Ndërlidhjet

Partitë, me oferta për subvencionim të pagës në sektorin privat


Fermer në Kosovë - Foto nga arkivi

Subvencionimi i pagës për punonjësit e rinj në sektorin privat, është një nga premtimet që po dëgjohet shpesh në kuadër të tubimeve të partive politike me qytetarë, në kuadër të fushatës zgjedhore.

Zotimet shkojnë deri te premtimet për subvencionim deri në 50 për qind të pagave për punëtorët e rinj në kompanitë private në funksion, të siç thuhet, rritjes së shkallës së punësimit.

Kosova përbën një nga vendet e rralla ku sektori publik është më tërheqës për punësim sesa ai privat, ndonëse fuqia më e madhe punëtore është e përqendruar në sektorin privat. Andaj, partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 6 tetor, po përpiqen ta joshin me ofertat e tyre edhe këtë sektor.

Subvencionimi i pagave, nënkupton një ndihmë nga Qeveria për bizneset, përmes së cilës synohet krijimi i mundësive të reja të punësimit, thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike. Sipas tyre, ky projekt, apo subvencionimi, mund të realizohet nëse shpërndarja e buxhetit realizohet në mënyrë të duhur. Sidoqoftë, nuk mungon as skepticizmi i tyre rreth realizimit të këtij premtimi pas formimit të qeverisë së re të Kosovës.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se ky projekt është i realizueshëm, por kërkon gatishmëri politike dhe mundësi financiare për zbatim. Ai thotë, po ashtu, se realizimi i një projekti të tillë është kërkuar disa herë edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës.

“Kjo mund të shihet sipas mundësive buxhetore. Por, mendoj se ka hapësirë për realizim. Është pjesa e buxhetit që shpenzohet për infrastrukturë, në disa raste edhe pa arsye dhe shuma e buxhetit që shpenzohet për skema sociale për njerëz që faktikisht nuk punojnë, pra më shumë stimulohet dembelia se sa i krijohet ndonjë mirëqenie. Në këto raste ka hapësirë të ketë kursime të caktuara buxhetore që mund të ndihmonin në realizimin e një skeme të subvencionimit të pagave për vende pune për ata investitorë që krijojnë vende të reja të punës”, thotë Rukiqi.

Edhe eksperti për çështje ekonomike, Naim Gashi, konsideron se me një menaxhim më efikas të buxhetit të Kosovës, ky premtim mund të përmbushet.

“Besoj se ekziston mundësia që të subvencionohen pagat në sektorin privat, sidomos pagat për të rinjtë, gratë dhe personat që kanë problem të përfshihen në tregun e punës. Unë mendoj se nëse ndryshon praktika e shpërndarjes së buxhetit për paga, mëditje, skema sociale dhe për asfalt, projekti mund të realizohet”.

“Sektori privat ka nevoja jashtëzakonisht të mëdha për mbështetje. Sektori privat është bartës i zhvillimit ekonomik të Kosovës. Ka rreth 250 mijë punëtorë në sektorin privat që me taksat e tyre, bashkë me biznese, financojnë rreth 400 mijë persona, të cilët marrin të ardhura nga shteti, qoftë përmes pagave apo skemave të ndryshme sociale”, thotë Naim Gashi.

Por, si Gashi, ashtu edhe Rukiqi nuk e përjashtojnë si mundësi që pas përfundimit të zgjedhjeve dhe formimit të qeverisë së re, ky projekt do të heshtet.

Berat Rukiqi thotë se është skeptik që një projekt i tillë do të realizohet, duke thënë se premtimet e tilla mund të mbesin në kuadër të fushatës.

“Shpeshherë jam skeptik, pasi këto janë vetëm premtime në nivel fushate. Edhe në vitin e kaluar kur është miratuar buxheti i Kosovës,Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar që të zvogëlohen skemat sociale prej 100 milionë euro që të mund të krijohen 10 mijë vendet të reja të punës. Por, për këtë duhet vendim. Praktikat na tregojnë se shpeshherë premtimet e fushatës janë të parealizueshme”, thekson Rukiqi.

Ndërkaq, Naim Gashi dyshon në përmbushjen e këtij premtimi, pasi sipas tij, kjo më shumë po përdoret si mjet për të siguruar vota.

Gashi thotë se partitë politike po premtojnë subvencionimin e pagave, por nuk po tregojnë burimin e mjeteve financiare.

“Aktualisht, nuk ka pasur një premtim të saktë se cili është burimi i këtyre mjeteve. Gjithmonë nënkuptohet se do të jetë nga buxheti i Kosovës, mirëpo mos të harrojmë se rritja e shpenzimeve buxhetore nënkupton edhe rritjen e të hyrave apo ridestinimin e mjeteve. Mirëpo, se sa është serioz ky premtim, unë dyshoj shumë, sepse edhe në fushatën e kaluar ka pasur premtime të ngjashme”, pohon Gashi.

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit. Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës ( ASK)është 25.3 për qind.

Kurse shkalla e punësimit sipas Anketës se Fuqisë Punëtore të ASK-së, në tremujorin e dytë të këtij viti, thuhet se është 29.8 për qind

Nga kjo shifër, në sektorin privat, llogaritet që punojnë rreth 250 mijë punëtorë, me pagë mesatare 410 euro në muaj.

Ndërkaq, numri i punëtorëve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 82 mijë. Paga mesatare në këtë sektor, në vitin 2018 ishte 573 euro.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG