Ndërlidhjet

LVV dhe LDK ende pa marrëveshje

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, ku gjendet edhe Presidenca e Kosovës.
Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, ku gjendet edhe Presidenca e Kosovës.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk kanë arritur marrëveshje politike më 5 gusht.

Pas takimit në ambientet e Kuvendit, Kurti tha për gazetarët se “nuk kemi lajme përderisa s’kemi marrëveshje”.

“Kur ta realizojmë marrëveshjen do të mund të ju njoftojmë”, tha Kurti.

Ndërkaq, Abdixhiku nuk është deklaruar për media pas takimit.

Kurti dhe Abdixhiku u takuan edhe një ditë më parë, por edhe pas tre orësh takim, nuk u pajtuan për një marrëveshje politike për krijimin e institucioneve.

Megjithatë, takimi i së mërkurës ndodhi disa orë pasi eksponentë të LDK-së deklaruan se partia e tyre kërkon postin e presidentit.

Pas takimit të 4 gushtit, Kurti dhe Abdixhiku shprehën qëndrime të ndryshme sa i përket presidentit – moskonsensusi për të cilin muaj më parë mes partive nxiti zgjedhjet e 7 qershorit.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, insistoi se Kosovës i duhet një president konsensual, jopartiak, ndërkaq udhëheqësi i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se president konsensual është kushdo që i merr 80 vota të deputetëve.

Në zgjedhjet e qershorit, LDK-ja garoi me Vjosa Osmanin edhe për një mandat në krye të shtetit.

Më 6 gusht pritet të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së njëmbëdhjetë. Me konstituimin e organit ligjvënës, nis edhe rrjedhja e afateve për formimin e Qeverisë, por edhe të presidentit.

Deputetët më pas do të ketë kohë 60 ditë për të zgjedhur një president, në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjedhje – të katërtat që nga shkurti i vitit 2025.

LVV-ja ka fituar 58 mandate dhe së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë ka votat e mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re, pasi për to kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 deputetësh.

Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.

XS
SM
MD
LG