Ndërlidhjet

Termocentrali “Kosova e Re”, drejt finalizimit


Ndërtimi i Termocentralit "Kosova e Re"
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:09 0:00

Pas më shumë se një dekade përgatitje e zvarritje, në pjesën e parë të vitit të ardhshëm pritet të fillojë ndërtimi i Termocentrali “Kosova e Re”.

Ky projekt që përfaqëson investimin më të madh të huaj në Kosovë, sipas zyrtarëve qeveritarë, pritet të stabilizojë situatën me energji elektrike, të rezultojë në përmirësimin e cilësisë se ajrit, rritë shkallën e punësimit dhe të nxisë zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

Në fund të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e këtij termocentrali me kapacitet 500 megavat, i cili do kushtojë 1.3 miliard euro.

Qeveria e Kosovës dhe “ ContourGlobal”, ndërkaq, javën e kaluar ka përzgjedhur katër ofertuesit e mundshëm për kontraktimin, për inxhinierim, projektim, ndërtim dhe mirëmbajtje për projektin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se ndërtimi i këtij termocentrali do të përmirësojë stabilitetin e furnizimit me energji elektrike, duke i dhënë fund humbjeve prej 415 milionë dollarë në vit, të shkaktuara nga furnizimi i paqëndrueshëm i energjisë në Kosovë.

“Ky termocentral përveç se do të stabilizojë furnizimin më energji elektrike, do të sigurojë gjithashtu që të kemi energji stabile dhe me kualitet të mirë, pasi edhe kjo është më rëndësi edhe gjatë periudhave kur ka vështirësi në importin e energjisë, konkretisht gjatë sezonit të dimrit”.

“Prandaj, me këtë projekt do të eliminohen një pjesë e madhe e problemeve aktuale energjetike, pasi investimet do të vazhdojnë edhe në përmirësimin e rrjetit të distribuimit”, thotë Lluka .

Në anën tjetër, Et’hem Çeku, që ishte ministër i Energjisë dhe Minierave në kohën kur u hartua projekti në vitin 2005, thotë se Kosova ka nevojë për kapacitete të reja energjetike, duke marrë parasysh vjetërsinë e termocentraleve aktuale prodhuese, “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Por, që sipas tij, kapacitetet prej 500 megavatësh janë të pamjaftueshme për një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik.

Ai ndërkaq konsideron se sektori energjetik është dashur të jetë faktor ndikues edhe në buxhetin e Kosovës, pasi vendet e Ballkanit kanë nevojë për energji.

“Në qoftë se planifikojmë zhvillim mesatar prej 4 për qind në vit, dhe kur e shohim nevojat e ekonomisë, bizneseve të Kosovës dhe ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë ky planifikim për të ndërtuar këto kapacitete, janë të pamjaftueshme për ekonominë dhe për nevojat e brendshme të Kosovës”, tha Çeku.

Sipas projektit fillestar, ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” ishte paraparë të bëhet me kapacitet të prodhimit prej 2100 megavatësh, 1600 megavatë më shumë se me marrëveshjen aktuale.

Por, si projekt i filluar qysh në vitin 2005, për vite të tëra, apo varësisht nga ndryshimi i Qeverisë, edhe projekti ka pësuar ndryshime.

Arsye tjetër, sipas Çekut, se kapacitete energjetike janë të pamjaftueshme është edhe mbyllja e Termocentralit “Kosova A” për shkak të vjetërsisë se tij, dhe që është cilësuar si ndotësi më i madh i mjedisit.

Ky ishte zotimi i Qeverisë së Kosovës në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë së Vjenës dhe Bashkimit Evropian, në kuadër të zbatimit të standardeve të Bashkimit Evropian në emetimin e gazrave.

(Video: Ndotja e ajrit në fshatin Dardhishtë, që gjendet në komunën e Obiliqit)

Ndotja e ajrit në Dardhishtë
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:52 0:00

Kurse në Strategjinë e Energjisë në Republikën e Kosovës për vitet 2016- 2025, përmendet vazhdimi i punës së termocentralit “Kosova A”, deri në hyrjen në punë të termocentralit “Kosova e Re”.

Termocentrali “Kosova A” përbëhet nga pesë blloqe. Blloku i parë, A-1, ka hyrë në fuqi në vitin 1962 kurse blloku A-5 në vitin 1975 . Si pasojë e vjetërsisë, dy blloqet nuk funksionojnë.

“Pas mbylljes se Termocentralit ‘Kosova A’ për shkak të vjetërsisë, edhe Termocentrali tjetër ‘Kosova B’, më pas duhet të kalojë në riformatizim të plotë. Kosovës i mbesin vetëm këta megavat të cilët do të jenë shumë, shumë të limituara, për të nevojat e ekonomisë se Kosovës dhe furnizimit të qytetarëve me energji elektrike”, thotë Çeku.

Edhe ekspertë për çështje energjetike pohojnë se kapacitetet prodhuese të termocentralit të ri, janë të pamjaftueshme që të arrijë të mbulojë kërkesat me energji elektrike që ka Kosova.

Hamdi Malushaj, drejtor në kompaninë “Evroenergie”, kompani kjo që merret me analiza dhe studime të çështjeve energjetike në tregun e Kosovës dhe Gjermanisë, thekson se kërkesa për energji elektrike deri në vitin 2023 do të rritet në deri 1700 megavatë”.

“Kërkesat momentale për energji në treg janë më të mëdha se sa krejt kapaciteti i termocentrali. Nga ana tjetër, pritet rrënimi i termocentralit ‘Kosova e A’ pritet vjetërsimi i Termocentralit ‘Kosova B’”, thotë Malushaj.

Pavarësisht këtyre, ministri Valdrin Lluka, shprehet optimist se pas vitit 2023, kur parashikohet të përfundojë ndërtimi Termocentralit “Kosova e Re”, pasqyra energjetike në Kosovë do jetë ndryshe.

Sidoqoftë, “Contour Global” ka parashikuar të krijojë Fondin për Zhvillimin e Komunitetit, buxheti i të cilit arrin një shumë prej 10 milionë euro, e që do të investohen për një periudhë shtatëvjeçare.

Këto mjete do të investohen në komunat që prek termocentrali “Kosova e Re”, me qëllim të përmirësimit të mjedisit social dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik përmes punësimit.

Gjatë fazës së ndërtimit të termocentralit pritet të punësohen rreth 10 mijë persona, kurse pas përfundimit të fazës së ndërtimit, në punë do të mbesin rreth 700 punëtorë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG