Ndërlidhjet

Vrasja masive afër Beogradit: Policia gjen arsenal armësh


Dy sulme masive për dy ditë: Vuçiq njofton çarmatosjen e Serbisë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:33 0:00

Dy sulme masive për dy ditë: Vuçiq njofton çarmatosjen e Serbisë

Policia serbe ka gjetur arsenal armësh në një vilë që po përdorej nga autori i dyshuar për vrasjet masive afër Beogradit.

Më 5 maj, autoritetet në Serbi arrestuan të dyshuarin e sulmit që la të vrarë tetë persona.

I dyshuari, i identifikuar me inicialet U.B, është 21 vjeç.

Në deklaratën e policisë u tha se në vilën në fshatin Shepshin afër Mlladenovcit u gjet një karabinë, një pistoletë, dy shurdhues, një thikë për gjueti dhe pjesë të tjera të armëve, që besohet se janë përdorur nga i dyshuari.

Po ashtu, autoritetet kanë gjetur 164 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 13 fishekë për armë të gjuetisë, dhe municione të tjera për armë të ndryshme.

Armët që iu gjetën të dyshuarit për sulmin masiv në Serbi.
Armët që iu gjetën të dyshuarit për sulmin masiv në Serbi.

Në mesin e armëve që u gjetën në këtë shtëpi dhe në një ndërtesë në Vinjishte afër Kragujevcit, ishin edhe katër granata dore, municion për pistoleta, pajisje optike për armët, por edhe një pushkë automatike pa numër serik.

Në deklaratën e policisë nuk u tha se në pronësi të kujt ishte ndërtesa në Vinjishte, përderisa disa media kanë raportuar se i dyshuari është fshehur në atë shtëpi.

Policia serbe tha se i arrestuari dyshohet për vrasjen e pesë personave dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve me armë zjarri në mbrëmjen e 4 majit në fshatin Orashje e Vogël, afër Smederevës.

Më pas, në fshatin Dubona afër Mlladenovcit, ai dyshohet se vrau edhe tre persona të tjerë, dhe la të plagosur edhe tetë persona.

Autoritetet thanë se i dyshuari më pas ndali një shofer taksie dhe e detyroi që ta dërgonte në fshatin Vinjishte, afër Kragujevcit, ku edhe u arrestua nga policia.

Mbi 600 oficerë policie morën pjesë në operacionin e arrestimit të të dyshuarit.

Policia ende nuk ka treguar për motivimin e mundshëm të sulmit.

Vuçiq: Vrasja masive, akt terrorist

Më herët gjatë së premtes, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur akt terrorist sulmin e së enjtes afër Beogradit, ku u vranë tetë persona.

"Është një akt, në të cilin njësitë tona speciale antiterroriste kishin për detyrë të arrestonin ose neutralizonin një terrorist. Ai është arrestuar dhe nuk do ta shohë më kurrë dritën e diellit. Ai nuk do të dalë nga burgu", tha Vuçiq, në një konferencë për media, të premten.

Nga të shtënat masive që ndodhën në disa fshatra të Mlladenovcit, në territorin e qytetit të Beogradit, mbetën të plagosur edhe 13 persona të tjerë, bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Sipas ministres serbe të Shëndetësisë, Danica Grujiçiq, të 13 të lënduarit kanë lëndime serioze. Tani ata janë në gjendje stabile, por janë në rrezik për jetë, tha ajo.

Presidenti serb Vuçiq, pas këtij sulmi, përmendi disa masa sigurie që do t'i ndërmarrë Qeveria, përfshirë punësimin e 1.200 policëve të rinj dhe transferimin e 1.000 të tjerëve për të qëndruar afër shkollave.

"[Kjo do të bëhet], në mënyrë që prindërit të ndihen të sigurt. Do të ketë edhe polici e oficerë pothuajse gjithmonë në shkollë, derisa të arrijmë në atë nivel që polici të jetë gjithmonë në shkollë. Me këtë, jo vetëm që do të rrisim sigurinë për 90 për qind, por do të ulim edhe dhunën e bashkëmoshatarëve në shkollë me 80 për qind, besoj", tha Vuçiq.

