Ndërlidhjet

Liderët e "Ballkanit të Hapur" nënshkruajnë marrëveshje të reja


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev gjatë takimit të nismës "Ballkani i Hapur" në Tiranë më 21 dhjetor.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev gjatë takimit të nismës "Ballkani i Hapur" në Tiranë më 21 dhjetor.

Liderët e “Ballkanit të Hapur” nënshkruan marrëveshje të reja që, siç thanë, kanë për qëllim lehtësimin e bashkëpunimit rajonal.

Në takimin e mbajtur në Tiranë më 21 dhjetor, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan marrëveshje për heqjen e lejes së punës, atë për lehtësimin e import-eksporteve të kafshëve të gjalla si dhe për veterinarinë.

Në një konferencë për media, pas takimit të nismës për bashkëpunim rajonal "Ballkani i Hapur", kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha detaje të reja lidhur me marrëveshjet e arritura.

Ai tha se qytetarët e të tria vendeve do të kenë "qasje të menjëhershëm dhe të barabartë për lejen e punës dhe të qëndrimit".

Sipas Ramës, me marrëveshja për sistemin e integruar elekronik të shërbimeve, do t'i hapë rrugën krijimit të një sistemi të përbashkët elektronik për t’iu "dhënë mundësi të gjithë qytetarëve që duan të marrin shërbime të caktuara – duke filluar nga aplikimet për t’u regjistruar si të pranishëm në vendin tjetër – pa lëvizur nga vendndodhja e tyre".

Ndërkaq, marrëveshja e fundit, sipas Ramës përfshin një sërë pikash, që kanë të bëjnë me lehtësimet në eksporte dhe importe.

"Dhe marrëveshjet në bllok për t’iu hapur rrugën të gjithë atyre që prej vitesh ndërveprojnë mes këtyre vendeve si prodhues, si eksportues e importues produktesh dhe që kanë një histori të vështirë pritjesh e verifikimesh, duke bërë të mundur që nga janari i vitit të ardhshëm të kalojnë lirisht në kufijtë dhe doganat respektive, pa pasur nevojë që të sigurojnë tre herë dokumente që lidhen me eksport-importin e produkteve të tyre bujqësore e blegtorale", tha Rama.

Rama fton shtetet tjera t'i bashkohen Ballkanit të Hapur

Gjatë takimit në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ripërsëriti thirrjen për vendet tjera që t’i bashkohen nismës, për të cilën, ai tha se po e përgatit Ballkanin drejt rrugës së Bashkimit Europian.

Rama theksoi se marrëveshjet e arritura të martën, janë përcaktuese drejt objektivit për garantimin e lirisë së plotë të lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve e shërbimeve.

“Më lini që të kaloj nëpër secilën shtyllë të Ballkanit të Hapur duke përsëritur thirrjen për gjithkënd që të bëhet pjesë, pasi 'Ballkani i Hapur' është një nismë tërësisht përfshirëse dhe duke inkurajuar të tjerët në rajon që të jenë pjesë e kësaj përpjekjeje, por ndërkohë ne po ecim përpara sepse kjo është ajo çfarë kemi nevojë dhe çfarë duhet të bëjmë për të mirën e njerëzve tanë”, tha Rama.

Vuçiq: Marrëveshjet e bëjnë Ballkanin pa kufij

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë konferencës për media tha se nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve është "kurorëzim i një pune prej dy vjet e gjysmë".

“Në fund të fundit, kjo punë që ne po bëjmë ka të bëjë me rezultate të prekshme për qytetarët tanë, të mirat që ne do ja u sjellim atyre”, shtoi ai.

I pyetur nga gazetarët se nëse Kosova do të bëhej pjesë e “Ballkanit të Hapur”, a do të ishte pjesë e bisedimeve me emrin dhe flamurin e saj, Vuçiq tha se nuk e sheh si problem.

“Beogradi dhe Prishtina kanë pikëpamje të ndryshme, por kjo nuk është arsye që ne të mos flasim dhe kjo nuk është arsye që dikush mos të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur”, deklaroi presidenti serb.

Pos nikoqirit të takimit, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në bisedime mori pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Zaev në fjalën e tij tha se falë kësaj nisme, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të mbesin “peng i dështimeve të Bashkimit Evropian”.

