Ndërlidhjet

Takimi Rubio-Lavrov për luftën në Ukrainë mbaron pa ndonjë përparim e me pak optimizëm

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov (i pari djathtas) merr pjesë në një takim me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio (i pari majtas) më 23 korrik.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov (i pari djathtas) merr pjesë në një takim me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio (i pari majtas) më 23 korrik.

Diplomatët më të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë u takuan të enjten duke ringjallur përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Moskës në Ukrainë, e cila ka hyrë në vitin e pestë. Megjithatë, të dyja palët lanë të kuptohej se nuk pati ndonjë përparim të ri apo arsye për optimizëm.

Takimi mes sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u zhvillua në një kohë kur përpjekjet e SHBA-së për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje janë bllokuar, pasi administrata Trump ka zhvendosur vëmendjen te lufta me Iranin, dhe Kremlini nuk ka dhënë asnjë shenjë se po zbut kërkesat lidhur me luftën.

Pas takimit, i cili zgjati vetëm 35 minuta, Rubio i përshkroi bisedimet si "të mira" dhe "të sinqerta", por tha se do të nevojiten propozime të reja, pasi idetë e mëparshme për paqe nuk kanë dhënë fryt.

Ai nuk pranoi të japë hollësi.

"Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të luajnë rol konstruktiv për t’i dhënë fund një lufte të pakuptimtë", tha Rubio për Radion Evropa e Lirë.

I pyetur nëse takimi kishte sjellë ndonjë përparim, Rubio hodhi poshtë pritshmëritë për përparim të shpejtë.

"Mendoni se e zgjidhëm luftën në Ukrainë gjatë 30 minutave tona këtu në Azi? Nuk funksionon kështu", tha ai.

Më vonë, kur Radio Evropa e Lirë e pyeti Lavrovin se kur do ta ndalojë luftën Rusia, ai ose e injoroi pyetjen, ose nuk e dëgjoi.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se Lavrov shprehu pakënaqësinë e Moskës për furnizimet amerikane me armë për Ukrainën dhe akuzoi aleatët evropianë të Ukrainës për "politika destabilizuese", të cilat synojnë një "humbje strategjike" të Rusisë.

Sipas Ministrisë, Lavrov ngriti edhe çështjen e një takimi mes presidentëve Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaskë.

Kremlini ka këmbëngulur se Trump dhe Putin kishin arritur në Alaskë marrëveshje të rëndësishme për përfundimin e luftës në Ukrainë. Rubio dhe zyrtarë të tjerë amerikanë e kanë mohuar vazhdimisht këtë pretendim.

"Do të duhet të gjejmë sugjerime dhe ide të reja", u tha Rubio gazetarëve. "Sigurisht, ajo që ishte propozuar më parë nuk ishte e pranueshme për Ukrainën në atë kohë dhe nuk besoj se është e pranueshme as tani. Madje, ndoshta është edhe më pak e pranueshme".

Sipas Rubios, çdo marrëveshje e mundshme paqeje ka gjasa të kërkojë "ide të reja dhe disa koncepte të reja".

Ai tha se Uashingtoni është i gatshëm të kontribuojë me propozime, "nëse paraqitet mundësia dhe kushtet janë të përshtatshme".

I pyetur për takimin Rubio-Lavrov, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se Moska nuk ishte tepër optimiste.

Në fushëbetejë, trupat ukrainase kanë arritur t’i ndalin përparimet e forcave ruse, të cilat vazhdojnë të çajnë përpara me ritëm shumë të ngadaltë, duke pësuar humbje jashtëzakonisht të mëdha. Fushata ukrainase me dronë me rreze të gjatë veprimi ka goditur rëndë rafineritë ruse të naftës, ndërsa Rusia vazhdon të shkatërrojë qytetet ukrainase me raketa balistike dhe dronë.

Mes kërkesave të tjera, Rusia vazhdon të ngul këmbë në kontroll të plotë mbi pjesët e pushtuara të Ukrainës lindore, ndërsa Kievi refuzon çdo lëshim territorial.

Rubio tha se Rusia po humb "mbi 5.000 deri në 6.000 ushtarë në javë", ndërsa theksoi se edhe Ukraina ka paguar "një çmim të jashtëzakonshëm", duke përmendur viktimat civile dhe shtimin e sulmeve ndaj Kievit.

Ai tha se si Rusia, ashtu edhe Ukraina kanë arsye të forta për t’i dhënë fund luftës, por pengesa kryesore mbetet gjetja e kushteve që janë të pranueshme për të dyja palët.

"Kjo ka qenë sfida: një fund që të dyja palët mund ta pranojnë", tha ai.

Propozimet e mëparshme të pazbatueshme

Që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022, Uashingtoni ka qenë furnizuesi më i madh individual i Ukrainës me armë dhe pajisje ushtarake.

Ky furnizim është ngadalësuar qëkurse Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025, megjithëse armët vazhdojnë të dërgohen përmes aleatëve evropianë – gjë që ka zemëruar Moskën.

I pyetur nëse Lavrov i kishte kërkuar Uashingtonit të ndalonte furnizimin me armë për Ukrainën, Rubio tha se politika amerikane nuk ka ndryshuar. Ai theksoi se SHBA-ja vazhdon të shesë armë përmes mekanizmave të NATO-s, ndërsa njëkohësisht vazhdon përpjekjet diplomatike.

"Ne duam që lufta të përfundojë. Jemi të gatshëm të luajmë çdo rol pozitiv që mundemi për t’i dhënë fund luftës", tha Rubio.

Ai paralajmëroi se një marrëveshje do të kërkojë negociata të gjata dhe jo vetëm një takim.

"Kjo nuk do të ndodhë në një konferencë për shtyp. Nuk do të ndodhë në një takim këtu në Filipine", tha ai.

Rubio shtoi se Trump mbetet i përqendruar në përfundimin e konfliktit, në mënyrë që "njerëzit të mos vdesin më", Ukraina të mund të rindërtohet dhe ushtarët e rinj rusë të mos vazhdojnë të humbin jetën.

"Ai mendon se kjo është luftë e kotë. Ai mendon se është një luftë e pakuptimtë", tha Rubio.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse Trump dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mund të takohen së shpejti, Rubio tha se zyrtarët amerikanë mbeten në kontakt të vazhdueshëm me Kievin dhe se janë takuar me përfaqësuesit ukrainas shumë më shpesh sesa me zyrtarët rusë.

Rubio tha gjithashtu se nuk e kishte diskutuar luftën e Rusisë në Ukrainë me ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi, gjatë një takimi të veçantë, pasi, sipas tij, të dyja palët kishin "shumë çështje të tjera për të diskutuar".

XS
SM
MD
LG