Ndërlidhjet

Të rinjtë në Maqedoni nuk përfshihen në krijimin e politikave


Pamje nga qyteti i Shkupit, fotografi nga arkivi.

Të rinjtë në Maqedoni konsiderojnë se lë shumë për të dëshiruar pjesëmarrja e tyre dhe organizatave rinore në procese të krijimit të politikave, qoftë në pushtetin qendror apo atë vendor.

Ata theksojnë se është shumë e nevojshme rritja e transparencës në procesin e politikëbërjes për të rinjtë.

Sipas një hulumtimi të Qendrës për hulumtime dhe krijim të politikave, 91 për qind e të rinjve vlerësojnë se zëri i tyre nuk është i pranishëm në proces e vendimmarrëse.

Po sipas këtij hulumtimi, 87 për qind e të rinjve konsiderojnë se shteti nuk e shfrytëzon potencialin e tyre.

Rita Behadini nga Parlamenti studentor në kuadër të Universitetin të Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e Lirë thotë se rinjtë janë pasiv kundrejt politikave të pushtetit vendor dhe atij qendror, pasi ata nuk e shohin të ardhmen e tyre në Maqedoni.

“Të rinjtë në vendin tonë janë tepër të demotivuar. Duke marrë parasysh situatën ekonomike, atë politike, të gjithë synojnë Evropën dhe në njëfarë mënyre ata kanë hequr dorë le të themi kushtimisht ndaj luftës për të tentuar që t’i bëjnë gjërat më mirë”, thekson Rita Behadini aktiviste për të drejtat e të rinjve.

Sociologu Gjorgji Tonovski konsideron se problemi me mungesën e aktivizimit të të rinjve i ka rrënjët e ngulitura në mungesën e pavarësisë së tyre ekonomike.

Tonovski konsideron se përderisa pjesa më e madhe e të rinjve në Maqedoni, deri në moshën 30-vjeçare jetojnë me familjen e tyre, përkatësisht barra për ta bie mbi prindërit, ata në një formë bëhen pasiv, si në familje ashtu edhe në shoqëri.

“Në Maqedoni akoma mungon tradita e vendeve të zhvilluara evropiane, që një i ri pasi të hyjë në moshën madhore të vazhdojë studimet duke u vendosur në kampusin studentor apo të dal diku me qira ose të punojë dhe të marrë përgjegjësitë për jetën e tij. Përgjegjësitë e bëjnë një të ri më të zëshëm ndaj padrejtësive. Te ne, fëmijët mbeten në gjirin e familjes për shkak të traditës, por edhe mungesës së mjeteve materiale. Aty ata detyrohen të dëgjojnë kreun e familjes për çdo gjë dhe kështu vazhdojnë të mos reagojnë edhe ndaj veprimit të institucioneve”, thotë Tonovski.

Në Maqedoni ekzistojnë shumë mekanizma për kyçjen e të rinjve në proceset vendimmarrëse, siç janë këshillat e të rinjve në nivel lokal, por të rinjtë thonë se ata veprojnë në mënyrë formale dhe nuk merren në formë përmbajtjesore me problemet e tyre.

Por, Stefani Spirovska nga Forumi Rinor Arsimor, thekson se duhet të investohet më shumë në rritjen e kapaciteteve të të rinjve për pjesëmarrje në jetën publike dhe politike në Maqedoni, përmes zbatimit të trajnimeve për arsim qytetar.

“Problem paraqet skadimi i mandateve të anëtarëve në këshillat e të rinjve në nivel komunal dhe të njëjtat nuk plotësohen. Shqetësues është interesimi tejet i dobët i të rinjve që të kyçen në këshillat e pushtetit vendor dhe kjo e bën që të ketë gjithnjë e më pak aktivitete që janë në interes të rinjve”, Spirovska.

Ndërkohë që partitë politike janë zotuar që çështjet rinore do të jenë prioritet gjatë përgatitjes së agjendave të tyre gjatë ushtrimit të pushtetit, por të rinjtë thonë se kjo gjë mbetet në letër dhe aktualizohet vetëm gjatë fushatave zgjedhore.

XS
SM
MD
LG