“Kur kemi qenë së bashku me Vuçiq dhe Ramën dhe krijuam e përkufizuam këtë iniciativë, ne treguam që tri vendet tona nuk do të mbaheshin peng nga dështimet e Bashkimit Evropian sa i përket procesit tonë të integrimit në BE. Ky proces mund të ndalohet në Bruksel, por evropianizmi dhe vlerat tona evropiane në tri shtetet tona, nuk kanë arsye pse të presin”, u shpreh kryeministri Zaev.

Përmes video-lidhjes u kyç edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, duke i nxitur ata që ta vazhdojnë këtë nismë.

“Admiroj faktin se sa fort e ndieni këtë nismë, se pikë së pari ka qenë një nismë që vjen nga Ballkani. Nuk është Bashkimi Evropian që doli me këtë nismë, por ka ardhur prej jush, prej tri aktorëve që shoh rreth tryezës edhe sot, dhe ju vazhduat të shtyni përpara edhe kur ne nuk arritëm që të tërhiqnim pjesëmarrjen e gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor, sepse ju kuptuat rëndësinë e integrimit rajonal dhe sidomos mënyrën në të cilën kjo është në gjendje të ndryshojë jetën e qytetarëve tuaj”, deklaroi Varhelyi.

Rama, Vuçiq dhe Zaev zhvilluan edhe një darkë pune më 20 dhjetor në Elbasan. Ndërkaq, takimi i radhës i nismës "Ballkani i Hapur" është caktuar të mbahet në shkurt në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Takimi dhe shkuarja e Vuçiqit në Shqipëri nxitën protesta në Tiranë.

Mijëra protestues dolën të hënën në rrugë, pas thirrjes së ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

Berisha tha se protesta organizohet në “mbrojtje të interesave të kombit shqiptar”.

“Dua t'i garantoj shqiptarët se kjo nuk është një protestë kundër bashkëpunimit rajonal. Kjo është një protestë kundër një projekti që është refuzuar nga Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova. Një projekt që nuk synon gjë tjetër veçse vendosjen e hegjemonisë serbe në rajon”, tha Berisha.

Protesta kundër nismës "Ballkani i Hapur" dhe vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Tiranë, 20 dhjetor 2021.
Protesta kundër nismës "Ballkani i Hapur" dhe vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Tiranë, 20 dhjetor 2021.

Protestuesit, mes tjerash, dogjën një flamur të Serbisë.

Vuçiq tha se nuk dëshiron ta komentojë këtë ngjarje, duke theksuar se "duhet shikuar kah e ardhmja".

"Nuk do të hyj në arsyet e tyre të brendshme partiake, por sigurisht se është e papranueshme përdhosja e simboleve dhe mendoj se Shqipëria ka reaguar menjëherë, seriozisht dhe me përgjegjësi", tha Vuçiq.

Në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Ajo u iniciua nga krerët e këtyre shteteve në tetor të vitit 2019.

Nisma, që fillimisht u quajt “Mini-Shengen”, sipas iniciuesve të saj, parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis të tria vendeve.

Çka është arritur deri më tani?

Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që thuhet se kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

Këto tri shtete kanë vendosur që lëvizja e qytetarëve të tyre të bëhet me letërnjoftime.

Në kuadër të kësaj nisme është arritur edhe marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

Këto tri shtete kanë vendosur që nga 1 janari i vitit 2023 t'i heqin edhe kontrollet doganore.

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar po ashtu marrëveshje për bashkëpunim sa i përket parandalimit dhe eliminimit të pasojave të fatkeqësive natyrore.

Pse Kosova e kundërshton “Ballkanin e Hapur”?

Tri vende të Ballkanit Perëndimor kundërshtojnë të bëhen pjesë e nismës "Ballkani i Hapur": Kosova, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi.

Zyrtarët në Kosovë, në pushtet dhe opozitë, kanë argumentuar se një nismë e tillë është pa vizion dhe e rrezikshme.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se “Ballkani i Hapur” nuk është ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit rajonal dhe se në këtë nismë, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja” sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.

Përfaqësuesit politikë të Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, ndërkaq, mbajnë qëndrimin se nuk bëhen pjesë e nismave që mund të shihen si alternativë e rrugës së tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG