Një helikopter i misionit paqeruajtës të Bashkimit Evropian në Bosnje e Hercegovinë, EUFOR, është rrëzuar në një fshat pranë Bërçkos të enjten, duke lënë të vdekur katër anëtarë të ekuipazhit dhe 11 të lënduar, tha misioni në një komunikatë.
"Si pasojë e këtij aksidenti, EUFOR pësoi humbjen e katër personave, ndërsa 11 të tjerë u lënduan dhe aktualisht janë në gjendje të qëndrueshme dhe po marrin kujdes mjekësor. Nuk pati dëme në infrastrukturën civile, pronën apo automjetet, dhe asnjë civil nuk u lëndua si pasojë", tha EUFOR-i.
Më herët, kryetari i Bërçkos, Sinisha Miliq, tha tha për Radion Evropa e Lirë: “Po punojmë për kujdesin e të lënduarve në Qendrën Shëndetësore të Distriktit të Bërçkos dhe jemi të gatshëm t’i transferojmë, nëse është e nevojshme, në qendra më të mëdha klinike".
EUFOR-i bëri të ditur se helikopteri i rrëzuar është i llojit CH-47 Chinook dhe i përket kontingjentit italian të misionit.
Lidhur me aksidentin reagoi edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e cila shprehu ngushëllime për familjet e viktimave përmes një postimi në rrjetin social X.
“Lajmi për aksidentin tragjik të helikopterit italian të EUFOR-it në Bosnje e Hercegovinë është shkak për pikëllim të thellë. Në mendjen dhe zemrat tona janë viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë ata që, të angazhuar në misionin për paqe dhe stabilitet në rajon, po kalojnë orë ankthi”, shkroi Meloni.
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, shkroi në rrjetin X se "Evropa shpreh solidaritetin e saj të plotë me Italinë në këtë kohë të vështirë. Ne mbetemi në kontakt të ngushtë me komandantin e EUFOR-it dhe përfaqësuesit tanë të BE-së në terren".
Misioni bëri të ditur gjithashtu se nuk është dëmtuar infrastruktura civile, prona apo automjete dhe se nuk ka pasur civilë të lënduar nga rrëzimi i helikopterit të tij.
EUFOR-i njoftoi se po zhvillon “një hetim të plotë dhe të hollësishëm për incidentin”.
Ekipet e policisë së Qarkut të Bërçkos, zjarrfikësit dhe shërbimet e urgjencës mbërritën shpejt në vendin e aksidentit, ndërsa zona përreth vendit ku u rrëzua helikopteri është siguruar.
Ministri i Mbrojtjes i Bosnje e Hercegovinës, Zukan Helez, tha për Radion Evropa e Lirë se ishte njoftuar që në aksident nuk ishin përfshirë pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Bosnje e Hercegovinës.
EUFOR-i, Forca e Bashkimit Evropian në Bosnje e Hercegovinë, është një mision ushtarak ndërkombëtar që vepron në këtë shtet që nga viti 2004, në kuadër të operacionit Althea, me synimin për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm në vend.