Ndërlidhjet

Thaçi e Haradinaj bisedojnë për demarkacionin dhe dialogun me Serbinë


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi (djathtas) dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj (majtas)
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi (djathtas) dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj (majtas)

Kuvendi i Kosovës bashkë me udhëheqësit më të lartë të shtetit duhet t’u japin përgjigje të gjitha çështjeve me prioritet, përfshi edhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe liberalizimin e vizave, ka deklaruar presidenti, Hashim Thaçi.

Këto komente, Presidenti i Kosovës i ka bërë pas një takimi që ka zhvilluar me kryeministrin, Ramush Haradinaj, ndërkohë që paraprakisht priti në një takim edhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin.

Prioritetet e Kosovës janë të përbashkëta, si të presidentit, kryeministrit apo Kuvendit dhe gjithë spektrit politik, ka nënvizuar Thaçi.

“Të gjithë jemi të përkushtuar të ndodhë liberalizimi i vizave. Ne jemi të përkushtuar ta ndihmojmë njëri tjetrin dhe të gjithë jemi të interesuar që procesi të përmbyllet me zbatimin e të gjitha kritereve të nevojshme”, është shprehur ai.

Ndërkaq në lidhje me vendimin e kryeministrit Haradinaj për shkarkimin e Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare si sinjali i parë i Qeverisë së re për anulimin e marrëveshjes së arritur me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit, Thaçi tha se proceset nuk lidhen me emra apo persona të caktuar.

“Nuk mendoj se asnjë projekt apo prioritet duhet të lidhet me këtë apo atë person. Me rëndësi është që i gjithë procesi të ecë përpara, kurse Kuvendi t’u jap përgjigjen e duhur në kohën e duhur. Me kryeministrin Haradinaj do të koordinohemi si të lëvizim më shpejt në çështje me prioritet”, ka theksuar Thaçi.

“Kosova ka raporte strategjike me Malin e Zi, të fqinjësisë së mirë dhe integrimit euro-atlantik. Kjo është e qartë dhe e dinë të gjithë, edhe Haradinaj edhe Veseli”, është shprehur Thaçi.

Po ashtu, presidenti i Kosovës ka përmendur edhe njëherë çështjen e formimit të një ekipi uniteti për dialogun me Serbinë, duke i ftuar aty edhe opozitën.

Në lidhje me çështjen e dialogut, kryeministri Ramush Haradinaj tha se pavarësisht të kaluarës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bisedimet nuk kanë alternativë.

“Dialogu është i paalternativë dhe se ne jemi fqinjë edhe pse e kaluara është tragjike. Ajo që e kam menduar për dialogun është edhe një diskutim i brendshëm në Kosovë në mënyrë që kur të vjen epilogu i dialogut dhe referendumi të jetë rezultat i të gjithëve”, ka thënë Haradinaj.

Pas takimeve me Veselin e Haradinajn, presidenti Thaçi ka vlerësuar se formimi i institucioneve kryesore të Kosovës, pas rezultatit të zgjedhjeve të fundit parlamentare, është një e arritur demokratike.

Presidenti Thaçi është zotuar se do të angazhohet që të garantojë bashkëpunim dhe koordinim të agjendave me rëndësi nacionale midis Presidencës, Kuvendit, Qeverisë dhe partive opozitare.

XS
SM
MD
LG