Ndërlidhjet

Sulmi kibernetik lë pa paga punonjësit shëndetësorë dhe lehonat


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Sistemi i Fondit Shëndetësor në Maqedoninë e Veriut të hënën ka arritur të kthejë një pjesë të funksioneve të sistemit elektronik pas dy javësh sa ishte tërësisht i bllokuar, shërbimin “termini im” që mundëson caktimin e kontrolleve te mjeku, si dhe qasjen deri te sigurimi shëndetësor.

Sistemi i Fondit për Sigurim Shëndetësor nga 6 shkurti ishte tërësisht jashtë funksionimit pas një sulmi kibernetik.

Nga Fondi për Sigurim Shëndetësor kanë theksuar se shpresojnë që deri në fund të ditës të vihet në funksion edhe sistemi për pagesën e pagave të personelit mjekësor, pushimeve të lehonisë dhe pagesave tjera.

Punonjësit shëndetësorë në protesta

Por, vonesa e pagës për shkak të bllokimit të sistemit të Fondit për shëndetësi, ka nxjerrë në protesta mantelbardhët.

Sindikatat e pavarura të mjekëve kanë theksuar se nëse nuk bëhet ekzekutimi i pagës së janarit, do t’i radikalizojnë protestat.

“Këtu kemi njerëz, të cilët punojnë për ekzistencë me një pagë shumë të ulët prej 18 mijë denarëve (rreth 300 euro). Të gjithë nga personeli mjekësor nuk duhet të kenë frikë të dalin këtu për të protestuar pasi ajo që kërkojnë është e drejtë e tyre ligjore”, ka deklaruar Renata Gjokonoviq, kryetare e Sindikatës së pavarur të spitalit “8 Shtatori” (ish-Spitali Ushtarak) në Shkup.

Ajo ka pyetur se kush do t’i mbulojë shpenzimet shtesë për shkak të mospagesës së kësteve të kredive që kanë shumica e personelit mjekësor.

Protesta e punëtorëve shëndetësorë në spitalin “8 Shtatori”, Shkup.
Protesta e punëtorëve shëndetësorë në spitalin “8 Shtatori”, Shkup.

"Bëhet fjalë për sulm kibernetik"

Autoritetet e vendit sulmin kibernetik gjatë javës së kaluar e kanë cilësuar si pjesë të luftës hibride që zhvillohet në Evropë, pas agresionit rus në Ukrainë. Sipas tyre, ekspertë nga Maqedonia e Veriut dhe vendet anëtare të NATO-s janë duke punuar për zgjidhjen e këtij problemi.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, sulmin e hakerëve në sistemin e Sigurimit Shëndetësor e ka cilësuar si sulm terrorist, por pa dhënë detaje se nga kush vjen sulmi.

“Unë shpesh flas për sfidat që na shoqërojnë me vite, përskaj migrimit një prej sfidave kryesore do të jetë edhe terrorizmi, ndërkaq sulmet e hakerëve janë pjesë e atyre sulmeve terroriste”, ka theksuar Spasovski.

Raporti revizor nxjerr në pah mungesën e kuadrit për teknologji informative

Ndryshe, në Raportin e fundit për vitin 2022 të Entit Shtetëror për Fondin e Sigurimit Shëndetësor, si çështje problematike apostrofohet dhe mosmiratimi i strategjisë së teknologjisë informative për zhvillimin e sistemit të informacionit, për mbrojtjen e të dhënave, si dhe funksionimin e sistemit në rast të fatkeqësive të mundshme dhe sulmeve eventuale.

Në raport gjithashtu theksohet se në vitin 2021 Fondi për Sigurim Shëndetësor ua ka paguar rreth 282.000 euro për mirëmbajtje të sistemit kompanive private, ndërsa në vitin 2020 për këtë çështje janë paguar mbi 300.000 euro.

Ekspertët e teknologjisë informative thonë se është koha e fundit që autoritetet e vendit ta kuptojnë seriozitetin e sigurisë së të dhënave në institucionet e shtetit dhe të investojnë në kuadrin profesional në këtë lëmi.

Goce Arsovski, programues i teknologjisë informative, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet e shtetit duhet ta kuptojnë seriozitetin e sigurisë kibernetike dhe dëmin e madh që mund të shkaktohet - jo vetëm bllokimi i sistemit, por edhe rrjedhja e informacionit.

“Problemi me sigurinë kibernetike [cyber security] kërkon zgjidhje sistematike. Kjo që shohim sot është zgjidhje parciale sa të shpëtohet situata”, thekson Arsovski.

Ai njëherësh nënvizon se pas sulmit të përmasave të këtilla që ka pësuar sistemi i Fondit Shëndetësor, askush nuk mund të garantojë se nuk ka rrjedhje të të dhënave të qytetarëve.
Do theksuar se Sistemi i Fondit Shëndetësor mundëson kontrollin e sigurimit shëndetësor, si dhe zgjedhjen e mjekut amë nga ana e qytetarëve.

Përmes këtij sistemi, punonjësit shëndetësorë kanë qasje deri tek informacionet që kanë të bëjnë me pasqyrën shëndetësore për pacientët e tyre, si dhe shërbimet tjera.

XS
SM
MD
LG