Ndërlidhjet

Paraburgim për dy të dyshuar për terrorizëm


Pallati i Drejtësisë në Prishtinë.
Pallati i Drejtësisë në Prishtinë.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për dy persona, të dyshuar për pjesëmarrje në luftën në Siri përkrahë organizatave terroriste.

Më 30 maj, Themelorja vendosi për paraburgimin për Y.B, i cili dyshohet për veprat penale: “Rekrutim për terrorizëm”, Organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, “Shtytje për kryerjen e veprave terroriste dhe “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar, apo etnik”.

“I pandehuri Y.B dyshohet se ka marrë pjesë në luftën në Siri, duke luftuar në kuadër të organizatave terroriste “Abal al- Nustra dhe ‘Dawala Islamya’ [Shteti Islamik] me çka i njëjti dyshohet se ka kryer veprat penale të lartcekura”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.

Ndërkaq, H.S, dyshohet se ka kryer veprën penale: “Bashkim apo pjesëmarrje në ushtrinë apo policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para-policore në organizimet grupore apo individuale jashtë territorit të të Republikës së Kosovës”.

“I pandehuri H.S dyshohet se me vullnet dhe vetëdije të plotë me datë 23 nëntor 2015 ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinësdhe ilegalisht kishte hyrë në shtetin e Sirisë në mënyrë që t’i bashkohet organizatës terroriste IS-is”, thuhet në argumentimin e Gjykatës.

Palët kanë të drejtë që të apelojnë këto vendime në Gjykatën e Apelit.

Në vitin 2015, Kosova miratoi një ligj të posaçëm që sanksionon pjesëmarrjen në luftëra të huaja, ku parashihen dënime deri në 15 vjet burgim.

Kosova, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, ka rikthyer mbi 100 shtetas të saj, kryesisht gra dhe fëmijë, që kishin qenë në zonat e konfliktit në Siri.

Më 28 maj, përmes një operacioni të përbashkët me Shqipërinë dhe me mbështetjen e SHBA-së, Kosova riatdhesoi dy shtetas të saj nga Siria.

Në njoftimet e lëshuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë nuk tregohet nëse këta dy të arrestuar janë personat që janë kthyer dy ditë më parë nga Siria, ndërkaq në njoftimin e 28 majit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk dha detaje për të riatdhesuarit.

XS
SM
MD
LG