Ndërlidhjet

Thaçi cakton seancën konstituive të Kuvendit më 3 gusht


Thaçi: Shpejt do ta shpalli datën për seancën e parë të Kuvendit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:26 0:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës, që të mbahet më datën 3 gusht, në orën 10:00.

Kryetarin dhe Kryesinë e Legjislaturës së Pestë të Kuvendit të Kosovës, në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi, presidenti Thaçi i ka udhëzuar që të përgatisin edhe propozimin e rendit të ditës, thuhet në një njoftim për media të Presidencës.

Këtë vendim, i cili ka hyrë në fuqi sot, presidenti Thaçi e ka marrë duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Presidentin e Republikës së Kosovës, si dhe duke marrë parasysh vendimin e datës 8 korrik 2017, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të 11 qershorit 2017”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Më herët gjatë ditës së hënë, presidenti Thaçi takoi përfaqësuesit e disa subjekteve politike që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Ftesës së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për takimi konsultativ me subjektet politike, i janë përgjigjur vetëm koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, si dhe përfaqësuesit e subjekteve që përfaqësojnë pakicat joserbe.

Presidenti Thaçi, gjatë takimit paralajmëroi se do ta caktonte datën për seancën konstituive të kuvendit të Kosovës.

Ju njoftoj se në përputhje me kompetencat e mia si president i vendit, shumë shpejt do ta shpalli datën e mbajtjes së seancës së parë të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, theksoi Thaçi.

Gjatë takimit konsultativ me presidentin e Kosovës, përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës që është pjesë e koalicionit PAN, Enver Hoxhaj, ka thënë se formimi i Kuvendit dhe i Qeverisë është domosdoshmëri e ngutshme, për shkak se vendi ka nevojë për vendimmarrje të fuqishme dhe reforma të brendshme.

Ne mendojmë se i kemi numrat e nevojshëm si shumicë parlamentare që ta bëjmë hapin e parë të konstituimit të Kuvendit dhe mandej, në të njëjtën kohë edhe për formimin e Qeverisë”, ka thënë Hoxhaj.

Vetëvendosje, LDK, AKR dhe Lista Serbe nuk morrën pjesë në takimin e thirrur nga president Thaçi
Vetëvendosje, LDK, AKR dhe Lista Serbe nuk morrën pjesë në takimin e thirrur nga president Thaçi

Në anën tjetër, pjesëmarrjen në takimin me presidentin Thaçi e kanë refuzuar subjektet politike të radhitura pas koalicionit PAN, Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, por edhe Lista Serbe. Përfaqësuesit e këtyre subjekteve nuk kanë pranuar që të marrin pjesë në këtë takim.

Ditën e premte, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e kanë quajtur të panevojshëm takimin e ftuar nga presidenti Thaçi.

Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt politik i dytë më i madh për kah numri i votave në Kuvendin e Kosovës, përmes rrjetit social Facebook ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e presidentit Thaçi, duke thënë se nuk kanë “asnjë obligim ligjor që të shkojnë në këtë takim” .

Ngjashëm, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka paralajmëruar edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili ka theksuar se “ takimet e tilla janë të panevojshme dhe se ato po krijojnë hapësirë për huti dhe konfuzion dhe për të blerë kohë”.

Ditën e dielë edhe Lista Serbe kishte paralajmëruar se nuk do të jetë pjesë e takimit konsultativ të ftuar nga presidenti Thaçi.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se do t’i përgjigjet vetëm ftesës për verifikimin e mandateve, në përputhje me ligjin, por “nuk dëshiron që populli serb të gjendet ndërmjet dy përplasjeve” dhe se pasi që të dihet emri i mandatarit për formimin e Qeverisë “do të bëj konsultime me Beogradin dhe do të sjell vendimin për ndonjë koalicion eventual”.

Sidoqoftë, konstituimi i Kuvendit të Kosovës, do të hapë rrugën që Presidenti i vendit t’i jap mandatin njërit prej kandidatëve të propozuar për kryeministër që ta krijojë qeverinë e re dhe në këtë rast, në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit, kandidatit të koalicionit PAN-it, Ramush Haradinaj. Për formimin e Qeverisë së re, nevojiten së paku 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i cili i ka 120 ulëse.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG