Ndërlidhjet

Daçiq “nuk e di” nëse Radoiçiq është në videon që nxori Sveçla


Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se nuk e di nëse në videon e publikuar nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, është nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, por se është “e dukshme” se videoja nuk është nga dita e sulmit në veri të Kosovës.

“Nuk kam asnjë informacion nëse ai [Radoiçiq] është në video apo jo, vërtet nuk e di”, tha Daçiq për Radio Televizionin e Serbisë më 26 shtator.

Sipas tij, bëhet fjalë për “mashtrim” - videoja “nuk është e ditës” kur ka ndodhur sulmi.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, publikoi më 26 shtator një video, ku tha se Radoiçiq duket në mesin e personave të armatosur që u përleshën me policinë e Kosovës në manastirin e Banjskës në Zveçan, më 24 shtator.

Provat e Kosovës për përfshirjen e Radoiçiqit në sulmin në veri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:23 0:00

“Ata vazhdojnë të thonë se ato janë grupe kriminale dhe se nga UÇK-ja janë luftëtarë të lirisë. Ata janë gjithashtu luftëtarë të lirisë, nëse është kështu”, tha Daçiq.

Sipas tij, Kosova “po përpiqet të dëshmojë dhe të tregojë se Millan Radoiçiq apo Zvonko Vesellinoviq kanë qenë ata që i kanë kryer këto veprime”.

“Ata më së shumti do të donin të kishin hasur në [Millan] Mojsilloviqin [shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe] sepse u duhet një lidhje me Beogradin”, tha Daçiq.

Ai, po ashtu, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është “i vetmi fajtor për gjithçka që ka ndodhur” dhe shtoi se Beogradi nuk e justifikon asnjë veprim të dhunshëm.

“Na vjen keq për vrasjen e një polici, për humbjen e jetëve serbe dhe që ka ndodhur një incident i tillë që nuk është në interesin e Serbisë”, tha Daçiq.

Sveçla, bashkë me videon e postuar më 26 shtator, shkroi se Radoiçiq “ishte lider i grupit terrorist dhe i sulmit që la të vrarë policin Afrim Bunjaku”.

Në një intervistë për Euronews Albania, dhënë në të njëjtën ditë, Sveçla përsëriti se videoja në të cilën tha se duket Radoiçiqi, është filmuar nga një dron i policisë dhe se Radoiçiq ishte në ambientet e manastirit të Banjskës.

Sipas tij, në sulmin e 24 shtatorit morën pjesë “mbi 30 terroristë të udhëhequr nga Millan Radoiçiqi”.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit, ndërsa Radoiçiq dhe biznesmeni nga veriu i Kosovës, Zvonko Vesellinoviq, për të cilin foli Daçiq, janë në listën e zezë të SHBA-së për korrupsion dhe krim ndërkombëtar.

Ata janë të lidhur edhe me vrasjen e politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviq, nga veriu i Kosovës.

Policia e Kosovës u sulmua më 24 shtator nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur në fshatin Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa disa të tjerë u plagosën.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, policia vrau tre sulmues të nacionalitetit serb, ndërsa gjashtë prej tyre u arrestuan. Një ditë më vonë, më 25 shtator, dy të tjerë u arrestuan në Banjskë.

Policia e Kosovës, gjatë kontrollit në zonën përreth Banjskës, gjeti një arsenal të madh armësh të rënda.

XS
SM
MD
LG