Ndërlidhjet

Protestë në Tiranë pas vrasjes së tri grave brenda një dite


Protestë në Tiranë kundër dhunës ndaj grave. 2 mars 2023.
Protestë në Tiranë kundër dhunës ndaj grave. 2 mars 2023.

Me moton “Boll më” u protestua kundër dhunës dhe vrasjes së grave në Shqipëri. Protesta u organizua para Ministrisë së Drejtësisë, dhe vjen një ditë pasi i dyshuari Dan Hutra, vrau tri gra në zonën e Kamzës, në afërsi të Tiranës dhe plagosi dy të tjera.

Hutra, 41-vjeçar, mesditën e së mërkurës shkoi në banesën e Elena Hysës, gruas me të cilën bashkëjetonte dhe ka një fëmijë 4-muajsh, ku sipas Policisë, atë dhe nënën e saj, Kujtime Kysi, i plagosi me thikë, ndërsa vrau motrën e saj, Mevlute Hysa, 30-vjeçare, si dhe të fejuarën e vëllait të saj, Hasime Dafku, po ashtu 30-vjeçare.

Pasi është larguar nga vendi i ngjarjes, Policia thotë se ai është ndalur në një tjetër banesë ku ka vrarë 31-vjeçaren Etleva Kurti, e cila është motra e një të dënuari, me të cilin autori i krimit ka pasur konflikte gjatë kohës që kanë vuajtur dënimin në të njëjtin burg.

Ai u arrestua mbrëmjen e 1 marsit në një tjetër zonë periferike të Tiranës, ku siç ka deklaruar në Polici kishte planifikuar edhe një tjetër vrasje, e më pas kishte thënë se do të vetë-dorëzohej. I njëjti ishte dënuar më herët për vrasjen e ish-gruas së tij të parë.

Protestë në Tiranë kundër dhunës ndaj grave. 2 mars 2023.
Protestë në Tiranë kundër dhunës ndaj grave. 2 mars 2023.

Kjo ngjarje solli reagimin e qytetarëve dhe shoqërisë civile që protestuan në Tiranë.

Duke kërkuar siguri për vajzat dhe gratë, protestuesit u kërkuan institucioneve të japin llogari për dhunën ndaj grave dhe për rastin konkret, se përse nuk ka vepruar drejtësia për autorin e këtij krimi të rëndë.

“Ky vrasës ka kryer një krim që mund të shmangej. Ai ka vrarë gruan e parë dhe ka përdhunuar një tjetër, dhe policia nuk e di që ky është i rrezikshëm? Si ka mundësi që institucionet kanë dështuar për të mbrojtur jetën e këtyre grave? Duhet të ngremë zërin sepse e kemi normalizuar dhunën, femicidin e kemi konsideruar normal. Ky është momenti të flasim më shumë”, tha një aktiviste e shoqërisë civile në protestë.

“Duhet mobilizim i të gjitha ministrive për një platformë kombëtare ndaj femicidit. Sot duhet të reagojmë sa më shpejt para se tu vijë radha, fëmijëve, shoqeve, motrave tona. Të dalim në rrugë edhe për 8 mars për një jetë të drejtë dhe pa dhunë, i duam të gjitha gratë e gjalla”, tha një nga protestueset.

Protestë në Tiranë kundër dhunës ndaj grave. 2 mars 2023.
Protestë në Tiranë kundër dhunës ndaj grave. 2 mars 2023.

Pas kritikave të shumta që pasuan ngjarjen e rëndë, Policia e Shtetit ka deklaruar se “kemi analizuar veprimtarinë kriminale të autorit, nuk është evidentuar në asnjë rast që të ketë paraqitur çrregullimeve psikike. Nuk ka pasur informacione nga familjarë për rrezik jete nga ana e tyre”.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka deklaruar se “ngjarja e rëndë mund të ishte shmangur nëse autori do të ishte në burg”.

Autori i vrasjes së trefishë, Dan Hutra, është person me precedentë penalë. Ai ka qenë i dënuar në vitin 2003 me dy vjet burgim për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë".

Në 2009 është dënuar me 16 vite burgim për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, pasi ka përfituar ulje dënimi për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ndërsa në qershor 2022 është arrestuar për dhunë në familje ushtruar ndaj Elena Hysa, me të cilën bashkëjetonte dhe të cilën e plagosi të mërkurën. Ai është liruar nga burgu më 16 shkurt 2023.

XS
SM
MD
LG