Më vonë gjatë së premtes, në mbledhjen e Qeverisë serbe u miratuan disa masa që ashpërsojnë posedimin e armëve të shkurtra të zjarrit.

Tutje, Vuçiç sugjeroi një moratorium për lejet e armëve pavarësisht nga lloji i armëve, dhe kontrolle më të shpeshta mjekësore dhe psikologjike të pronarëve të armëve.

Sipas disa mediave lokale, sulmuesi qëlloi mbi njerëz me një armë automatike, pasi pati një debat me një oficer të policisë, në një park në fshatin Dubona.

Tre nga të plagosurit iu nënshtruan trajtimit urgjent mjekësor në një spital lokal, raportojnë korrespondentët e Radios Evropa e Lirë në terren.

Instituti për Transfuzion të Gjakut në Serbi i tha REL-it se Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak.

Forcat e xhandarmërisë me armë të gjata dhe patrulla të shumta policore vazhdojnë të jenë në terren.

Ministrja e Shëndetësisë e Serbisë, Danica Grujiçiq, dhe shefi i Shërbimit të Zbulimit, Aleksandar Vulin, raportohet se kanë udhëtuar në zonë.

Këto janë të shtënat e dyta masive që ndodhën në Serbi këtë javë.

Të mërkurën, një djalë 13 vjeç dyshohet se vrau tetë nxënës dhe një rojë të sigurisë në një shkollë në qendër të Beogradit.

Banorët e zonës: Papritmas u dëgjua një breshëri

Sllobodan Nikoliq, banor i fshatit Dubona, i tha Radios Evropa e Lirë se nga shtëpia e tij kishte dëgjuar të shtëna.

"Papritmas u dëgjua një breshëri. E para ishte e gjatë, duhet të ketë shkrepur 25 plumba. E dyta ishte një minutë më vonë dhe pastaj e treta. Pas kësaj, makina zbriti [në rrugë]. Dikush bërtiti:

"Thirrni policinë, një djalë është shtrirë i vdekur".

Sllobodan Nikoliq, banor i fshatit Dubona ku pati të shtëna masive.
Sllobodan Nikoliq, banor i fshatit Dubona ku pati të shtëna masive.

Banori Zvonko Mlladenoviq tha se i kishte dëgjuar të shtënat, por se nuk e dinte se çfarë ndodhi derisa e ndezi televizorin në mëngjes.

"Kur dola, katastrofë... I kam njohur viktimat, janë fëmijë të vegjël, kur kam dëgjuar jam tronditur. Fillimisht fëmijët në Beograd, tani këtu, çfarë të them. Unë jam pa fjalë", tha ai.

Fshati Dubona afër Beogradit, ku pati të shtëna masive
Fshati Dubona afër Beogradit, ku pati të shtëna masive

Reagimet ndërkombëtare

Figura të politikës evropiane kanë reaguar ndaj ngjarjeve në Serbi duke dënuar sulmet dhe duke shprehur ngushëllime për të prekurit nga tragjedia.

Josep Borrell, kryediplomat i Bashkimit Evropian në Twitter shkroi: " Një tjetër rast i të shtënave masive në Serbi me njerëz të pafajshëm të vrarë. Kjo është një tragjedi tronditëse, e tmerrshme - ne ndiejmë dhimbjen dhe qëndrojmë me popullin e Serbisë në këto momente të vështira".

Edhe komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, bëri thirrje për ndalje të dhunës.

"I dërgoj ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave dhe mbarë kombit të Serbisë. Gjithashtu, uroj shërim të shpejtë për të plagosurit. Kjo dhunë duhet të marrë fund tani!", shkroi ai.

Ndërkaq, raportuesi për Serbinë, në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilçik, bëri thirrje "për një hetim të plotë të ngjarjeve të tmerrshme dhe vendosje të plotë të drejtësisë".

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq, shkroi në reagimin e saj në Twitter se "është tronditur nga të shtënat e tjera masive në Serbi".

"Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe autoritetet në Serbi", tha ajo.

Serbia, aktualisht, është në ditë zie për viktimat e sulmit në shkollë.

Të shtënat masive janë relativisht të rralla në Serbi, por zotërimi i armëve në këtë vend është ndër më të lartit në Evropë.

XS
SM
MD
LG