kundër Qeverisë së Shqipërisë duke kërkuar uljen e tarifave të shkollimit dhe përmirësim në cilësinë e arsimit publik.

Ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka dalë ne rrugë për të tentuar të dialogojë me studentët që po protestojnë, por ajo u prit me brohoritma kundërshtuese nga ana e tyre.

Ajo, përmes një postimi në Facebook ka thënë se si ka mundësi të protestohet dhe të mos dialogohet.

“Si mundet që një protestë kaq e mbarë në qëllimin e saj të afishuar, të mos artikulojë akoma një përfaqësi për dialog me qeverinë?”, shkruan Nikolla.

Studentëve në proteste iu bashkuan fillimisht edhe banorët e lagjes “Astiri” në Tiranë, të cilët ditë më parë ishin përleshur me policinë. Protesta e tyre kishte për shkak projektin e Unazës së re në Tiranë, ndërtimi i së cilës prek vendbanimet e qindra banorëve, prona këto të zhytura në konteste pronësore me komunën.

Disa forca të Policisë së Shtetit u rreshtuan para Ministrisë se Arsimit, duke krijuar një kordon ndarës mes protestuesve dhe institucionit.

Studentët refuzuan mbështetjen e këtyre banorëve, duke thënë nuk duan që protesta e tyre të politizohet. Pasi këta banorë u larguan, edhe Policia e Shtetit u tërhoq.

Për ditën e katërt me radhë, studentët kanë marshuar në kryeqytetin e Shqipërisë dhe kanë refuzuar thirrjet e institucioneve për dialog, duke thënë se nuk duan negociata, por vendime për përmbushje të kërkesave të tyre.

Ata kërkojnë ulje tarifash, përmirësim të cilësisë së arsimit publik, përmirësim të kushteve në konviktet ku ata jetojnë si dhe një sërë pikash të tjera që kanë të bëjnë me përfaqësimin e tyre në bordet administrative.

Edhe pse me kërkesa të ripërsëritura për mospolitizim dhe mospërfshirje të partive politike në protesta nga ana e studentëve, atyre u kanë dalë në mbështetje opozita shqiptare.

Në një tubim për të shënuar 28-vjetorin e protestave të studentëve të vitit 1990, që pasuan me rrëzimin e komunizmit në Shqipëri në vitin 1991, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha mbështeti këtë protestë, duke e quajtur atë “dhjetori i dytë”.

“Sot në frymëzohemi nga 8 dhjetori i 1990 dhe ti drejtojmë një apel prindërve të studentëve të dhjetorit të dytë: mos heshtni, mos kini frikë, ngrihuni e bashkohuni me ta kundër padrejtësisë, vjedhjes, të keqes. E keqja zmbrapset kur populli bëhet bashkë”, tha Basha.

Si përgjigje ndaj protestës, të enjten, Ministria e Arsimit u pajtua të heqë pagesat për provimet e mbartura.

Ndërsa të premten, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla u ka dhënë një shkresë zyrtare protestuesve duke thënë se do të rishikojnë kërkesat e tyre dhe do të ngrisin ekipe punuese për t’i adresuar ato.

“Nuk ka negociata” dhe “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, brohoritën studentët pasi panë këtë letër dhe thanë se nuk do të tërhiqen deri në përmbushje të plotë të kërkesave të tyre.

Edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, që kohë më parë i kishte quajtur “ngelës” studentët që i kanë mbartur provimet, i ka ftuar ata për dialog duke thënë se “detyra ime është t’i dëgjoj dhe t’i mbështes”.

“Jam ngelës sepse më duhet të punoj për të paguar shpenzimet e shkollimit dhe jetesës. Prindërit nuk kanë lekë”, tha një student në protestë.

Qeveria e Shqipërisë thotë se tarifat nuk i përcakton ministria por ato caktojnë universitetet.

Megjithatë, protestuesit pohojnë të kundërtën, duke thënë se është Qeveria ajo që ka caktuar çmimet tavan.

Tarifat vjetore për studentët në universitetet shtetërore të Shqipërisë, varirojnë nga 25 mijë lekë (rreth 200 euro) deri në 40 mijë lekë (rreth 325 euro) në ciklin e parë të studimeve (bachelor).

Ndërsa, për ciklin e dytë të studimeve, sipas profilit që ndjekin, tarifat varirojnë nga 63 mijë (rreth 510 euro) deri në 204 mijë lekë (rreth 1,600 euro).

Këto tarifa konsiderohen të jenë ndër më të lartat në Evropë për universitetet publike, në kohën kur shumë shtete si Gjermania dhe vendet e Skandinavisë kanë hequr tërësisht pagesat për shkollimin publik.

Shqipëria vazhdon të jetë ndër shtetet më të varfra në Evropë.

XS
SM
MD
LG