Ndërlidhjet

Në Tiranë mbahet marsh solidariteti me Ukrainën


Marshi i solidaritetit me Ukrainën i mbajtur në Tiranë më 24 shkurt 2023.
Marshi i solidaritetit me Ukrainën i mbajtur në Tiranë më 24 shkurt 2023.

Ambasadorë, politikanë dhe qytetarë shqiptarë dhe ukrainas u bënë bashkë në një marsh solidariteti me Ukrainën në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Manifestimi "Tirana Stands with Ukraine"u mbajt në ditën që shënon përvjetorin e parë të pushtimit rus të Ukrainës.

Marshi nisi nga rruga "Ukraina e Lirë", ku ka selinë Ambasada e Ukrainës, për të vazhduar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe u përmbyll para Bashkisë së Tiranës.

Marshi në Tiranë në mbështetje të Ukrainës që tash e një vit po përballet me pushtimin e paprovokuar rus.
Marshi në Tiranë në mbështetje të Ukrainës që tash e një vit po përballet me pushtimin e paprovokuar rus.

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, kërkoi të mbahej një minutë heshtje për viktimat e shkaktuara nga sulmet e Rusisë dhe vlerësoi kontributin e Shqipërisë për solidaritetin dhe ndihmën që i kanë dhënë Ukrainës.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, shprehu përkrahjen e ndaj popullit të Ukrainës dhe theksoi se Perëndimi nuk është i përçarë.

“Vetëm pak ditë më parë presidenti [amerikan, Joe] Biden, shkoi në Kiev dhe nuk duhet të jetë asnjë dyshim se ku qëndron SHBA-ja. Ne qëndrojmë me popullin e Ukrainës. Presidenti Biden i kujtoi botës se [presidenti rus, Vladimir] Putini, e kishte gabim kur mendonte se Ukraina ishte e dobët, apo se Perëndimi ishte i përçarë. Perëndimi është si asnjëherë më parë i bashkuar”, tha Kim.

Shfaqja e dokumentarit për qytezën Irpin, që gjendet në periferi të kryeqytetit ukrainas, Kiev. Tiranë, 24 shkurt 2023.
Shfaqja e dokumentarit për qytezën Irpin, që gjendet në periferi të kryeqytetit ukrainas, Kiev. Tiranë, 24 shkurt 2023.

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Christine Hohman, gjithashtu theksoi se ndihma ndaj Ukrainës nuk do të mungojë nga Perëndimi, ndërsa pranoi se janë bërë edhe gabime.

“Së pari refuzuam të shihnim Rusinë për atë që është në të vërtetë, një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara që haptazi ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. U gabua gjithashtu duke ulur shanset ushtarake. Për ju, ukrainasit, vendi juaj nxori gjithë këto gabime tonat, se çdo ditë Ukraina po kryen rezistencë heroike. Ju jeni burim frymëzimi”, tha Hohman.

Në këtë aktivitet u shfaq dokumentari "Largimi i Irpin" që përmban raporte unike të dokumentuara nga një gazetar polak gjatë pushtimit të kësaj qyteze ukrainase dhe tregon ditët tragjike të mbrojtjes nga luftëtarët ukrainas në periferi të kryeqytetit, si dhe tmerret që përjetojnë civilët gjatë përpjekjes për t’i shpëtuar pushtuesve rusë.

Që prej nisjes së agresionit, në Shqipëri janë strehuar më shumë se 3.000 ukrainas. Shteti po ashtu ka dënuar pushimin rus dhe ka vendosur sanksione ndaj Moskës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG