Ndërlidhjet

Xhaferi: Pas incidentit, tani atmosferë e mirë në Kuvendin e Maqedonisë


Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi

Kuvendi i Maqedonisë e mbështet plotësisht planin e Qeverisë për përshpejtimin e procesit integrues evropian, ka thënë kryekuvendari, Talat Xhaferi.

Këto komente, ai i ka bërë gjatë prezantimit të punës fillestare të Kuvendit për 100 ditët e para.

Në vijim, ai ka folur edhe për çështjet tjera dhe vendimet që e presin Kuvendin e Maqedonisë. Xhaferi nuk e ka precizuar se kur do të futet në procedurë parlamentare Ligji i gjuhëve, në bazë të të cilit, gjuha shqipe pritet të fitojë një shtirje më të gjerë gjatë përdorimit zyrtar.

Siç e dini, edhe në aspektin deklarativ, Qeveria e Maqedonisë ka marrë për obligim dhe ka dalë me propozim konkret para Kuvendit me Ligjin për përdorimin e gjuhëve”.

Në këtë kontekst, mendoj se është më e arsyeshme që për këtë çështje t’i drejtohet pyetja Qeverisë, sepse ajo përcakton dinamikën e zhvillimeve për këtë çështje”, tha Xhaferi.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri për çështje të integrimeve, Bujar Osmani gjatë të mërkurës ka bërë të ditur se Ligji për përdorimin e gjuhëve është bërë pjesë e Strategjisë Kombëtare të legjislacionit për integrim në Bashkimin Evropian.

Osmani ka theksuar për mediat se miratimi i Ligjit të gjuhëve do të bëhet sipas strategjisë së miratimit të ligjeve që janë me flamurin e BE-së, dhe votohen brenda dhjetë ditëve nga inicimi i tyre në Kuvend.

Ndërkaq, kryeparlamentari Xhaferi ka komentuar sërish çështjen e shumëpërfolur të fjalimit të tij para Kuvendit në gjuhën shqipe.

Është e drejtë e imja si deputet që t’i përdori të dyja gjuhët. Unë i respektova qytetarët dhe mediat që ato të mos kenë nevojë për përkthim dhe u prononcova në dy gjuhët (shqip dhe maqedonisht), prandaj nuk duhet të merret si provokim”, ka theksuar Xhaferi.

Sipas tij, nëse gjërat rrjedhin me dinamikën e paraparë, më 6 gusht do t`i shpallë zgjedhjet lokale, të cilat janë paraparë të mbahen më 15 tetor.

Duke u thirrur në kompetenca kushtetuese, Xhaferi ka thënë se data e zgjedhjeve mund të ndryshojë nëse nga partitë, ndërkohë, vjen ndonjë propozim konkret.

Me skadimin e mandatit të kryetarëve të komunave dhe këshillave komunale u bllokua tërësisht funksionimi komunave, pas çka, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë më 1 qershor solli ndryshime në Kodin Zgjedhor. Sipas atij vendimi, u mundësua që kryetarët e komunave të ushtrojnë detyrën edhe për gjashtë muaj, përkatësisht deri në muajin tetor, kur dhe duhet të mbahen zgjedhjet.

Ekspertët konsiderojnë se zgjedhjet lokale duhet të mbahen në vjeshtë, sepse ngërçi institucional ka ulë cilësinë e shërbimeve për qytetarët.

Ndryshe, Talat Xhaferi u zgjodh kryetar i Kuvendit të Maqedonisë më 27 prill në një atmosferë të tensionuar, pas çka një grup protestuesish qenë futur me dhunë në Parlament, duke ushtruar dhunë ndaj deputetëve dhe gazetarëve.

Xhaferi ka thënë se tani atmosfera në Kuvendin e Maqedonisë, megjithatë është dukshëm më pozitive.

XS
SM
MD
LG